Që nga 23 marsi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar të aplikojnë tarifa doganore shtesë, konkretisht 25 për qind për hekur-çelikun dhe 10 për qind për aluminin e importuar. Turqia ka kërkuar që të përjashtohet nga rregullimet e reja, por kjo nuk është pranuar.
Si kundërpërgjigje ndaj këtyre masave në fjalë Turqia vendosi për një kundërmasë, e cila do të gjenerojë një barrë tatimore me vlerë 266,5 milionë dollarë për produktet me origjinë amerikane, importi i të cilave sot është në nivelin e rreth 1,8 miliardë dollarëve dhe ku bëhet fjalë për produkte si: qymyr, letër, arra-bajame, duhan, oriz i pazhveshur, automobila, kozmetikë, makineri-pajisje si dhe produkte të petrokimisë.
Që nga sot e tutje këto vendime të Ankarasë zyrtare janë në fuqi.
Në vlerësimin që bëri në lidhje me këtë zhvillim ministri i Ekonomisë, Nihat Zejbekçi tha:
“Me kundërmasat që kemi marrë, që nga dita e sotme ne fillojmë të zbatojmë taksat shtesë në sasi të barabartë me barrën tatimore që është gjeneruar si pasojë e masave që ka nisur të praktikojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj produkteve turke. Masat tona do të zbatohen ndaj produkteve amerikane, që janë përcaktuar si rezultat i punimeve të detajuara. Këto masa, ndërsa mbrojnë interesat kombëtare të Turqisë, njëherësh synojnë edhe krijimin e mundësive për të realizuar bisedime konstruktive ndërmjet dy vendeve”./TRT