Turqi, Çavuşoğlu: Presim nga BE-ja liberalizimin e vizave

18/04/2017 10:13 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
Integrimi - BE

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka theksuar se presin nga Bashkimi Europian që të marrin sa më parë liberalizimin e vizave, duke shtuar se në rastin e kundërt, Turqia do të jetë e detyruar të shpërfillë barrën e rëndë që ka marrë përsipër në Detin Egje, raporton Anadolu Agency (AA).

“Anëtarësimi në BE vazhdon të jetë prioritet për ne”, ka thënë Çavuşoğlu, për të theksuar më tej se barrierat politike gjatë procesit të anëtarësimit në BE janë në mesin e faktorëve që i kanë vështirësuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së.

Duke nënvizuar se Turqia dhe BE-ja duhet të bashkëpunojnë në lidhje me krizën e refugjatëve dhe rrezikun që kanoset nga terrorizmi, Çavuşoğlu ka thënë se kohëve të fundit, në Turqi ekziston një humbje besimi që buron nga qëndrimi i BE-së që ka shfaqur kohëve të fundit.

“Në mënyrë që të mënjanohet humbja e besimit, presim që ende të hidhen hapa pozitivë”, ka vlerësuar Çavuşoğlu. Sipas tij, është e mundur që edhe krahas të gjitha vështirësive, marrëdhëniet Turqi-BE të futen në një binar pozitiv.

Në mesin e këtyre hapave, siç ka theksuar Çavuşoğlu, është mënjanimi i çështjeve që kanë bllokuar negociatat, miratimi i liberalizimit të vizave dhe mbajtja e premtimeve të tjera nga BE-ja.

“Presim që sa më parë të kemi liberalizim të vizave”.

Ministri Çavuşoğlu ka vlerësuar se marrëveshja mes Turqisë dhe BE-së e arritur më 18 mars është ende funksionale si rezultat i përpjekjeve të jashtëzakonshme të Turqisë dhe se paraqet një sukses për sa i përket luftës kundër migrimit ilegal.

Ai ka rikujtuar se Turqia ka drejtuar procesin e liberalizimit të vizave që nga vitit 2013 dhe ka plotësuar pothuajse të gjitha kriteret, dhe se e njëjta është konfirmuar edhe në raportin e Komisionit Europian në maj të vitit 2016.

Ndërkaq, ai shtoi se BE-ja nuk është treguar e vullnetshme në çështjen e plotësimit të kritereve të tjera.

“Kemi bërë plan pune për përgatitjet në lidhje me kriteret e ngelura. Këtë plan, i cili do të jetë propozimi i fundit i Turqisë, do t’ia prezantojmë BE-së për plotësimin e procesit të liberalizimit të vizave. Presim që sa më parë të kemi liberalizim të vizave. Nëse BE-ja nuk e ndez dritën jeshile në lidhje me këtë, atëherë do të mbetemi të detyruar ta shpërfillim barrën e rëndë të cilën e kemi marrë përsipër në Detin Egje”, ka thënë ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu. / AA

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz