Veçanërisht për shqiptarët, e diela ishte një ditë e madhe për të gjithë. Shqiptarja më e njohur e të gjitha kohëve në të gjithë botën, Nënë Tereza e Kalkutës, u shenjtërua nga Vatikani në Sheshin Shën Pjetër, në Romë. Ajo ishte ceremonia më madhështore e 20 viteve të fundit. Nuk kishte moment më të mirë për të lartësuar kaq shumë një komb sesa t’i njohësh ADN-së së tij kromozomin e shenjtërimit, aftësinë për të lindur njerëz kaq të mëdhenj sa Nënë Tereza. Edhe ata, që nuk e dinë, e morën vesh që Nënë Tereza ishte shqiptare. Ajo vetë nuk e ka mohuar një gjë të tillë, ndonëse prej dekadash neve na u mohua njohja më këtë shenjt.
Shenjtorja Tereza tregoi se varfëria nuk është frikë e as turp, e as status. Ajo na tregoi se me varfërinë nuk mund të manipulosh, as veset e as krimet, megjithëse sot, ne shqiptarët, fshihemi shpesh pas saj. Me varfërinë justifikojmë vjedhjen, me varfërinë justifikojmë veset, me varfërinë korrupsionin, me varfërinë paditurinë, me varfërinë izolimin, me varfërinë keqtrajtimin. Jo, me varfërinë nuk luhet, po vetëm dhurohet dashuri, mundim dhe punë, pa kurrfarë shpërblese.
Askush nuk i kapërcente dot limitet e mendjes, sa për parashikuar deri aty që nga një kasolle e vogël në Indi, pranë Tempullit të Kalit, afër vdekjes, një femër truppakët do të demonstronte kaq shumë vullnet e vetëmohim sa ta ndiqnin pas sot mijëra vullnetarë në të gjithë botën. Njerëzit i kujtonin vitet e saj të para pranë trupave të vdekur, për t’i nderuar ata, deri në banesën e fundit. Askush nuk do ta bënte, as ajo – thoshte, po vetëmohimi dhe respekti për racën njerëzore ishte shpirti i Nënë Terezës. Ky ka qenë edhe shpirti i shqiptarëve, të fortë e vetëmohues, njerëz të sakrificës. Ne ngjajmë kaq shumë me Nënë Terezën, por nuk kemi mundur të rritemi në rrugën e saj.
Ne shqiptarët, sot jemi si mëkatari në shtëpinë e Zotit. I përulemi Nënë Terezës dhe shenjtërisë së saj, e nderojmë atë. Duam prej saj të identifikohemi. Por sot, parcelat e kanabisit kanë mbushur vendin. Kudo tymi i hashashit të djegur nga policia ka mbuluar qiellin shqiptar prej atij qielli nga i cili kërkojmë të na shikojë e kujdeset Nënë Tereza. Dhe e bëjmë këtë, sepse ne justifikohemi, jemi të varfër, ndaj s’kemi rrugë tjetër. Ndaj kështu i kemi dhënë një dorë udhëheqësve tanë të kenë alibi sepse qeverisin keq.
Jemi të varfër, ndaj dhe qeveritë tona nuk mund t’i zgjidhin shpejt të gjitha hallet tona. Jemi të varfër, ndaj krimin e justifikojmë në emër të saj. Në fakt, është grykësia e pushtetit që ka fituar mbi mirësinë tonë duke na vënë për fund. Këtë zotat e tokës, të mbushur me bëma kriminale, na servirën si shenjt sa herë kërkojnë besimin tonë. Na tregojnë Nënë Terezën si shprehje e vullnetit të përulur, mëshirës dhe durimit. Na tregojnë Nënë Terezën për të përfituar prej mëshirës dhe durimit tonë. Në fakt, ata na përdorin, ashtu siç duan të përdorin Nënë Terezën për cilësitë e saj. Ata na kanë mbyllur çdo rrugë e na mbajnë nën fre, duke na detyruar shumë në marrëveshje me mëkatin e tyre, ndaj sot, Shqipëria lulëzon me kanabis. Ata nuk e njohin kultin e punës dhe përuljes, kultin e shërbesës ndaj atij që ka më shumë nevojë. Por Shenjtorja Tereza qëndron shumë lart mbi ta, ne jemi shqiptarë si ajo, nuk sillemi si ajo. Kemi bërë marrëveshje me pushtetin që na shkel, dhunon, e përçan, na blen e shet, na lajkaton e kamxhikon sa herë do, sepse mendojmë ende se ne jemi të varfër dhe nuk kemi rrugë tjetër, veçse të mbjellim hashash. Dhe më e turpshmja, kjo tentohet të na shitet si një sjellje masive e çorganizuar, përmes një show, që pakkush e beson dhe ku po “korret ajo që është mbjellë”.
Jo, ne jemi të pasur, jemi të pasur si shpirti shqiptar i Nënë Terezës, ndaj ka ardhur koha të vendosim se cilët shqiptarë duam të jemi? Këtë ende nuk e kemi zgjedhur, ndaj botës i shfaqemi të ndryshëm në ekstreme, herë në fushat me hashash e herë në Sheshin Shën Pjetër, aq sa dhe ne nuk jemi të zotë të njohim veten tonë. Cilët jemi ne?
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.