Dhe “drejtuesi” i Zyrës Ovale po e përkeqëson situatën
4 Korriku është dita kur të gjithë amerikanët mblidhen së bashku për të festuar, shkruan The Economist.
Është dita për të festuar se si 13 koloni të reja u bashkuan kundër sundimit britanik për të filluar eksperimentin e tyre të madh në qeverinë popullore. Por, 4 Korriku i këtij viti nuk ka qenë i njëjtë me atë të viteve të mëparshme. Këtë vit, amerikanët janë të ndarë nga moskuptimi i ndërsjellë: mes republikanëve dhe demokratëve, por edhe midis punëtorëve të fabrikave dhe studentëve të universitetit, banorëve të periferive dhe atyre të qytetit.
Dhe pastaj në krye të të gjithëve qëndron Presidenti Donald Trump, jo vetëm një simptomë e ndarjeve të Amerikës, por edhe një shkaktar i tyre.
Z. Trump fitoi pushtetin pjesërisht, sepse ai foli për votuesit që mendojnë se sistemi po vepron kundër tyre. Duke pastruar Uashingtonin nga elita dhe lobistët “shumë budallenj”, të cilët interesoheshin vetëm për përmbushjen e interesave të tyre duke qenë se janë egocentrikë, ai premtoi se do të vepronte për të gjithë kombin dhe do të rregullonte politikën e Amerikës.
Por qasja e tij mesa duket nuk po jep as më të voglin rezultat. Pesë muaj pas marrjes së mandatit, Trump kryeson një kulturë politike që është edhe më helmuese në krahasim me periudhën para se ai të vinte në pushtet.
Por votuesit e tij kryesorë janë shumë besnikë. Pjesa më e madhe e biznesmenëve që e mbështetën atë, besojnë ende se ai do të sjellë shkurtime taksash dhe derregullim. Por optimizmi i tyre po lëkundet gjithnjë e më shumë për shkak të një terreni të paqëndrueshëm dhe të ashpër.
Presidenca Trump është rrënuar nga gjykimi i dobët dhe nga mundësitë e humbura dhe madje qeveria federale ka filluar të shfaqë shenjat e para të kësaj situate. Herët a vonë, dëmi do të përhapet edhe në ekonomi.
Nga bregu në breg
Humbja e besimit të amerikanëve në politikë nuk filloi me ardhjen në pushtet të z. Trump. Për dekada me radhë, votuesit janë ankuar për bllokimin e Uashingtonit dhe ndikimin në rritje të lobistëve, madje të atyre me xhepa shumë të thellë.
Francis Fukuyama, një teoricien politik, fajësoi për këtë prishje të “vetokracisë”, një rrëmujë e interesave dhe përgjegjësive konkurruese që mund të bllokojnë pothuajse çdo reformë ambicioze. Kur bota ndryshon dhe qeveria federale nuk mund të ecë më në hapin e sfidës, atëherë zhgënjimi i votuesve rritet edhe më shumë, argumenton ai më tej.
Trump gjithashtu ka nxitur mosbesimin. Ai ka identifikuar në mënyrë të saktë fushat ku Amerika ka nevojë për reforma, por ka bllokuar reagimin e tij – pjesërisht për shkak të egos së pakontrolluar. Le të marrim si shembull taksat.
Askush nuk ka dyshimin më të vogël se kodi i taksave të Amerikës është një rrëmujë e mbushur plot me hapësira boshe dhe kompleksitete. Por planet e reformave të z. Trump tregojnë qartësisht shkurtime për të pasurit, gjë kjo që ndikon duke e bërë ligjin edhe më të paqartë dhe çoroditës se kurrë më parë.
Pothuajse e njëjta gjë edhe në lidhje me çështjen e kujdesit shëndetësor. Në vend të reformimit të ‘Obamacare’, republikanët janë në përfundim të një projektligji që do të linte miliona votues të Trump-it më të sëmurë dhe më të varfër se kurrë më parë.
Institucionet janë të pambrojtura. Shtëpia e Bardhë ka të drejtë të ankohet në lidhje me agjencitë e mbivendosura dhe konkurruese të Amerikës, të cilat krijuan shumë burokraci nën Presidentin Barack Obama.
Megjithatë, përpjekja për të reformuar këtë “shtet administrativ” është shkatërrimi i makinerisë me anë të së cilës duhet të funksionojë qeveria. Armiqësia e Trump-it ka dëmtuar tashmë gjykatat, shërbimet e inteligjencës, Departamentin e Shtetit dhe mbikëqyrjen mjedisore të Amerikës. Ai kërkon shkurtime të thella buxhetore dhe nuk ka arritur të përmbushë detyrimet presidenciale në lidhje me emërtimet kyçe. Sipas “Washington Post”, nga 562 pozicione të rëndësishme, 390 mbeten pa të nominuar.
Po aq e dëmshme sa ajo që z. Trump bën, është mënyra se si ai e bën këtë. Gjatë fushatës elektorale, ai u zotua të luftojë interesat e veçanta.
Por zgjidhja e tij, të punësojë biznesmenë shumë të pasur në mënyrë të tillë që lobistët ta kenë të vështirë për t’i blerë – nuk është zgjidhja e duhur.
Edhe po të ndalemi dhe po të shikojmë vetë z. Trump, pavarësisht përpjekjeve edhe pse pa dëshirë të plotë për të shkëputur presidencën nga biznesin familjar, askush nuk e di me saktësi se ku përfundon njëri dhe ku fillon tjetri.
Ai premtoi se do të përpiqej të ishte një negociator sa më i mirë, por impulsi i tij për të zhdukur kundërshtarët dhe skandalet në lidhje me Russiagate, kanë bërë që shanset e bashkëpunimit ndërpartiak të jenë edhe më të largëta.
Mungesa e respektit për ekspertizën, të tilla si sulmet ndaj Zyrës së Buxhetit të Kongresit mbi vlerësimin e tij të dobët të reformës së kujdesit shëndetësor, e bën Uashingtonin më partizan. Më e rëndësishmja, shpërfillja e Trump-it për të vërtetën shkurton në atë që mbetet nga baza e marrëveshjes ndërpartiake. Nëse nuk mund të pajtoheni mbi faktet, gjithçka që do të arrini është një përplasje e hapur e fiseve rivale.
Egoizmi për t’u pasuruar nuk njeh kufi
Optimistët thonë se Amerika me diversitetin e saj, pasurinë dhe nivelin e lartë të zgjuarsisë njerëzore mund ta kalojë këtë situatë të vështirë. Z. Trump nuk është Presidenti i parë i keq dhe e keqja më e vogël, në rastin e tij, është që ai mund të qeverisë vetëm për katër vjet dhe të mos zgjidhet më.
Ekonomia e Amerikës, me sa duket, ka shëndet të mirë, me bursat pranë niveleve më të larta të të gjitha kohërave. Vendi dominon teknologjinë globale dhe financat, ndërkohë që prodhuesit e saj të naftës dhe gazit kanë më shumë ndikim në krahasim me të kaluarën, madje që nga vitet 1970.
Këto janë disa nga pikat e saj më të forta, por ato vetëm sa e zvogëlojnë dëmin që po bëhet në Uashington. Reforma e kujdesit shëndetësor ndikon në një të gjashtën e ekonomisë.
Dyshimi dhe mosbesimi i prishin të gjitha ato që prekin. Nëse amerikanët më të aftë do të largohen nga karriera e tyre në shërbimin publik, burokracia do të jetë ajo që do të bartë plagët. Përveç kësaj, një President i keq vendos për kostot e mundësive. Fuqia në rritje e monopolit të kompanive është bërë e pakontestueshme.
Shkollat dhe trajnimet janë të pamjaftueshme edhe kur automatizimi dhe Inteligjenca Artificiale janë gati të ndryshojnë natyrën e punës.
Nëse z. Trump do t’i shërbejë popullit amerikan për tetë vite të plota – gjë e cila pavarësisht sulmeve nga kritikët e tij ka mundësi të ndodhë, atëherë çmimi i paralizës dhe i paaftësisë mund të jetë shumë i lartë.
Rreziqet janë të qarta në politikën e jashtme. Duke iu bindur besimit se elitat e Uashingtonit e shesin shumë lehtë Amerikën, z. Trump po shkakton një dëm të vazhdueshëm ndaj udhëheqjes amerikane.
Partneriteti Trans-Paqësor do të kishte rrënjosur konceptin e Amerikës për tregjet e lira në Azi dhe do të mbështeste aleancat e saj ushtarake. Por ai u largua prej saj.
Refuzimi i tij ndaj Marrëveshjes së Klimës në Paris tregoi se ai e nuk e sheh botën si një forum ku vendet punojnë së bashku për të zgjidhur problemet, por si një arenë ku konkurrojnë për të dalë në krye më i miri.
Vendimmarrja e tij e çoroditur dhe krenaria me autokratët, i bën udhëheqësit e aleatëve të tij të dyshojnë nëse mund të mbështeten tek ai në një kohë krize.
4 Korriku është një kohë për të kujtuar se Amerika ka rinovuar veten në të kaluarën; Mendoni për krijimin e një shteti modern të Theodore Roosevelt, Marrëveshjen e Re të Franklin D. Roosevelt dhe Revolucionin Reagan.
Në parim, nuk është tepër vonë për z. Trump për të përqafuar bipartizanizmin dhe për të adresuar çështjet reale.
Ndërsa në praktikë, është gjithnjë e më e qartë se ai është i paaftë për të sjellë një rilindje të tillë dhe me shumë mundësi, kjo detyrë do t’i takojë pasuesit të tij.