Angazhimi i Turqisë në drejtim të vendeve të rajonit të Ballkanit lidhet me një rritje të theksuar të eksporteve në këtë rajon, rreth 22% më shumë në pesë muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Asambleja e Eksportuesve Turq (TIM) në sajë të kësaj rritjeje prej 22%, vendi arriti të grumbullojë rreth 4 miliardë dollarë amerikanë.
Disa prej destinacioneve kryesore të eksportit në rajon përfshijnë Shqipërinë, Bosnjën, Bullgarinë, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Rumaninë dhe Serbinë, si dhe vende të tjera të afërta si Sllovakia, Greqia dhe Sllovenia.
“Këto shifra janë rezultat i forcimit të marrëdhënieve politike ndërmjet qeverive dhe i disa marrëveshjeve tregtare midis Turqisë dhe rajonit, që synonin të rrisnin vëllimin e tregtisë, por sipas Gozde Kilic-Yasin, një eksperte e marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Ballkanit në Ankara, shifra të tilla duhet të ishin arritur kohë më parë.
Ajo i cilësoi të habitshme këto shifra, duke marrë në konsideratë mjedisin ekonomik të Turqisë. Gjatë kësaj periudhe, Turqia eksportoi më shumë në Bullgari, duke shitur mallra me vlerë 1.1 miliardë dollarë amerikanë. Më pas u renditën Greqia dhe Sllovenia, me eksporte me vlerë 839 dhe 587 milionë dollarë secila. Ndërsa Serbia bleu mallra turke me vlerë 367 milionë dollarë amerikanë.
Sipas saj, vendet e rajonit të Ballkanit, veçanërisht Serbia, kanë bërë përpjekje të mëdha për të tërhequr investimet turke vitet e fundit. Megjithatë, Gozde Kilic-Yasin shtoi se forcimi i lidhjeve ndërmjet Turqisë dhe Serbisë kishin shqetësuar shumë njerëz në Bosnjën gjysmë-myslimane, ku komuniteti mysliman boshnjak priste më tepër nga Turqia.
“Populli boshnjak po e kritikon këtë situatë. Ata besojnë se investimet turke duhet të ishin më të larta në Bosnjë, duke pasur parasysh marrëdhëniet politike vëllazërore mes këtyre dy vendeve”, tha ajo. Vlera e mallrave që Turqia shiti në Bosnjë, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni ishte 179, 159, 123 dhe 164 milionë dollarë amerikanë për secilën prej tyre. Eksportet në Sllovaki, Kroaci dhe Mal të Zi ia shtuan Turqisë fitimet me përkatësisht 211, 190 dhe 27 miliardë dollarë.
Rritjen më të madhe, eksportet turke e shënuan në Kroaci, rreth 47%. Eksportet në Bosnjë, Serbi dhe Sllovaki u rritën me 36 dhe 37% secili. Eksportet në Bullgari u rritën me vetëm 3.7%. Megjithatë, edhe kjo rritje e vogël është e rëndësishme, pasi vëllimi i përgjithshëm i tregtisë Bullgari-Turqi është shumë më përpara se vende të tjera në rajon.
Sipas ekspertëve, eksportet e Turqisë në Ballkan u rritën me shpejtësi, për shkak të angazhimit politik dhe strategjisë ekonomike në rajon, por edhe rënies së lirës turke, gjë që i bëri produktet turke më të lira për t’u blerë.
“Kjo situatë i nxiti bizneset turke të eksportojnë, sepse prodhimet turke tani janë më të lira dhe Ballkani është vendi më i mirë për ta, për shkak të marrëdhënieve politike ekzistuese dhe lehtësimit të tregtisë, si dhe kostos së ulët të logjistikës. Sipas znj. Kilic-Yasin, bizneset turke shohin një mundësi të madhe zhvillimi në këtë rajon.
Ndër qytetet që eksportojnë më shumë në Ballkan, ne mund të përmendim, Stambollin, Manisën, Izmirin dhe Kocaelin, të cilët janë edhe qytetet e shumë qytetarëve turq me prejardhje ballkanike, paraardhësit e të cilëve janë larguar nga vendet e Ballkanit, theksoi ajo.
Turqia po shndërrohet në një aktor gjithnjë e më të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit dhe në aktivitetet e politikës së jashtme, projektet socio-kulturore, mediatike, duke mos lënë pa përmendur edhe rritjen që kanë shënuar investimet ekonomike. Megjithatë, fuqia ekonomike turke mbetet larg asaj të lojtarëve të tjerë të rëndësishëm në rajon.