Flet Z. Frédéric BLANC, drejtor ekzekutiv i Societe Generale Albania
Shohim turizmin si një potencial të madh, por projektet e deritanishme kanë qenë të fragmentarizuara dhe në një shkallë të ulët. Një masterplan për zhvillimin e turizmit do të hapte rrugën drejt një zhvillimi të strukturuar dhe me një shkallë më të gjerë…
Banka Societe Generale Albania ka shënuar ecuri pozitive të aktivitetit përgjatë vitit 2017. Z. Frédéric Blanc, drejtor ekzekutiv i bankës, pohon se ata ndërtojnë një marrëdhënie sa më jetëgjatë me klientët dhe e shohin këtë marrëdhënie si një rrugë të gjatë të bërë së bashku. Tashmë Societe Generale Albania është banka e katërt në termat e portofolit të huasë. Banka synon të hapë degë të reja në mënyrë që të jetë më afër konsumatorëve.
Si do ta vlerësonit ecurinë e bankës gjatë këtij viti?
Ecuria e Societe Generale Albania (SGAL) vijon me një trend pozitiv gjatë 2017-s. Banka vazhdon të tërheqë klientë të mirë dhe cilësorë dhe kjo përmes një shërbimi të shkëlqyer ndaj klientëve, që mbështet gamën e zgjeruar të produkteve dhe shërbimeve tona që shkon në të njëjtin drejtim me nevojat që shfaqin klientët tanë. Ky trend na mundësoi rritjen me një pozicion në treg gjatë 12 muajve të fundit.
Cilat janë disa nga avantazhet apo pikat e forta të bankës që përfaqësoni?
Societe Generale Albania (SGAL) ka konsumatorin në qendër të strategjisë së saj dhe kënaqësia e klientit është prioriteti ynë më i madh. Grupi SG e ka përcaktuar nivelin më të lartë të marrëdhënies me konsumatorin si një nga fushat më strategjike. Edhe kur krijojmë produktet tona, qëllimi është që të jenë të përshtatshme për konsumatorët tanë dhe të përmbushin nevojat e tyre, por edhe të jenë transparente.
Synojmë që të ndërtojmë një marrëdhënie sa më jetëgjatë me klientët tanë dhe e shohim këtë marrëdhënie si një rrugë të gjatë të bërë së bashku. Kemi qenë shumë aktivë viteve të fundit në rritjen e aktivitetit tonë dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe tani, në mënyrë që klientët tanë të shohin tek SGAL një bankë profesionale dhe të besueshme, tek e cila mund të mbështeten në afatgjatë.
Cilat janë projektet e së ardhmes lidhur me Bankën?
Jemi rritur gradualisht dhe në mënyrë të qëndrueshme viteve të fundit dhe tani jemi banka e katërt në termat e portofolit të huasë. Strategjia jonë është të konsolidojmë pozicionin dhe ta bëjmë këtë ndërsa rrisim cilësinë e marrëdhënies sonë me klientët, kushdo qofshin ata, nga individët tek biznesi i vogël, i mesëm apo korporatat e mëdha. Gama e plotë e produkteve dhe shërbimeve, si dhe ekspertiza e stafit tonë, do të jenë faktorë vendimtarë në mbështetjen eficiente të nevojave të klientëve tanë. Po kështu, sikurse ndodhi vitin e kaluar, ne synojmë të hapim degë të reja në mënyrë që të jemi më afër konsumatorëve tanë.
Si e vlerësoni mjedisin ekonomik dhe kushtet e të bërit biznes në Shqipëri? Çfarë sugjerimesh do të bënit për të pasur një klimë biznesi më të mirë?
Mjedisi ekonomik është në përmirësim gradual. Treguesit kryesorë ekonomikë janë në një trend pozitiv. Rritja ekonomike është në ngjitje dhe pritshmëritë janë për një përmirësim më të madh. Por në anën tjetër, informaliteti është sërish i lartë dhe zbatimi i ligjit bashkë me ekzekutimin e kolateralit mbeten ende të dobëta. Ka pasiguri për të ardhmen nga të dyja kahet, si nga bizneset, ashtu edhe nga individët.
Për të përmirësuar mjedisin ekonomik dhe rritjen e kreditimit është e nevojshme që të vazhdojnë reformat në zbatim të ligjit dhe luftën kundër informalitetit. Çdo vendim që synon uljen e pasigurisë dhe/ose që qartëson pritshmëritë do të ishte i mirëpritur nga komuniteti i biznesit.
Cilët janë disa nga sektorët e biznesit që ju do të veçonit si më mirë për t’u financuar dhe çfarë duhet të bëjë qeveria për t’i mbështetur në afatin e shkurtër dhe të gjatë?
Disa nga sektorët më premtues në Shqipëri janë turizmi, energjitë e rinovueshme, agrikultura dhe infrastruktura. Ne kemi financuar te këta sektorë, sepse shohim pritshmëri pozitive për ta. Përmirësmi i ndërlidhjes së Shqipërisë me vendet fqinje do të rrisë më tej tregtinë dhe turizmin.
Po kështu e shohim turizmin si një potencial të madh, por projektet e deritanishme kanë qenë të fragmentarizuara dhe në një shkallë të ulët. Një masterplan për zhvillimin e turizmit do hapte rrugën drejt një zhvillimi të strukturuar dhe me një shkallë më të gjerë.
Sa i përket bujqësisë, jemi një nga bankat kryesore që merr pjesë në programin e qeverisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (Lehtësimi i Mbështetjes së Agrobiznesit në Shqipëri) për të financuar sektorin e agrobiznesit dhe presim që të financojmë një vlerë të konsiderueshme në vitet e ardhshme.
Ekonomia
Mjedisi ekonomik është në përmirësim gradual. Treguesit kryesorë ekonomikë janë në një trend pozitiv. Rritja ekonomike është në ngjitje dhe pritshmëritë janë për një përmirësim më të madh. Por në anën tjetër, informaliteti është sërish i lartë dhe zbatimi i ligjit bashkë me ekzekutimin e kolateralit mbeten ende të dobëta. Ka pasiguri për të ardhmen nga të dyja kahet si nga bizneset, ashtu edhe nga individët
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.