Udhëtimi i gazit, ana ballkanike e tubacionit TAP

18/12/2018 4:19 PM 0 komente

Nga kufiri me Greqinë në valët e Adriatikut, kilometrat bëhen milje në të gjithë rrugën në Shqipëri deri kur mbërrin në nisjen e projektit TAP.

Një udhëtim në hapësirë, por edhe në kohë, dje dhe sot. Dje, 78 vjet më parë. Ishte java e fundit e nëntorit 1940; djemtë nga Parma, ngecën mes baltës në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë. Grekët qëllonin me breshëri mbi italianët.

Sot, në fund të nëntorit 2018, në Bilisht kalon tubacioni i projektit që lidh grekët me shqiptarët dhe shqiptarët me italianët. Ata që u masakruan 78 vjet më parë në shi, nuk do ta kishin menduar se si bota do të ndryshonte, ata kurrë nuk do të kishin imagjinuar se një tubacion në malet e Pindit do të kishte bashkuar popujt në paqe.
Kështu nis shkrimi që “Il Sole 24 Ore” i ka kushtuar projektit TAP që “bashkon” Greqinë, Shqipërinë dhe Italinë.

 

Historia dhe TAP

Artikulli të kthen pas në kohë, në Luftën e Dytë Botërore, kur Italia dhe Greqia ishin në luftë e ku Shqipëria ishte fronti i ushtrisë italiane. Tashmë këto vende, dikur në luftë, po bashkohen nga ky projekt gjigant që synon të sjellë gazin nga Azerbajxhani në Europë.

“Një kilometër larg nga dogana shqiptare e ‘Tre Urave’, gjendet një objekt thuajse i shkatërruar. Aty dikur ndodhej ura e Peratit, ku në fund të nëntorit 1940 vdiqën mijëra italianë. Ura u shkatërrua me eksploziv nga italianët. Në njërën anë, gjen të shkruar ‘A’ për ‘Albania’. Ndërsa, në anën tjetër të lumit, shkruar në çimento, gjen ‘E’ për ‘Eladha’.

Në zonën ku ndodhej fshati i Peratit, i cili u shkatërrua nga granatat dhe në urën që nuk ekziston më, mblidhen emocione të forta dhe thirrje që duken se vijnë nga përtej. Kujtojmë që Mussolini, për kapriçio politike, vendosi të pushtonte Greqinë dhe për më tepër, donte ta bënte këtë gjë nëpërmjet Shqipërisë. Këtë gjë e realizoi duke veshur djemtë italianë me veshje tipike shqiptare, prej leshi fals dhe detaje të tjera të ngjashme.

Por, ajo që ndodhi ishte se grekët kundërsulmuan dhe arritën të pushtonin Shqipërinë. Më 21 nëntor 1940, italianët hodhën urën në erë dhe nisën tërheqjen. Ndërkohë, grekët arritën të kalonin kufirin për në Bilisht, Perat, Ersekë deri në brendësi të vendit. Sipas oficerëve grekë, Shqipëria do të kthehej në varrin e italianëve”.

Sot, nën rrugën e bukur për në Ersekë e deri në doganën e “Tre urave”, gjenden trupat e asaj beteje famëkeqe.
“Aty ku kalon tubacioni i gazit sot, në ata pak muaj të 78 viteve më parë, u vranë 13 mijë ushtarë italianë, 3900 prej të cilëve nuk iu gjetën eshtrat, 12 mijë vuajtën nga plagët në gjymtyrë dhe 50 mijë u plagosën. Shkrimi imi përmban 19,500 karaktere duke përfshirë presjet dhe pikat. Po kaq, pra 19,500, ishte dhe numri i italianëve që humbën jetën aty ku sot bashkohet Italia, Greqia dhe Shqipëria”, thekson në artikullin e tij gazetari italian Jacopo Giliberto.
Për çfarë po flasim, pyet autori?

“TAP, inicialet e Tubacionit Trans Adriatik, është një tubacion i Korridorit Jugor në ndërtim e sipër, që do të lidhë dhe transportojë gazin natyror azer te konsumatorët europianë. Puna kërkon një investim 40 miliardë euro dhe merr emra të ndryshëm, sipas seksionit të përshkuar. SCP është tubacioni që fillon në Detin Kaspik dhe kalon Gjeorgjinë në kufirin turk. Ajo që quhet TANAP (Trans Anatolian Pipeline) tubacion që kalon nëpër malet e Anadollit në Turqi, duke kaluar Dardanelet dhe arrin deri në kufirin e Turqisë me Greqinë. Atje ai përfundon në TANAP.

Në Alexandroupoli, në lokalitetin e Kipoi, fillon tubacioni tjetër, Trans Adriatic Pipeline (TAP). Partnerët janë BP britanike (20%), kompania kombëtare e naftës Socar Azerbaijan (20%), SNAM italiane (20%), Fluxys belg (19%), ENAGAS spanjoll (16%) dhe Axpo zvicerane (5%). Kostoja e TAP vlerësohet të jetë 4.5 miliardë. Traktati ballkanik pothuajse është ndërtuar i gjithi. Një tjetër marrëveshje italiane është duke u zhvilluar, por përplasjet me komisionet Nimby dhe përsëritjet e tyre, kanë nxitur hetimet që po zhvillohen momentalisht”.

 

Projekti në Shqipëri

Në artikull përshkruhen me detaje “peripecitë” që iu është dashur të kalojnë në fillimet e punimeve në Shqipëri.

“Në distancë të rregullt nga njëra-tjetra, kishin vendosur trarë prej druri, një këtu dhe një aty. Mëngjesin tjetër, kur ngjitën malin, kuptuan që dikush i kishte shkatërruar në mbrëmje. Shpenzuan kohë për t’i vendosur sërish në vend. Por, sërish mëngjesin tjetër dikush i kishte shkatërruar. Pas disa ditësh ‘bëj-zhbëj’, drejtuesit e projektit vendosën kamera të fshehta. Nga pamjet e regjistruara, u zbuluan vandalët të cilët të maskuar, shkulnin trarët nga vendi. Vandalizmat bëheshin nga njerëz që refuzonin ndërtimin e veprës në tokat e tyre”

Një ndër problematikat me të cilat është përballur projekti në trojet shqiptare, sipas italianëve, është njëkohësisht një nga plagët më të rënda të tranzicionit shqiptar: çështja e pronësisë.

“Për të shtrirë një tubacion gazi, duhet fillimisht të identifikohen parcelat e tokës ku do të kalojë projekti. Praktikisht, duhen ‘pushtuar’ qindra kilometra të gjata, duhen zhvendosur pemë, duhet gërmuar dheu dhe në fund, do të shtrihet tubacioni dhe do të mbulohet. Për t’i bërë të gjitha këto gjëra, duhen paguar pronarët e tokave. Këtu nis sfida e vërtetë!

Nëse në të gjithë pjesën tjetër të botës është e lehtë të gjesh pronarin, në Shqipëri është shumë, shumë e vështirë. Shqipëria ishte një vend që qëndroi nën pushtimin otoman për qindra vite, më pas nën pushtimin italian dhe në fund nën diktaturën komuniste. Të gjitha këto e bënë të pamundur të drejtën mbi pronën private. Gjithçka i përkiste shtetit. Pra pyetja është: ku janë kontratat noteriale? Kush i lëshoi certifikatat e pronësisë? Dhe më e rëndësishmja, si ta kuptojmë dikë që gënjen dhe dikë që thotë të vërtetën?”

Në artikull përmendet edhe dukuria e bunkerëve, për të cilët flitet np kontekstin në të cilin ata u ndërtuan dhe vështirësitë që kanë krijuar për projektin TAP. Në një rast, përmendet se për të realizuar shtrirjen e tubacioneve, duheshin shkatërruar 40 bunkerë.

“Vendi i bunkerëve. Diktatori komunist Enver Hoxha (1908-1985) ishte paranojak, pasi despotët janë paranojakë. Ai kishte sindromën e armikut, të rrethimit, të komplotit. Hoxha kishte imagjinuar se Shqipëria ka qenë në qendër të dëshirave të fuqive imperialiste (d.m.th. të gjithë). Sipas tij mbrojti pushtimin e pashmangshëm (por imagjinar) nga Greqia, Bashkimi Sovjetik, Italia, NATO, Jugosllavia, SHBA, Kina.

Dhe ai i përgatiti njerëzit – ushtrinë e popullit – t’i rezistojnë pushtuesit imagjinar duke ndërtuar bunkerë. Në vend të ndërtimit të rrugëve, urave dhe shtëpive për shqiptarët, Hoxha imponoi ndërtimin e bunkerëve në të gjithë vendin: u vendosën rreth 173 mijë të tillë. Mesatarisht, 5.7 bunkerë për kilometër katror të Shqipërisë.”

Sipas shkrimit, rruga që ndjek në Shqipëri, më saktësisht në Bilisht, përfaqëson pikërisht pikën ku bashkohet e kaluara e tre shteteve. Aty ku mijëra ushtarë italianë që u masakruan 78 vite më parë nuk do ta kishin imagjinuar kurrë sesi do të ndryshonin gjërat apo që një tubacion gazi do të bashkonte njerëzit në paqe.

 

*Marrë nga Il Sole 24 Ore, shkruan Jacopo Giliberto, përkthim me shkurtime

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of