“Papritmas filluam një ngjitje në malet e mbështjella me mjegull, duke kaluar bletarët që shisnin kavanoza në rrugë. Pastaj ne kaluam retë e dendura dhe e shihnim detin shumë më poshtë. Ishte mbresëlënëse.”- nis artikulli i fundit për Shqipërinë, një portal i njohur mediatik në Afrikën e Jugut, vendin që tërheq miliona turistë nga e gjithë bota.
“Independent Media” është një nga kompanitë kryesore mediatike, e cila funksionon si konglomerat i shumë platformave të Afrikës së Jugut. IM përfshin 20 nga gazetat më të shquara të vendit, “The Star” dhe “Pretoria News” në Gauteng, “Cape Times” dhe “Cape Argus” dhe disa gazeta të komunitetit në Cape Town dhe “The Mercury” dhe “Daily News” në Durban.
Shqipërisë i kushtojnë një reportazh dy editorë të turizmit pranë IM, të cilat udhëtuan në vendin e ‘shqiponjave’ dhe mbetën të mahnitur. Një fakt interesant që theksohet ishte se shëtitjet në Shqipëri konsiderohen si një formë për të kaluar kohën dhe siç duket, afrikanojugorëve ky fakt u ka mbetur në mend.
“Shqipëria si vendasit e quajnë atë, ka ndër ushqimet më të lira në rajonin e Mesdheut dhe ku konsumohen vakte shumë të shijshme. Krahasuar me Korfuzin e afërt, çmimet ndryshojnë shumë. Mësuam se Kalimi i Llogorasë, ku admiruam shumë pamjen, është një nga rrugët më të larta të kalueshme në Europë. Poshtë plazhet bregdetare të Jonit na mahnitën”- thuhet në artikull.
Shqipëria, “toka e Shqiponjave”, është përmendur nga legjendat e vjetra dhe gazetarët gjithashtu flasin për të shkuarën komuniste të vendit tonë.
Ato ndalen në të gjitha pikat turistike të Jugut të Shqipërisë, nga ku Butrinti meriton të kurorëzohet si vendi më i mirë turistik sipas tyre.
“Qyteti antik i Butrintit në jug u themelua nga trojanë që iknin nga rënia e Trojës.
Siç përshkruhet tek libri “Eneida” i Virgjilit, Butrinti u ndërtua për t’u dukur si një mini-Trojë. Pak ditë më vonë, ne e gjejmë veten duke ecur mbi rrënojat arkeologjike të Butrintit, një vend të Trashëgimisë Botërore UNESCO që më 1992. Më vonë, ne vizituam qytetin e Ksamilit, bregdetin e tij me pika të shumta plazhesh” – shkruhet në artikull.
Artikulli përmend, bashkë me Gjirokastrën, edhe shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, i cili fitoi çmimin “Man Booker International” në 2005. Librat e tij, sipas artikullit, të bëjnë të zhytesh në folklor, traditë dhe shprehje të çuditshme për të mos përmendur gjakmarrjen dhe patriarkalizmin. Kadareja bën referenca të mjaftueshme ndaj Kanumit të Lekë Dukagjinit, kodit të lashtë të ligjeve shqiptare bazuar në nder dhe mikpritje. “Shtëpia jonë i takon Perëndisë dhe mysafirit”, është një thënie e vjetër.”
Mikpritja manifestohet në Berat – “qyteti i një mbi një dritareve”, një trashëgimi madhështore e perandorisë osmane në Shqipërinë e Mesme. Njohur si një vend i Trashëgimisë Botërore UNESCO, Berati është i njohur për shtëpitë e bardha otomane që ngjiten në një kodër mbi lumin Osum.
“Në Shqipëri, ‘Xhiroja’, apo shëtitjet pasditeve deri në darkë, është një ritual i shenjtëruar dhe i përditshëm. Si mund të mos na bjerë në sy një vend, turizmi i vendasve tek i cili është shëtitja në mbrëmje?”- përfundon artikulli.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.