Flet Dr. Taulant Bino, President i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare (AOS)
Pa asnjë dyshim, një nga shtyllat ku duhet të mbështetet industria shqiptare e turizmit është ajo e natyrës. Për të mbijetuar ndaj konkurrencës së fortë që i vjen nga fqinjët, e përforcuar edhe nga kriza ekonomike që po zgjat, Shqipërisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të tërheqë me “armët” e saj më të forta, me një produkt unik.
Si ka qenë ecuria e deritanishmee turizmit të natyrës? A ka ndonjë tendencë të re?
Ecuria ka qenë e mirë. Duket se ka një rritje të numrit të vizitorëve në disa Zona të Mbrojtura të vendit dhe për të vrojtuar shpendët. Pas një pune thuajse tre-katërvjeçare në këtë drejtim duket se produkti i “kundrimit të zogjve” po krijon tregun e vet në Shqipëri. Operatorët turistikë po përpiqen ta integrojnë këtë produkt në paketat e ndryshme të ofruara për turistët e huaj.
Cili është raporti i turistëve të huaj me ata shqiptarë?
Tregu i “kundrimit të zogjve” në Shqipëri vazhdon të jetë i kërkuar, kryesisht nga turistët e huaj. Ky përfaqësim lidhet së pari me traditën e aktivitetit të “kundrimit të zogjve” që është mjaft i zhvilluar në Europën Perëndimore dhe Qendrore, por mbetet në fazë embrionale për tregun e brendshëm. Kësisoj origjina e turistëve do të vazhdojë të mbetet e njëjtë edhe për vite të tjera në vazhdim.
Sa ju ka ndihmuar promovimi që të huajt po i bëjnë Shqipërisë?
Në ndryshim nga vitet e shkuara, kur AOS kontaktohej nëpërmjet operatorëve turistikë shqiptarë të njohur në treg, tashmë vërehet tendenca për të kërkuar shërbimin e “kundrimit të zogjve” nëpërmjet kontaktit direkt. Besoj se kjo tendencë është rezultat i informacionit të dhënë në blogje apo artikuj të ndryshëm, ku AOS citohet shpesh si burim informacioni për larminë e shpendëve të egër në Shqipëri, por edhe si një ofrues shërbimesh. Për shembull, një nga produktet tona, ai i kundrimit të zogjve në Liqenin e Shkodrës, po kërkohet nga grupe të pavarura turistësh dhe po përqafohet sot edhe nga operatorët turistikë shqiptarë.
Si pozicionohet Shqipëria në krahasim me rajonin për këtë shërbim?
Rajoni i Ballkanit mbetet i dominuar nga turet e kundrimit të zogjve të zhvilluara prej shumë kohësh në Greqi, Rumani, Bullgari etj. Këto vende kanë përhapje më lindore se Shqipëria dhe për pasojë, ofrojnë mundësinë për të parë disa specie shpendësh që kërkohen më shumë nga tregu. Jo vetëm kaq, por disa prej ekosistemeve të tyre si delta e lumit Evros në Greqi dhe delta e Danubit në Rumani apo Burgas në Bullgari janë të mirënjohura në treg dhe për më tepër, këto ekosisteme natyrore ruhen në mënyrë fanatike dhe janë më tërheqëse për këtë gamë të tregut turistik botëror. Në këtë drejtim, Shqipëria, por edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, kanë ende shumë për të mësuar e për të bërë.
Turizmi i kundrimit të zogjve kërkon ekosisteme natyrore të ruajtura dhe të menaxhuara mirë e në mënyrë të kujdesshme. Ky turizëm është elitar, i qëndrueshëm në kohë dhe fitimprurës për ekonomitë e vogla lokale. Në ndryshim nga turizmi masiv, ka nevojë për ekosisteme të paprekura, ku peizazhi natyror të jetë dominues. Kundrimi i zogjve është i shtrirë në kohë dhe kërkon bujtina të vogla, të pastra, mikpritëse dhe të pasura me ngjyrat lokale. Kërkon infrastrukturë të lehtë dhe në harmoni me natyrën, kërkon natyrën e Divjakës, qetësinë e Nartës, peizazhin e Valbonës, gjelbërimin ujor të Shkodrës dhe mikpritjen e shqiptarit; kërkon guidat lokale dhe njohuritë e tyre në natyrë, trashëgimi historike dhe kulturore.
Nuk kërkon ndërtesa të larta, të mëdha dhe që vezullojnë nga dritat e mbyten nga zhurmat. Nuk kërkon rrugë me katër korsi, trafik, zhurmë dhe pafundësinë e turistëve vetëm në dy muajt e verës. Nuk kërkon hotelet e stërmëdha, apartamentet e shumta që dominojnë bregun.
Për të qenë konkurrues duhet të ruajmë sa më fort traditat tona kulturore dhe historike, të ruajmë natyralitetin e ekosistemeve, të zhvillojmë kapacitetet njerëzore dhe të ofrojmë shërbimet e duhura e të integruara, ku natyra, historia, kultura, kulinaria etj., të jenë një produkt i integruar. Besoj se Shqipëria që ruan këtë integritet të vetin, do të jetë ajo turistike e qëndrueshme dhe e shumëkërkuar nga tregu. Kjo është Shqipëria më e mirë e së ardhmes. Le të heqim dorë nga turizmi masiv. E kemi provuar dhe nuk na ka dhënë kurrë sukses afatgjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.