Këtë të mërkurë, në orën 06:30, mbërritën me charter në Rinas turistët e parë nga Izraeli. Në dalje të aeroportit, për të pritur rreth 100 turistët e parë, ishte edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
Pas charter-it të parë të drejtpërdrejtë nga Izraeli, javën e ardhshme do të vijë edhe charter-i i parë nga kompania IsrAir, duke çuar në 4 numrin e charter-ave në javë. Ministri Klosi u shpreh se gjatë gjithë sezonit turistik do të ulen në Rinas rreth 300 charter të cilët do të sjellin turistë jo vetëm nga Izraeli por edhe nga vende të tjera kryesisht europiane.
“Kompania IsrAir fillon fluturimet javën tjetër duke e çuar në 4 numrin e charter-ave që vijnë drejtpërsëdrejti nga Izraeli në Rinas dhe po ashtu, gjatë gjithë sezonit turistik pritet që të vijnë rreth 300 charter, të cilët do të sjellin turistë jo vetëm nga Izraeli, Skandinavia, Polonia, Çekia, Lituania por edhe nga Anglia, Gjermania dhe priten edhe surpriza të reja të cilat ne do t’i shpalosim ditë pas dite në sezonin turistik”, tha Klosi.
Pranë pikës “Smile Albania”, turistëve iu sigurua informacion duke shënuar edhe përurimin e së parës pikë informacioni në një nga pikat hyrëse të Shqipërisë, Aeroporti i Rinasit. Ministri Klosi theksoi se ajo, por edhe të tjerat që do të ngrihen në pikat hyrëse, do të mirëpresin gjatë sezonit turistët që do të vijnë në vendin tonë.
“Do të kenë mikpritjen e 1 mijë të rinjve të cilët do t’i informojnë për sa i përket të gjitha pikave turistike të vendit tonë, mundësive që ata kanë për të vizituar Shqipërinë përtej sezonit të plazhit”- tha ministri Klosi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.