Jo vetëm emigrantët shqiptarë, por edhe të huajt zgjedhin Shqipërinë për të rregulluar dhëmbët. Vitet e fundit vërehet një rritje e numrit të shtetasve të huaj dhe shqiptarë që i drejtohen vendit tonë për të përfituar nga shërbimet stomatologjike. Kjo, pasi çmimet janë të ulëta, në krahasim me vendet e zhvilluara perëndimore, ndërkohë që punimet, si mbushjet apo vënia e urave prej materialeve nga të shtrenjtat te më të lirat, janë cilësore.
Turizmi dentar siç ka filluar të cilësohet vitet e fundit, ka marrë një hov të konsiderueshëm, krahasuar me përvojën e hershme në vend, fenomen që arrin kulmin në sezone të caktuara, kryesisht gjatë muajve të verës kur vendi vizitohet nga emigrantët shqiptarë, që janë korriku, gushti, mesi i muajit shtator, por
edhe në dimër për festat e fundvitit, përkatësisht në dhjetor.
Të dhënat raportohen nga mjekët stomatologë, të cilët rrëfejnë për gazetën Shqip, për rritjen e numrit të pacientëve, në periudha të caktuara të vitit. “Në këta muaj pothuajse 70 për qind e pacientëve janë emigrantët shqiptarë, të cilët vijnë nga shtete të ndryshme të botës, për të rregulluar dhëmbët”, tregon, stomatologu Foto Vasili. Sipas tij, përveç emigrantëve shqiptarë, në klinikën e tij dentare regjistrohen edhe shtetas të huaj, që zgjedhin të rregullojnë dhembët apo shërbime të tjera të këtij lloji, në vendin tonë, për shkak se kostot janë më të ulëta.
“Pothuajse të gjitha takimet që kam të përcaktuara në muajt korrik dhe gusht janë të rezervuara nga shqiptarë që jetojnë jashtë, por edhe nga shtetas të huaj. Përgjithësisht kërkohen shërbime, që jashtë nuk i mbulon siguracioni dentar, që janë urat e porcelanit, protezat apo mbjellje dhëmbësh. Këtu i gjejnë shumë më lirë se në shtetet ku ata jetojnë dhe punojnë. Gjithashtu edhe cilësia është e mirë, pasi mbeten shumë të kënaqur nga shërbimi i ofruar”, shpjegon stomatologu. Vasili tregon se në një pjesë të konsiderueshme të rasteve, shtetasit e huaj, kryesisht italianët, që përbëjnë edhe numrin më të lartë të pacientëve, i kryejnë këto shërbime dentare në Shqipëri, ndërsa për faturat që marrin këtu, rimbursohen në vendin e tyre. Sipas stomatologut ka mjaft gjermanë, anglezë, grekë që paraqiten në klinikën e tij dentare gjatë këtyre muajve dhe që kërkojnë të bëjnë rregullim të dhëmbëve. Një ndër pacientet që ka zgjedhur të rregullojë dhëmbët në Shqipëri është edhe Elsa. Ajo është shtetase shqiptare, por që jeton në Angli. “Çmimet e ulëta, por edhe cilësia e mirë bëjnë që përveç pushimeve këtu në Shqipëri, të kryejmë edhe shërbimet dentare të nevojshme”, tregon pacientja. Një tjetër mjek stomatolog, i huaj, por që prej vitesh punon në kryeqytet, Billi Coprnocn, ndër të tjera tregon se ka edhe nga ata shqiptarë, të cilët i kryejnë shërbimet dentare në vendet ku jetojnë, por në klinika jo cilësore. “Në momentin që drejtohen te ne vëmë re se kanë goxha probleme dhe cilësia e shërbimit është e ulët”, tregon ai. Sipas tij, gjatë muajve të verës ka një fluks pacientësh, rreth 40 për qind më shumë se muajt e tjerë. Më tej shton se ka qytetarë amerikanë, serbë, por edhe nga vendet fqinje që vijnë në Shqipëri për këtë qëllim. Ndërsa mjeku stomatolog, Arsen Rroshi tregon se turizmi detar është përhapur në masë 3-4 vitet e fundit. Më tej thekson se më parë ky shërbim bëhej në Kroaci, por pas shtrenjtimit të çmimeve atje, u dyndën drejt Shqipërisë. Përftimet që kanë klinikat dentare gjatë kësaj periudhe janë të konsiderueshme, por ende nuk ka të dhëna zyrtare në lidhje me turizmin dentar në vendin tonë. Për sa u përket çmimeve, në raport me shtetet e huajve në vendin tonë janë rreth 30-50 për qind më të lira. Për shembull nëse në Itali për një mbushje dhëmbi apo dhëmballe, duhet të paguash 250 euro, në Greqi të kërkojnë 180 euro, në Angli 300 paund, në Amerikë 400 dollarë, ndërsa në Shqipëri një dhëmb paguhet mesatarisht 15-35 euro.
/Gazeta Shqip
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.