Flet Dr. Skerdilajd Faria, Drejtor i Përgjithshëm në klinikën KEIT
Klinikat shqiptare po afrojnë gjithnjë e më shumë mjekë të huaj, kryesisht italianë për të përballuar fluksin e kërkesave për operacionet plastike. Në favor të tyre është fakti që kanë ushtruar aktivitetin në një vend europian, por edhe që kanë masterizuar ndërhyrjet për shkak të kohës më të gjatë të zhvillimit të kësaj tendence.
Drejtori i Përgjithshëm i klinikës KEIT, Skerdilajd Faria, në një intervistë për “Monitor”, pohon se tregu po konsolidohet gjithnjë e më shumë, por problem mbeten ndërhyrjet që bëhen nga persona të paspecializuar.
Sipas tij, ka një rritje të kërkesës për operacione plastike, duke konfirmuar se rimodelimi i hundës mbetet në krye të listës. Por ka një tendencë të fundit që po rritet dita-ditës dhe që lidhet me fundshpinën, e nxitur padyshim jo vetëm nga dëshira për t’u dukur më bukur, por edhe nga rrjetet sociale. Faria bën me dije se ka një diskutim për të rregulluar këtë treg me një ligj të veçantë, duke ofruar më shumë garanci për pacientët.
Si është tendenca e ndërhyrjeve që po bëjnë sot shqiptarët? Si ka ndryshuar ajo në kërkesa dhe në cilat pjesë të trupit është zhvendosur?
Tendenca e ndërhyrjeve estetike te shqiptarët ka ndryshuar me kalimin e kohës. Ndërhyrja që kërkohej më tepër ishte rimodelimi i hundës, ndërsa rimodelimi i gjoksit ishte një dëshirë e madhe e femrave, por më pak e shprehur. Me kalimin e viteve dhe ndryshimin e mentalitetit, ndërhyrjet estetike nuk ishin më tabu dhe tendenca e kërkesave ndryshoi. Ditët e sotme kërkohet e gjithë gama e ndërhyrjeve estetike, si rimodelimi i barkut, heqja e dhjamit, rimodelimi i vitheve e të tjerë, por gjithsesi vendin e parë të kërkesave e zë rimodelimi i hundës dhe i gjoksit.
Në treg operojnë edhe klinika apo gjysmë qendra estetike që premtojnë ndërhyrje që në shumë raste rezultojnë jashtë pritshmërive të pacientëve. Sa raste keni që ju vizitojnë për korrigjime nga tregu informal apo jo i specializuar?
Ndërhyrjet estetike janë po njësoj serioze si ndërhyrjet e tjera kirurgjikale për shëndetin. Edhe ndërhyrjet estetike mbartin rreziqet e veta. Të ndikuar nga disa faktorë, ekziston edhe mundësia që rezultatet të mos jenë gjithmonë më të mirat e mundshme. Jo gjithnjë duhet vënë në diskutim aftësia e kirurgut. Për fat të keq, në klinikën tonë, ka pasur raste të cilat janë operuar më parë diku tjetër nga kirurgë të tjerë dhe e kanë korrigjuar ndërhyrjen nga kirurgët italianë të klinikës KEIT.
Më shqetësues është fakti ku trajtime në dukje të thjeshta si fryrja e buzëve, apo reduktimi i rrudhave me botox, po bëhen në qendra të paspecializuara dhe nga joprofesionistë. Në këtë mënyrë, shanset për të gabuar në qendra jo të përshtatshme janë më mëdha dhe po ashtu, numri i personave të pakënaqur është më i lartë.
Ju ofroni një seri ndërhyrjesh nga rimodelimi i hundës tek liposculptura apo rimodelimi i vitheve, cili është më i preferuari në gjithë listën dhe sa variojnë çmimet?
Lista e ndërhyrjeve estetike është e gjatë dhe secila ka kategorinë e saj të personave të interesuar. Megjithatë, rimodelimi i hundës është më i kërkuari. Për sa i përket raportit cilësi-çmim, është shumë i favorshëm. E njëjta cilësi shërbimi si në vendet perëndimore, vjen nga kirurgët italianë për shqiptarët dhe jo vetëm, me tarifa të përshtatura sipas tregut tonë.
Nga selfie-t kemi kaluar te belfie, a është rritur kërkesa për rimodelimin e vitheve nën “presionin” e rrjeteve sociale?
Rrjetet sociale, siç e thonë edhe psikologët, po ndikojnë gjithmonë e më shumë në jetën tonë. Më tepër se sa “presion” për rimodelimin e vitheve, është dëshira për t’u dukur më bukur. Pa dyshim që duke u ndikuar edhe nga “trendet” e Instagram-it, vihet re rritje e kërkesës për rimodelimin e vitheve.
Përgjithësisht shqiptarët preferojnë të paguajnë “cash” dhe menjëherë apo zgjedhin pagesën me këste. Si është ky raport në përqindje?
Pagesa me këste nuk është ndër të preferuarat në përgjithësi për shqiptarët. Sa herë munden, ata paguajnë “cash”. Gjithsesi, tek ne gjithmonë po e zgjedhin gjithnjë e më shpesh pagesën me këste për shkak edhe të lehtësive që klinika KEIT mundëson.
Ka një interes edhe nga të huajt për të vizituar klinikën, a është në rritje ky numër dhe nga cilat shtete vijnë kryesisht? A është gjithmonë çmimi arsyeja apo edhe referenca që mund të ketë dhënë dikush për një ndërhyrje që ka kryer më parë tek ju?
Turizmi mjekësor ka filluar të lulëzojë edhe në Shqipëri. Mjaft italianë vijnë në klinikën tonë për të përmirësuar aspektin e tyre fizik, kjo falë cilësisë së shërbimit dhe tarifave të favorshme. Nuk mungojnë as shtetas maqedonas apo të vendeve të tjera që nëpërmjet miqve janë njohur me klinikën KEIT.
Çfarë sfidash ka tregu juaj, a ka kontroll të mjaftueshëm ligjor për ata që operojnë në mënyrë informale dhe që mbi të gjitha përbëjnë kërcënim serioz për shëndetin?
Kirurgjia estetike është një pjesë e rëndësishme e sistemit shëndetësor dhe sigurisht që ka ligje dhe rregulla të caktuara që duhen zbatuar. Së fundi po përflitet edhe për një ligj të posaçëm për kryerjen e trajtimeve estetike dhe produktet që përdoren. Ligjet janë bërë për t’u zbatuar dhe shpresoj që të zbatohen aq sa duhet për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.