Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk është dakord me vendimin e qeverisë për të futur biznesin e vogël në skemën e TVSH-së.
Top Channel ka mësuar se gjatë diskutimeve me qeverinë, misioni i FMN-së ka shprehur rezerva për këtë nismë, duke dhënë dhe argumentet përse.
FMN mendon se shtrirja e TVSH-së mbi biznesin e vogël mund të krijojë probleme me administrimin, duke rritur kostot për Tatimet dhe duke mos sjellë të ardhurat që pretendohen për buxhetin e shtetit.
Përfshirja e 70 mijë bizneseve të vogla në TVSH nënkupton se administrata fiskale do të duhet të përpunojë rreth 100 mijë deklarata shtesë TVSH-je të paktën një herë në tre muaj.
Paralelisht, inspektorët e Tatimeve do të duhet të kontrollojnë me mijëra kërkesa për rimbursim nga biznesi i vogël, çka mund të vështirësojë më shumë punën e administratës.
Skeptizicmi i FMN për futjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së është i hershëm, pasi kjo nuk është hera e parë që në Shqipëri diskutohet një nismë e tillë.
Por sa herë që qeveritë kanë tentuar ta vënë në jetë atë janë përballur me kundërshtimin e Fondit. Madje, ky është një qëndrim që FMN nuk e mban vetëm në Shqipëri, por edhe në ekonomitë e tjera.
Në dokumentat zyrtare të publikuara nga Departamenti i çështjeve fiskale të FMN rekomandohet që pragu i TVSH-së të mos jetë asnjëherë zero, por biznesi i vogël të mbetet i përjashtuar deri në një kufi xhiroje, i cili varion nga njëri vend në tjetrin.
/ Top Channel
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.