Pas vendimit të bërë publik ditën e djeshme nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të subvencionuar fermerët me 10 lekë për litër të qumështit, Albania Food Industry ka përshëndetur këtë vendim. Lexo edhe (http://www.monitor.al/terhiqet-qeveria-per-qumeshtin-subvencionon-fermeret-me-10-leke-per-liter/)
“Pas katër muajsh përpjekjeje, MBZHR ofroi një zgjidhje të përkohshme dhe vetëm për sektorin e qumështit, të problematikës që u krijua pas ndryshimit të vlerës së kompensimit të TVSH-së për produktet primare bujqësore nga 20% ne 6 %. Problemi qëndron i njëjtë, ndonëse nuk është shfaqur ende me ashpërsi, për sektorët e tjerë, si mishi, fruta – perimet, vreshtaria, ulliri,- tha Alban Zusi”,- kryetar i AFI.
Ai shtoi se kjo masë, e cila korrigjon përkohësisht dhe vetëm një segment të prodhimit bujqësor, do të ketë ndikim pozitiv në formalizimin e këtij nënsektori.
Zusi shtroi edhe problematikën e ndryshimeve të vazhdueshme të politikave fiskale të qeverisë, e cila ndikon te planifikimi i bizneseve në vend.
“Procesi i lobimit i filluar me qeverinë nga AFI më anëtarët e tij, perfaqësues nga nënsektorë të bujqësisë, do të vazhdojë për të realizuar një plaftormë të qëndrueshme, të përbashkët me qeverinë, për të mos tronditur vit pas viti sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Është e papranueshme që fermerët dhe sipërmarësit e industrisë së ushqimit të duhet të rishikojnë planet e biznesit në çdo vit fiskal,”- shtoi ai.
“Politikat për zhvillim të qëndrueshëm duhet të mbështeten në dy shtylla të rëndësishme të ndara qartazi nga njëra-tjetra; parimet e fiskalitetit, dhe standnardet e nxitjes së zhvillimit të sektorit. Vendimmarrja e propozuar përzien problemet fiskale me ato të nxitjes”, – përfundoi Zusi.
Fermerë, grumbullues dhe përpunues kanë organizuar një seri protestash kundër ndryshimit të skemës së kompesimit të TVSH-së për fermerin nga 20% në 6%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.