Flet Luan Dervishej, ekspert i turizmit
Si e vlerësoni gjendjen e turizmit shqiptar në 2015-n? Cilat kanë qenë problemet kryesore?
Në mënyrë që të vlerësojmë zhvillimet e pritshme të turizmit për vitin 2016 duhet t’i hedhim një sy performancës në arritjen e numrit të turistëve dhe ndikimin në ekonomi, si dhe në raport me pritshmëritë dhe konkurrencën, në lidhje me tregje të ndryshme, të destinacioneve të ndryshme brenda vendit, të produkteve kryesore turistike, në lidhje me shërbimet, destinacionet etj.
Për të folur për zhvillimet e një sektori, me gjuhë profesionale, është e nevojshme të bëhet një analizë bazuar në të dhëna të sakta e të plota. Por, të dhënat kyçe, si numri i turistëve i ndarë sipas tregjeve përpunohen më vonë se fundi i vitit ose jo në kohë reale dhe kjo ndikon në dhënien e një panorame të plotë.
Megjithatë, ka disa të dhëna për periudhat deri në muajin shtator për sa u përket mbërritjeve turistike apo ndikimit ekonomik.
Nisur nga kjo analizë, mund të themi se gjatë 2015-s nuk ka pasur surpriza apo zhvillime të spikatura, që mund të veçohen.
Vihet re se trendi i rritjes së numrit të turistëve për këtë vit ka vazhduar, por jo me atë përqindje si në vitet e mëparshme për arsye se tregu kryesor, siç është ai i shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia (për sa i përket numrave të rinj në mbërritje) është drejt maturimit. Pra, nëse kjo pjesë zë ¾ e tregut dhe kur pjesa tjetër ka rritje me më shumë se 15%, atëherë nuk arrin të ndikojë ndjeshëm në përqindjen e totalit.
Në vlerësimin tim, duke lexuar të dhënat e vitit, besoj se rritja e ardhjeve të turistëve në total do të luhatet nga 10-15%. Këtu duhet të kemi parasysh se mesatarja globale vjetore e rritjes në destinacionet turistike është në rreth 4%.
Pra, si destinacion i ri e në rritje gjykoj se ky trend është mesatar. Po kështu, ndikimi ekonomik mund të sjellë një rritje deri në rreth 10% të të ardhurave.
Për sa u përket tregjeve, duke u bazuar jo në shifra konkrete, por nga çfarë raportohet nga operatorët turistikë dhe çfarë është pasqyruar në media, prurjet më të mëdha kanë qenë nga vendet e Europës Lindore, ndërsa turistët nga kontinenti aziatik kanë qenë në nivele më të ulëta. Ndonëse me vlera totale të vogla, tregjet burimore të Shqipërisë në rang vendesh kanë shifra të turistëve të huaj (mbërritje) që variojnë nga 5,000 deri në 100,000 vizitorë në vit. Shpërndarja e tyre mbizotëron më shumë në gjysmën e parë të vitit. Mendoj se sa i përket këtij diapazoni, trendi ka qenë në rritje më të madhe (mesatarisht 10-15%), por kjo normë është vlerësuar edhe në tregjet e Europës Perëndimore.
Për sa u përket produkteve turistike, bregdeti dominohet nga tregu i vendit dhe nga shqiptarët etnikë të vendeve fqinje dhe është mjaft sezonal. Duke qenë se gjatë këtij sezoni patëm edhe zgjedhjet lokale (që ndikojnë dhe në angazhimet e administratës lokale dhe qendrore, me një orientim apo kushtëzim për të bërë pushime vetëm në muajin gusht) patëm vetëm një pik sezoni. Kjo u shoqërua dhe me ndikimin në performancën e ekonomisë në tërësi, por edhe në atë të financave familjare. Si rrjedhim, kostot për pushimet u panë më me konservatorizëm. Tregu i turizmit të bregdetit nuk pati ndonjë rritje të ndjeshme, si në numra dhe në të ardhura.
Për sa u përket të veçantave në lidhje me këtë produkt mund të themi se gjatë sezonit të kaluar u vu re rritje e numrit të vizitorëve ndërkombëtarë, si të organizuar në grupe nga tur operatorët (kryesisht nga vendet e Europës Lindore), si dhe në mënyrë individuale (këta të fundit mbërritën kryesisht në Sarandë nga Korfuzi).
Në lidhje me turizmin e kulturës, i cili dominohet nga ture individuale apo të organizuara të vizitorëve të huaj, perceptimi im nga burime të ndryshme është se ka pasur një rritje që mund të klasifikohet nga mesatare në të mirë. Eksplorimi i Shqipërisë mbetet motivi kryesor i vizitorëve ndërkombëtarë. Ka përmirësim të infrastrukturës së aksesit, ambienteve urbane dhe aksesit në atraksione, si dhe të informacionit, që ndikojnë në rritjen e numrit të pikave që janë të vizitueshme.
Produkti i turizmit të natyrës, përshirë dhe atë të aventurës (ndonëse ka segmentet më të vogla të tregut) në vazhdimësi ka njohur një tendencë me rritje të kënaqshme nga ana e turistëve ndërkombëtarë. Veçanërisht vizitorët e huaj nga vendet gjermanofolëse, Britania, por dhe ato lindore si Çekia dhe Polonia, preferojnë malet e Shqipërisë.
Krijimi i disa kushteve bazë, si: informacioni, oferta akomoduese dhe ushqimi; shtigjet e shënuara në harta dhe në terren kanë rritur frekuentimin në Alpet e Shqipërisë, por dhe të zonave të tjera natyrore, si liqenet apo mjediset rurale.
Risi është shtimi i numrit të destinacioneve dhe rritja e interesit për tregun vendas.
Për sa i përket ofrimit të shërbimeve dhe infrastrukturës, nuk ka zhvillime për t’u theksuar. Në bregdet, ndonëse po bëhen përpjekje të krijohet një infrastrukturë për shërbimet në plazh, me angazhimin e një agjencie të veçantë (këtu mund të theksohet edhe ndikimi që patën zgjedhjet lokale) organizimi i tyre nuk pati përmirësime. Klima e biznesit nuk ka arritur të ndryshohet dhe incetivat (përfshirë dhe uljen e TVSH-së) nuk u realizuan. Ka përmirësime apo ngritje strukturash për monumentet e kulturës dhe zonat e mbrojtura që do të ndikojnë në përmirësimin e atraksioneve.
Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se problemet e turizmit shqiptar vazhdojnë të jenë: niveli i taksave, procedurat e mbledhjes apo kontrollit të tatimeve, infrastruktura që gjithmonë nuk është uniforme apo konsistente (diku ka probleme me dritat, diku me ujin, etj.)
Si do të ndikojë ndarja e re territoriale në shërbimet që do të duhet të ofrojë pushteti lokal në përmirësimin e turizmit?
Ndarja e re territoriale jep më shumë mundësi organizimi apo përqendrimi për të menaxhuar turizmin në nivel destinacioni. Kjo do të thotë se do të duhet të ndërtohen struktura menaxhuese për turizmit në të gjithë bashkitë e reja, ku në mbi gjysmën e të cilave ka atraksione e destinacione turistike.
Por, duke qenë se praktikisht përvojat në këtë drejtim kane qenë të pakta, kërkohet orientim, udhëzime e mbështetje që këto struktura të ngrihen sa më parë.
Deri tani, njësitë e reja janë marrë me mjaft probleme riorganizimi dhe vetëm në fillim të këtij viti do të mund të kenë strukturë të re dhe staf të plotësuar.
Bashkitë duhet të menaxhojnë produktin turistik, si dhe të organizojnë marketingun e njësive të tyre, në harmoni dhe në linjë me prioritete kombëtare e rajonale.
Ato duhet të kenë një platformë bashkëpunimi me sektorin e turizmit dhe të punojnë për përmirësimin e shërbimeve që lidhen me turizmin, si ato publike dhe ato të sektorit privat. Njësitë e reja administrative duhet të punojnë për një klimë të favorshme biznesi, por gjithashtu duhet të ndërtojnë infrastrukturën e destinacionit mikpritës, që fillon me zyrat e informacionit dhe të gjithë elementet e tjerë të shërbimit për vizitorët. Duhet theksuar edhe një herë se në këtë drejtim, Shqipëria është prapa gjithë destinacioneve të tjera.
Miratimi i ligjit, por jo i strategjisë së turizmit, çfarë mesazhesh japin për industrinë?
Për sa i përket legjislacionit, por edhe strategjisë, besoj se duhet të shkojnë në harmoni me njëra–tjetrën, si në përmbajtje dhe në zbatim kohor.
Strategjia është një program me analiza të qarta, vizione dhe plane pune për të gjithë aktorët e turizmit në nivel kombëtar dhe lokal. Legjislacioni përcakton rregulla dhe krijon kushte.
Cili është parashikimi juaj për vitin 2016? Cilat janë sfidat? Po masat emergjente që duhet të merren?
Parashikimet bëhen në bazë të njohjes së mirë të situatës aktuale, trendeve ose asaj që ka ndodhur më parë, ose asaj që është përgatitur. Pra, për dikë që e ka këtë analizë, nuk priten surpriza.
Duke u bazuar në të gjithë këto elemente, besoj se turizmi do të ndjekë trendin e rritjes së vitit të mëparshëm, pa ndonjë surprizë dhe pa ndonjë pritshmëri të madhe apo të veçantë. Ky trend do të ndjekë dhe produktet kryesore që përmendëm më sipër. Problemi themelor që kemi është organizimi i masave, si në nivel strategjik dhe në atë të planifikimit; moszbatimi në kohën e duhur me resurset e nevojshme, në formën e plotë, në koordinim të mirë, si ndërmjet niveleve të qeverisjes dhe ndërmjet sektorëve, me prioritete të bazuara në analiza.
Një kornizë e konsoliduar menaxhimi mund të ndikojë qartë në masat e zbatuara që sjellin përmirësime të dukshme dhe krijojnë rezultate më të mira se trendet e mëparshme. Pikërisht këto janë baza e punës së përshirë në draft-strategjinë e turizmit, ndoshta në hapat e fundit të miratimit të saj.
Duke marrë parasysh riorganizimin territorial, por dhe sfidat organizative në nivel qendror,shuma fusha apo aspekte ekonomike janë nën një “çadër” ministrore, por struktura e turizmit është e kufizuar. Prioritetet në këto aspekte mund të krijojnë premisa me ndikim më të madh në cilësinë e shërbimeve, ndikimi real i të cilave do të ndihet vetëm në vitet në vijim.
Zakonisht përgatitjet e tregut, paketat turistike, paketat fiskale apo incetivat, rezervimet apo përgatitja për shërbime janë bërë deri në fund të vitit. Nëse nuk ka ngjarje të jashtëzakonshme, atëherë rezultati i pritshëm do të jetë ai që do të realizohet në praktikë.
Ne kemi sfida për organizimin e shërbimeve dhe koordinim në nivel lokal që duhet të ofrohen nga bashkitë e reja. Po kështu, kemi traditë që fillojmë përgatitjet për sezonin intensiv me vonesë. Por, këto sjellje duhet të shmangen dhe masat për mbështetjen e turizmit dhe strukturave përgjegjëse duhet të fillojnë që tani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.