Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është burimi më i rëndësishëm i të ardhurave në buxhetin e shtetit. Nga TVSH gjatë vitit 2013 janë mbledhur gjithsej për 12-mujorin 111.9 miliardë lekë ose -3.9 përqind më pak se një vit më parë. Për tremujorin e fundit të vitit 2013, nga TVSH janë mbledhur 32.8 miliardë lekë, 2.4 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë ose 8 për qind më shumë, sipas burimeve nga Ministria e Financave.
Të ardhurat e mbledhura mbi TVSH mbi furnizimet e brendshme janë 24 miliardë lekë, me rënie vjetore prej -3.3 për qind dhe realizim të planit në nivelin 105 për qind. Rimbursimi i TVSH-së për periudhën 12-mujore nga tatimet dhe doganat arriti në 7.4 miliardë lekë.
Të ardhurat nga TVSH sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë për vitin 2013
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
Siç tregohet në Grafiku, peshën më të madhe në pagesën e TVSH-së e ka patur sektori i shërbimeve, ndjekur nga sektori i prodhimit. Vihet re zvogëlimi i rëndësisë së sektorit të ndërtimit dhe prodhimit si kontribues i TVSH-së dhe rritja e ndjeshme e peshës së shërbimeve në totalin e TVSH-së, në linjë me ecurinë e aktivitetit ekonomik në vend. Sektorët që kanë pësuar rënie të pagesave të TVSH-së krahasuar me një vit më parë janë: prodhim energjie, prodhim nafte, ndërtim objekti, tregtim karburanti dhe prodhim, duke përmendur ato me më tepër peshë. Në sektorët që janë me pagesë më të lartë të TVSH-së se një vit më parë spikasin grupet “Shërbime” dhe “Telekomunikacion”. Përsa i takon sektorit të shërbimit të telefonisë lëvizëse, mobile dhe fikse, hyrja në treg e operatorit të tretë dhe të katërt të telefonisë lëvizëse, Eagle Mobile dhe Plus Comunication, të cilat janë në fazën e investimeve, duke prodhuar një tepricë të konsiderueshme kreditore në TVSH, ka ndikuar nivelin e të ardhurave të mbledhura nga TVSH; Për sektorin e ndërtimit, ndikim në rënien e të ardhurave tatimore për TVSH-në kanë patur pagesat në importe të makinerive nga shoqëritë e ndërtimit për sipërmarrjet e tyre.
Pjesa më e madhe e TVSH që derdhet në Buxhet mblidhet nga mallrat e importuara, veçanërisht mallrat e konsumit, pasi një pjesë e mallrave kapitale janë të përjashtuara, bazuar në ndryshimet ligjore të fundit të vitit 2012[1]. Të ardhurat e mbledhura nga TVSH mbi importet ishin mbi nivelin e pritshëm, 88 miliardë lekë TVSH nga 86.3 miliardë të planifikuara; ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ato rezultojnë të jenë -3.8 miliardë lekë më pak ose -4.1 për qind. Të ardhurat nga TVSH në doganë ndikohen direkt nga vlera e importeve (volumet e importuara, çmimet në import dhe kursi i këmbimit). Nga statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, importet e periudhës janar-dhjetor 2013 rezultojnë me rënie vjetore prej 4.3 për qind (specifikisht importi i taksuar me 5 për qind), ndërsa importet nën regjimin e përpunimit aktiv rezultojnë me rritje 11 për qind mbi baza vjetore. Për vitin 2013, TVSH e përjashtuar nga importi i makineri-pajisje arriti në rreth 1 miliardë lekë, ndërsa për hekurin dhe çimenton shifra e përjashtimit ishte rreth 120 milionë lekë.
___________________________________________________
[1]Ligj nr.125/2012 datë 20.12.2012 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 7928, datë 27.4.1995 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”;
VKM nr 180 datë 13.2.2013 “Për përcaktimin e listës së makinerive e të pajisjeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin dhe të procedurave të përjashtimeve e të kritereve përkatëse”, i ndryshuar
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.