Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një takim me biznesin e vogël deklaroi se të paktën 60-65 mijë biznese do të mbeten të përjashtuar nga nisma e deklarimit të TVSH-së. Logjika e këtij vendimi, sipas ministrit, është e thjeshtë. Ata që jetojnë me prodhimet e tyre dhe nuk janë pjesë e një zinxhiri më të gjatë tregtimi nga prodhuesi tek konsumatori final nuk do deklarojnë.
Kush përjashtohet
“Tani në diskutimin që kemi pasur me kryeministrin dhe stafet ne jemi shumë të qartë që biznesi i vogël i disa kategorive të veçanta dhe këtu i referohem zejtarisë, taksistit, fermerit, do të jenë të përjashtuar nga TVSH, ambulantët në tregjet e bashkive gjithashtu. Pra ai që shet fruta-perime në Lushnjë, Divjakë, Fier nuk është pjesë e detyrimit.
Jo, këtë pjesë të sipërmarrjes që jeton me punën e vet nuk do jetë në TVSH, por detyrimin e ka ajo pjesë e biznesit që është pjesë e transaksioneve që rrjedhin nga biznesi i madh dhe që blejnë në zinxhir. Biznesi i vogël me një numër 60-65 mijë do mbetet i përjashtuar jashtë skemës së deklarimit të detyrueshëm të TVSH” tha Ahmetaj.
Antiinformaliteti
“Logjika jonë për të shtrirë TVSH nga zero ka qenë antiinformaliteti. Ne e kemi këtë problem me pragun dhe kjo bën që bizneset të mos marrin faturën. Buxheti i shtetit duhet të marrë atë që i takon, pastaj përmes instrumenteve social, investimeve në rrugë apo spitale, ujësjellës apo mbështetjes me ndihmë ekonomike apo siç është me pensionistet me subvencion për energjinë dhe ilaçet, këto janë instrumentet me të cilat ndihmon shteti.
Jo justifikimi se janë të vegjël. Ndesheni me konkurrencë të pandershme” tha Ahmetaj. Sipas tij kjo lëvizje nuk do të ketë impakt në rritjen e çmimit.
Biznesi “i lumtur” për taksat
Në takimin me ministrin e Financave ishin të pranishëm të paktën 100 biznese të vogla që ushtronin aktivitet në disa fusha. Por në kushtet kur për çdo taksë duhet të ketë edhe një reagim në mos agresiv, disi skeptik ajo që u vu re në diskutime ishte se biznesi prezent ishte i lumtur për shtrirjen e TVSH-së nga niveli zero i qarkullimit.
Ky qëndrim është krejt e kundërta e asaj që biznesi i vogël edhe përmes organizmave përfaqësues ka shprehur ditëve të fundit në dalje publike. Ironia arriti deri aty sa vetë biznesi të propozonte taksa të reja që qeveria as i kishte në mendje siç ishte vendosja e një tatimfitimi modest prej 1 për qind për biznesin nga zero deri në 10 milionë lekë.
Mbi të gjitha biznesi mbrojti me zell faktin që nuk do të ketë rritje çmimi, që formalizimi dhe antiinformaliteti janë zgjidhja e situatës së tyre dhe më tutje edhe për faktin që shteti s’duhet të merret si armik.
Mes gjithë kësaj harmonie biznes-qeveri vetëm njëri prej përfaqësuesve ngiti shqetësim që lidhej me masën e TVSH-së duke shprehur se do të ketë rritje çmimesh dhe se inspektorët e tatimeve duhet të sillen më mirë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
masa qe kerkoni te aplikoni eshte shume me vend nuk jane te pakta ato biznese qe hiqen dhe qahen si biznese te vogla, por nga ana tjeetr kane fitimi shume me te medha se sa tregojne dhe ky eshte lloj marifeti qe kush e di sa “biznese te vogla” e perdorin per ti shertuar detyrimeve kjo gje duhet te evidentohet dhe ndalohet por po su morren masa ska se si zbulohet me llafe e me mllef nuk zgjidhet gje prandaj vazhdoni punen se jeni ne rruge te mbare
Nje konstatim doja te beja!
Konsumatori e paguan Tvsh kur merr mallin apo sherbimin, deri tani nje pjese e bizneseve e kane mbajtur per vete dhe nuk e kane derdhur ne shtet. Lufta ndaj informalitetit duhet perqendruar tek ato biznese qe jane te vegjel ne letra, por ne te vertet jane me xhiro qe e kalon shumefish 5 milion ne vit!!!