Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar sot gjatë një konference për shtyp hapat që do të ndjekë biznesi i vogël që ka hyrë në TVSH për deklarimet. Drejtorja, Vasili Vjero, tha se sot përfundon afati i fundit ku të gjithë tatimpaguesit do të dorëzojnë librat e shitjes dhe të blerjes.
Ndërsa për sa i përket deklaratës së thjeshtuar të TVSh, afati i fundit është data 14 korrik, por duke qenë se është fundjave, shtyhet për të hënën, datë 16 korrik.
“Deri në këto momente janë 11,700 tatimpagues të cilët duhet të plotësojnë deklaratën e TVSH. Nga 11,700 janë rreth 60% e tyre të plotësuara nga të gjithë tatimpaguesit me fashën 2-5 mln lekë. Afati i fundit është data 14, pra ka ende kohe për tatimpaguesit dhe mund të përmbushin këtë deklarim. Shohim një rritje të tatimpaguesve, ne iu bëjmë thirrje të shfrytëzojnë ditët e mbetura dhe infrastrukturën që është vendosur në dispozicion. Kemi bërë 3000 vizita në terren në funksion të informimit.
Vjero shtoi gjatë komunikimit se tatimpagues qe nuk kryejnë në kohë deklarimin për këtë ka një penalitet për çdo deklaratë të padorëzuar e cila është 5 mijë lekë. Ndërsa për ata që që e plotësojnë deklaratën me gabime nuk do të ketë penalitete.
Nga 1 prilli, ka hyrë në zbatim, vendimi për uljen e pragut të qarkullimit vjetor mbi të cilin llogaritet TVSH-ja nga 5 në 2 milionë lekë.
Sipas të dhënave zyrtare të tatimeve nga 1 prilli kanë hyrë automatikisht në skemën e TVSH-së 11,700 subjekte, të cilët janë identifikuar nga transmetimet ditore të qarkullimit të realizuar me pajisje fiskale gjatë vitit të kaluar; si dhe nga të dhënat e vetëdeklaruara në deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të vitit 2017. Ndërsa rreth 60 mijë të tjera janë jashtë skemës së TVSH-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.