Ceremonia e përurimit të gazsjellësit TANAP, pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, i cili do të transportojë përmes Turqinë në Evropë gazin e Azerbajxhanit, do të zhvillohet sot në qytetin e Eskishehirit (Eskişehir).
Kështu do të vihet në funksion pjesa prej 1 mijë 340 km e projektit (TANAP) me gjatësi totale 1 mijë e 850 km.
Në ceremoni do të marrin pjesë Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Alijev dhe Presidenti i Gjeorgjisë Giorgi Margvelashvili raporton media vendase TRT Turkey.
Gazsjellësi (Transanadolian) TANAP ka filluar në fshatin Türkgözü, provinca Posof e Ardahanit në kufirin Turqi-Gjeorgji dhe do të përfundojë në qytezën kufitare Ispala të Edirnesë (në kufi me Greqinë), pasi të ketë lënë prapa 1 mijë e 850 km duke kaluar në 20 prefektura dhe 67 nënprefektura të Turqisë. Pastaj projekti do të vazhdojë me gazsjellësin Transadriatik (TAP), i cili do të kalojë në Ballkan dhe zgjatet deri në Evropë.
TANAP-i do të ketë një kapacitet total vjetor 16 miliardë metra kub gaz, nga të cilat 6 miliardë janë për tregun turk, ndërsa 10 miliardë metra kub do të dërgohen në Evropë.
Në kuadër të projektit u punësuan 13 mijë vetë; 80% e tubave të përdorur për ndërtimin e gazsjellësit u prodhuan nga 6 firma të ndryshme në Turqi dhe për realizimin e projektit (TANAP) u harxhuan 82 milionë orë pune.
Mbikalimi i tubacionit TANAP në Lumin e Sakarya-s është më i gjati i këtij lloji në Evropë, 1 mijë e 100 metra.
Ceremonia e hedhjes së themeleve ishte mbajtur më 17 mars 2015 në qytetin e Karsit, kurse gazi i parë provë në tubacion ishte pompuar më 23 janar 2018.