Sezoni i turizmit ishte më se i suksesshëm për Europën dhe ende shumë vende pune në këtë sektor janë të vlefshme. Gjatë 8-mujorit u arritën shifra rekord të numrit të turistëve ndërkombëtarë.
Në një kohë kur pjesa më e madhe e vendeve anëtare të Bashkimit Europian vuajnë nga papunësia e lartë dhe nga vështirësitë ekonomike, kur sektori i prodhimit është duke kaluar gjithashtu ditë jo të mira, lajme optimiste vijnë nga turizmi, i cili po jep prova se i është kthyer rritjes së qëndrueshme. Të dhënat e raportuara nga Organizata Botërore e Turizmit për 8-mujorin tregojnë se industria europiane e udhëtimeve shënoi rritjen më të madhe, mesatarisht me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Performancën më të mirë e ka shënuar Europa Qendrore dhe Lindore me rreth 9% rritje të numrit të turistëve ndërkombëtarë. Shifrat janë pozitive edhe për pjesën jugore dhe mesdhetare (6%).
Gjatë 8-mujorit, numri i turistëve ndërkombëtarë arriti në një shifër rekord në rreth 747 milionë në mbarë botën ose rreth 38 milionë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Në pikun e sezonit, gjatë muajve korrik-gusht, rezultatet gjithashtu ishin mbresëlënëse, ku numri i turistëve ndërkombëtarë për të dy muajt së bashku arriti në 125 milionë (në qershor u arrit për herë të parë shifra 100 milionë). Shifrat tregojnë se ndërsa ekonomia botërore është në rritje të ngadaltë, industria e turizmit vazhdon të prodhojë rezultate mbi mesataren në shumë rajone, duke ofruar më shumë mundësi për punësim.
Kjo është veçanërisht e vlefshme për disa vende të Europës, ku papunësia vazhdon të përbëjë një problem dhe ku turizmi gjatë dekadës së fundit ka qenë një nga burimet më të rëndësishme të punësimit.
Përtej vlerës që ka, turizmi krijon sipërmarrje dhe vende pune edhe për sektorë të tjerë, të ardhura më të larta për eksportin e që të gjitha së bashku ndikojnë në përmirësimin e bilancit të pagesave në shumë vende.
Në kërkim të burimeve njerëzore të trajnuara
Për industrinë, më shumë vizitorë nuk do të thotë vetëm më shumë të ardhura, por edhe më shumë vende të reja pune, gjë e cila është më shumë e rëndësishme për vende si Greqia, Spanja dhe Portugalia.
Aktualisht në BE, industria e turizmit punëson rreth 18,8 milionë njerëz, por ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se ka ende mijëra vende të hapura në këtë sektor. Vendet e punës në industrinë e turizmit janë më të rëndësishme, veçanërisht për forcën e re të punës, që përbën rreth 23.5% të normës së papunësisë.
Por, pavarësisht faktit se kompanitë që operojnë në sektorin e turizmit kanë vende të reja pune, ato ndeshen me problemin e mungesës së njerëzve të kualifikuar. Pikërisht për këtë arsye Komisioni Europian së bashku me shërbimin publik të punësimit kanë krijuar EURES, të parin paneuropian portal të lëvizshëm të punësimit. Aktualisht, Komisioni është duke punuar për përmirësime të mëtejshme të seksionit të turizmit të portalit, në mënyrë që të rritet si numri i atyre që kërkojnë punë, por edhe i punonjësve që bashkëveprojnë përmes tij. Për shembull do të krijohen mundësi të reja që kompani të ndryshme të arrijnë të krahasojnë përmes portalit aftësitë e kandidatëve të tyre, kompetencat, aftësitë profesionale, pavarësisht vendit të origjinës dhe gjuhës në të cilën shprehen këto aftësi. Nga ana tjetër, do të krijohen nënseksione për të zhvilluar turizmin e aventurës, atij detar dhe kulturor. Një gjë e tillë do t’i ndihmojë këta sektorë të përmirësojnë ofertën dhe të mbeten konkurrues në treg.
Edhe vjeshta dhe dimri me rritje…
Statistikat më të fundit të prodhuara nga UNWTO, së bashku me të dhënat e Zyrës së Statistikave të Turizmit janë në të njëjtën linjë dhe tregojnë se sezoni vjedhtë-dimër do të mbyllet me tregues pozitivë, duke ndjekur tendencën e viteve përpara krizës. Por, ekspertët parashikojnë se edhe pse për pjesën tjetër të vitit turizmi do të vazhdojë të rritet, ritmi nuk do të jetë më kaq i lartë. UNWTO parashikon që viti 2013 të mbyllet me rritje rreth 4%, pak më lart nga sa ishte parashikuar në fillim të vitit. Gjatë 8-mujorit kërkesa e industrisë ndërkombëtare të turizmit mbeti e lartë dhe përveç Europës mbeti e lartë edhe kërkesa në vendi si Azia dhe Lindja e Mesme.
Pozitiv edhe për pjesën tjetër…
Edhe pjesa tjetër e botës shënoi ritme të kënaqshme të turizmit. Sipas UNWTO-s, destinacionet në mbarë botën llogaritën mbi 500 milionë netqëndrime, rreth 5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ose rreth 25 milionë mbërritje më shumë. Rezultatet ishin pozitive për shumë rajone dhe nënrajone: nga rreth 6% për vendet në zhvillim në 4% për ekonomitë e avancuara, Europa performoi më mirë. Azia dhe Paqësori patën rritje me 6%, ndërsa shumë më mirë ishte ecuria e Azisë Juglindore 12% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ose 10 milionë turistë më shumë.
Amerika (+3%) që pati 4 milionë turistë më shumë, kishte performancë më të dobët. Ndërsa kryesoi Amerika e Veriut me 4%. Për të njëjtën periudhë, industria e turizmit në Afrikë u rrit me 5%, kryesoi pjesa veriore me rritje 6% ose rreth 2 milionë turistë më shumë se janar-gushti 2012. Në Lindjen e Mesme, numri i turistëve ra për herë të parë pas dy vjetësh me 7%.
Rritje edhe për të ardhurat…
Me shumë pak përjashtime, edhe shifrat e të ardhurave nga kjo industri ishin në rritje për 8 muajt e vitit. Nga më shumë se 25 destinacionet më të mëdha të tregut, ato që patën rritje me dy shifra, ishin: Tajlanda (+27%), Hong Kongu (Kina) (+25%), Turqia (+22%), Japonia (+19%), Mbretëria e Bashkuar (+18%), Greqia (+15%), India (+14%), Malajzia (+12%) dhe SHBA-ja (+11%).
Vendet në zhvillim, turistët rrisin shpenzimet…
Vendet në zhvillim vazhdojnë të udhëheqin sa u përket shpenzimeve, industrinë e turizmit. Të gjitha vendet e zonës BRIC, përjashtim bën India, njohën dyfishimin e të ardhurave. Kina llogariti rritje të mrekullueshme të shpenzimeve nga ana e turistëve ndërkombëtarë në 31%, duke u ndjekur nga Federata Ruse (+28%) dhe Brazili (+15%).
Krejt e ndryshme u paraqit panorama në tregje, si Kanadaja ku rritja u llogarit në 4%, Mbretëria e Bashkuar 2%, Franca 2%, SHBA-ja 1%, Gjermania 0%, ndërsa Japonia, Australia dhe Italia patën rënie të të ardhurave të siguruar nga turizmi.
Besimi në rritje…
Industria e turizmit performoi më mirë nga sa pritej në periudhën deri në gusht. Ekspertët e UNWTO-s parashikojnë që kjo tendencë të vazhdojë dhe të mbyllë vitin. Raporti bën të ditur se është rritur disi besimi ndaj destinacioneve dhe biznesit, veçanërisht tek ekonomitë në zhvillim. Për muajt e fundit, paneli shprehet disi optimist për ecurinë e industrisë.
E.B