Kosova dhe Turqia mendojnë të thellojnë partneritin mes tyre edhe në fushën e bujqësisë, në mënyrë që të ketë mbështetje direkte edhe më të madhe për fermerët ekzistues, por edhe për ata që dëshirojnë të merren me veprimtari bujqësore.
Për këtë sot Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka takuar koordinatorin e Agjencisë Turke për Rindërtim dhe Zhvillim – TIKA, Eyup Umutlu.
Ministri Krasniqi e falënderoi atë për mbështetjen që TIKA i ka dhënë shumë projekteve në Kosovë, në sektorë të ndryshëm. Ai e informoi Umutlu për prioritetet e ministrisë për këtë mandat, duke theksuar se do të ketë një mbështetje më të madhe dhe direkte për fermerët e në veçanti për projekte zhvillimore dhe që gjenerojnë vende të reja të punës. Në këtë drejtim ai shprehi interesimin që bashkë me TIKA-n të diskutojnë për projekte të ndryshme. Ai shtoi se në fushën e bujqësisë Kosova mund të mësojë shumë nga Turqia, në veçanti në prodhim dhe përpunim.
Nga ana e tij, koordinatori Eyup Umutlu ka falënderuar ministrin për bashkëpunimin e ofruar në të kaluarën dhe për qasjen mjaft konkrete në bashkëpunim. Ai tha se TIKA është shumë e interesuar që të rrisë mbështetjen në bujqësi, qoftë në përkrahje direkte për fermerët, apo edhe në aspekte që lidhen me ngritjen e kapaciteteve dhe edukimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.