Përparim Tushaj, administrator në ConsultingALB, thotë se ka pengesa reale dhe pengesa artificiale, burokratike që normalisht e frenojnë rritjen e shkëmbimeve me ritmet e duhura. Fatkeqësisht bizneset nga Kosova nuk kanë rezultuar të suksesshme në Shqipëri, duke këshilluar se Shqipëria si treg më i madh duhet të bëjë shumë më tepër për të ndihmuar dhe për të lehtësuar bizneset nga Kosova. Ai tha se krijimi i tregut të përbashkët duhet të jetë në fokus të politikës. Shembulli më pozitiv është industria e muzikës që funksionon si një e vetme, shembull që duhet nga të gjitha linjat e tjera të tregut – tha Tushaj.
Si e vlerësoni bashkëpunimin real ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në raport me angazhimet teorike?
Shqipëria dhe Kosova kanë kaluar një periudhë shumë të errët bashkëpunimi nga viti 1948 deri në vitin 1999, kur në njëfarë mënyre, kufijtë u hapën në aspektin politik. Në aspektin ekonomik, mundësia e bashkëpunimit praktikisht fillon pas ndërtimit të rrugës Durrës-Prishtinë, pra më pak se 10 vjet. Duke pasur parasysh periudhën e ndarjes, që ka çuar në ndryshime të forta në mentalitet dhe në llojet e produkteve e shërbimeve, mendoj që shkëmbimet në fushën ekonomike kanë ecur me ritme të mira, por shumë larg kapaciteteve të tyre.
Çfarë pengesash evidentohen në këtë bashkëpunim dhe çfarë duhet të përmirësohet?
Ka pengesa reale dhe pengesa artificiale, burokratike, që normalisht e frenojnë rritjen e shkëmbimeve me ritmet e duhura. Sa u takon pengesave reale, mendoj që duhet të krijohet një grup pune i përbashkët që të analizojnë ekonomitë e të dy vendeve, mundësitë, kapacitetet, kompaktibilitetin dhe të dalin me një propozim konkret për të dy qeveritë për drejtimet strategjike për vitet e ardhshme.
Kurse tek faktorët artificialë, bizneset në anketa, takime apo biseda të përditshme përmendin më shpesh: burokracitë e administratës doganore (sidomos e Shqipërisë), mosnjohjen e produkteve respektive, ndërgjegjësimin e bizneseve për mundësitë që kanë për të investuar, mbështetja shumë e vogël nga qeveritë respektive, burokracitë për leje pune, qëndrimi etj.
Bizneset janë gjithnjë shumë para qeverive në zhvillimin e tyre. Prandaj ata i kanë gati edhe rekomandimet për të ecur para. Disa nga rekomandimet janë: Lehtësimi i taksave, tatimeve dhe burokracive të tjera administrative, ndërhyrjet në legjislacionet përkatëse për të lehtësuar marrëdhëniet/investimet dypalëshe me një përshtatje si ato të BE-së, orientimi i investimeve në projekte me interes të përbashkët me qëllim që investimet të bëhen për një treg 5-6 milionë, të përgatiten strategji të qarta e të dakorduara me komunitetet e biznesit, qarkullimi i lirë i fuqisë punëtore në vendet respektive sipas shembullit të BE-së, etj.
Sa të lehtë e ka bashkëpunimin me Shqipërinë një biznes në Kosovë në raport me vendet e tjera të rajonit?
Fatkeqësisht, bizneset nga Kosova nuk kanë rezultuar të suksesshëm në Shqipëri. Për këtë, pjesa më e madhe e tyre kanë ndryshuar formën e organizimit, duke krijuar bashkëpunim me kompani të Shqipërisë për të shitur produktet e tyre. Një shembull pozitiv mund të përmendim hyrjen në tregun e Shqipërisë të birrës “Peja”. E kjo vlen edhe për mundësitë e investimeve nga bashkatdhetarët nga Kosova, që nuk janë gjithnjë të mirëpritura e aq më pak të inkurajuara.
Çfarë të metash ka Kosova dhe çfarë Shqipëria, në drejtim të këtij bashkëpunimi?
Mendoj që deri diku të metat janë të dyanshme, por gjithsesi Shqipëria si treg më i madh, duhet të bëjë shumë më tepër për të ndihmuar dhe për të lehtësuar bizneset nga Kosova. Mendoj që synimi final duhet të jetë që një biznes i regjistruar në Tiranë (Shqipëri) të njihet dhe në Prishtinë (Kosovë) siç e përmenda më lart sipas modelit të BE-së.
A duhet të unifikohen politikat për një treg të përbashkët dhe në këtë kuadër a duhet të përputhen politikat e taksave, arsimit dhe zhvillimit etj.?
Ekonomia, bizneset kanë në themel të tyre eficencën. Aktualisht kemi dy tregje me afërsisht 3 milionë, njëri, dhe 2 milionë tjetri, që nuk janë mjaftueshëm atraktivë për investime. Ama një treg prej 5 milionsh ka tjetër mundësi për investitorët. Kuptohet që në kushtet aktuale nuk ka mundësi bashkimi në një shtet, por ama gjithnjë janë mundësitë për krijimin e një njësie ekonomike. Shembulli më pozitiv është industria e muzikës që funksionon si një e vetme. Absolutisht, formimi i brezave të rinj, zhvillimi i tyre duhet të unifikohen, kjo krijon bazë të fuqishme për afrimin gjithnjë e më shumë të bizneseve në vitet në vazhdim.
Një treg 5 milionë shumëfishon interesin e investitorëve të huaj e për më tepër do të rriste shumë interesin edhe të investitorëve nga të dy vendet.
Si përfundim, unë jam pjesë e njerëzve optimistë, mendoj që me pak përkushtim nga të gjithë neve e sidomos nga vendimmarrësit në të dy anët e kufirit, bashkëpunimi do të vazhdojë të rritet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.