TVSH-ja 6% në turizëm, qeveria gati udhëzimin; Ja si do zbatohet

19/05/2017 10:01 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Qeveria është duke i dhënë dorën e fundit udhëzimit për zbatimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar 6% në sektorin e akomodimit, i cili u miratua pak kohë më parë. Mësohet se Ministria e Financave është duke marrë në konsideratë përvojat e vendeve të tjera për mënyrën sesi duhet të zbatohet kjo incentivë dhe me gjasë do të jetë gati në fillim të muajit qershor.

Në një kohë kur jemi në kushtet kur një sipërmarrje nuk regjistrohet vetëm ekskluzivisht si njësi akomoduese dhe çështja tjetër sesi do të taksohet kur në çmimin e fjetjes përfshihet edhe ushqimi.

Drejtuesi i sektorit të akomodimit pranë Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA),  Zak Topuzi thotë se sektori i akomodimit ka problemin e ndarjes nga bizneset e tjera kur regjistrohet fillimisht pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Sipas tij, qeveria po konsultohet me biznesin për të parë mundësinë që çdo njësi akomoduese të trajtohet si një subjekt i veçantë me NIPT të dedikuar dhe të mos ketë të përfshira veprimtari të tjera, si në ndërtim, tregti etj. Miratimi i udhëzimit pritet të zgjidhë këtë ngërç që në fakt është një kërkesë e hershme dhe e përsëritur e shoqatave të turizmit.

Një tjetër pikë që pritet të gjejë zgjidhje me anë të këtij udhëzimi do të jetë edhe ai se mbi ç’bazë do të taksohen njësitë akomoduese. Mësohet se kjo do të realizohet mbi vlerën e akomodimit. Shoqatat kanë propozuar që njësitë e tipit B&B, pra ato që kanë të përfshirë edhe mëngjesin të taksohen me 6%.

Ulja e TVSH-së pritet të sjellë dy përfitime kryesore, sipas sektorit të akomodimit në vend:

Së pari, e fut sektorin e akomodimit, por edhe të turizmit shqiptar në të njëjtin sistem fiskal me vendet e rajonit dhe shumicën e vendeve evropiane; dhe së dyti, është një masë që do të stimulojë më shumë formalizimin e tregut.

Nga ana tjetër, bizneset kanë mundësi që të ardhurat që kursejnë nga ulja e kësaj takse, t’i investojnë në trajnime për stafin e tyre, në investime, si dhe në një mundësi më shumë për të ofruar edhe çmime më konkurruese. Formalizimi ka edhe aspekte të tjera pozitive, sepse do të kemi statistika më të sakta, njohje dhe kontroll të tregut, planifikime më të mira, si dhe bazë më të ndershme konkurrueshmërie.

Nga zbatimi i këtij incentive, shteti pritet të humbasë rreth 1.1 miliardë lekë.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz