Presidenti Vladimir Putin do të vizitojë Ankaranë javën e ardhshme për të takuar homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan teksa të dy palët po tregojnë shenja etje për të lënë mënjanë disa nga divergjencat e tyre politike dhe të përqëndrohen në përforcimin e lidhjeve ekonomike.
Rusia po përballet me vështirësi ekonomike teksa SHBA dhe Evropa po e ndëshkojnë Moskën mbi politikat e saj në lidhje më Krimenë dhe Ukrainën. Sanksionet ekonomike të zbatuara kundër Rusisë thuhet se po japin efektet e tyre teksa Putin po kërkon shtigje të reja për të lehtësuar barrën.
Vizita e tij në Turqi është jetike dhe pritet të hapë shtigje të reja mes Moskës dhe Ankarasë, të cilat nuk do të priten dhe aq mirë në Perëndim.
Turqia po humbet tregje të rëndësishme eksporti në Lindjen e Mesme falë politikave të SHBA dhe partnerëve të saj të koalicionit në Irak dhe, veçanërisht, në Siri. Tregu evropian gjithashtu po tkurret për Turqinë teksa BE-ja po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike.