Kompania bujqësore-ushqimore turke “Mac grup” do të investojë tre milionë euro në ndërtimin e fabrikës në Komunën Ilinden. Toka për ndërtimin e fabrikës tashmë është blerë, ndërsa në të ardhmen planifikojnë investime edhe në qendra blerëse edhe në bujqësi.
Vendimin për investimin në Maqedoni e bëri me dije drejori i “Mac grup”, Ataj Mac gjatë forumit të biznesit në Ankara, në të cilin delegacioni i Maqedonisë, i kryesuar nga kryeminsitri Nikolla Gruevski prezantoi avantazhet për investime në Maqedoni.
Investuesi turk deklaroi se kanë parë kushtet për të investuar në dy vite dhe se kanë arritur në përfundimin se Maqedonia është vendi më i mirë për investime në rajon.
“Kemi fabrika dhe kapacitete në Turqi dhe mendojmë për zgjerimin e biznesit tonë në Evropë dhe duke hulumtuar në disa shtete, erdhëm në përfundim se Maqedonia është më adekuatja. Shohim potencial të madh në Maqedoni”, deklaroi Mac.