Viti 2013, por edhe fundi i 2012-s, do të mbahen mend si periudhat me ndryshimet më të shpeshta të ligjeve fiskale në vend. Rishikimi i paketave ishin të shumta, aq sa shkaktuan njëfarë paqartësie te bizneset. Megjithatë, Ministria e Financave ka miratuar së fundmi, më 3 qershor, udhëzimin “Për procedurat tatimore”, duke saktësuar veprimet që duhet ndjekë biznesi për një sërë procedurash, por duke reflektuar, nga ana tjetër, edhe ndryshimet e paketës fiskale. Kryesisht varianti i ri prek procedurat për regjistrimin dhe çregjistrimin e biznesit, se si duhet të veprojë përfaqësuesi tatimor, etj., parashikon sanksione të reja për subjektet, etj.
“Monitor” paraqet të zbardhur udhëzimin, sipas pikave të vendosura nga Ministria e Financave.
Përfaqësuesi tatimor
Në pikën 9, “Caktimi i një përfaqësuesi tatimor nga personat jorezidentë”, fjalia e pestë ndryshohet me këtë përmbajtje: “Përfaqësuesi tatimor duhet të kërkojë të regjistrohet pranë drejtorisë rajonale tatimore, në bazë të prokurës së lëshuar nga tatimpaguesi jorezident që do të përfaqësojë, siç përcaktohet në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, duke respektuar procedurën e parashikuar në paragrafin e mëposhtëm të kësaj pike”.
Çështja e përfaqësuesit tatimor trajtohet gjerë në udhëzimin e ri të Financave, madje jep me shembull se si duhet veprojë për raste specifike. Kështu, në pikën 9.1.1, personi i cili do të regjistrohet si përfaqësues tatimor, duhet të regjistrohet me emrin e tij dhe në emrin e përfaqësuesit të tij tatimor brenda 5 ditëve pas emërimit si përfaqësues tatimor dhe para fillimit të detyrimit ligjor të këtij personi si përfaqësues tatimor në Shqipëri.
Shembull: “Kompania A” – kompani jorezidente detyrohet të paguajë TVSH në Shqipëri në bazë të dispozitave ligjore përkatëse. Për të përmbushur këtë detyrim ligjor, emëron si përfaqësues tatimor një tatimpagues shqiptar, i cili është i regjistruar në QKR me emërtimin “kompania B” dhe numër identifikimi të personit L00000000X. “Kompania B”, jo më vonë se 5 ditë pas emërimit si përfaqësues tatimor nga “kompania A” do të paraqitet në drejtorinë rajonale tatimore në të cilën është regjistruar për të aplikuar për regjistrimin e përfaqësuesit tatimor dhe pajisjen e tij me një numër identifikimi të personit të tatueshëm për TVSH-në me emërtimin: “kompania B” për “kompaninë A”, me statusin “përfaqësues tatimor”.
Brenda 5 ditëve pasi të jetë caktuar, përfaqësuesi tatimor duhet të dorëzojë aplikimin për regjistrim në drejtorinë e shërbimit dhe të regjistrimit të tatimpaguesit në drejtorinë rajonale tatimore, ku është regjistruar si tatimpagues ose në rastin e individit, aty ku ka vendin e zakonshëm të rezidencës. Personi i caktuar si përfaqësues tatimor duhet të paraqesë gjithashtu: – vendimin ose prokurën e caktimit apo emërimit të përfaqësuesit tatimor, të nënshkruar nga personi përgjegjës i personit të tatueshëm jorezident që ka emëruar përfaqësuesin. Vendimi i emërimit të përfaqësuesit tatimor duhet të tregojë veprimet që përfaqësuesi tatimor është i autorizuar të kryejë në emër të personit që përfaqëson, si një kopje të vërtetuar të marrëveshjes së përfaqësimit tatimor ndërmjet aplikuesit për përfaqësues tatimor dhe personit që ai përfaqëson, dhe një kopje të vërtetuar nga autoritetet tatimore të shtetit përkatës, të certifikatës së regjistrimit tatimor të personit jorezident në vendin e tij të rezidencës, e lëshuar jo më përpara se tre muaj nga data e aplikimit për regjistrim të përfaqësuesit, ku të vërtetohet se personi jorezident është person aktiv. Drejtoria e regjistrimit dhe shërbimit të tatimpaguesit në drejtorinë rajonale përkatëse brenda dy ditëve të punës regjistron përfaqësuesin tatimor.
Përfaqësuesi tatimor është i autorizuar:
– të plotësojë faturat në emër të personit që përfaqëson, për transaksionet për të cilat përfaqësuesi tatimor është autorizuar;
– të pranojë faturat për transaksione për të cilat përfaqësuesi tatimor është i autorizuar;
– të dorëzojë deklaratat e TVSH-së në Shqipëri në emër të personit që përfaqëson, si dhe deklarata të tjera tatimore kur ato i kërkohen nga legjislacioni tatimor në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
– të paguajë detyrimet tatimore dhe të marrë rimbursimet tatimore nëse ka të tilla në emër të personit jorezident që përfaqëson.
– të mbajë regjistrimet e transaksioneve për të cilat përfaqësuesi tatimor është caktuar dhe t’ia vendosë, ato në dispozicion me kërkesë të administratës tatimore;
– të veprojë në emër dhe për llogari të personit jorezident dhe ta përfaqësojë atë në kontrollet e mundshme të administratës tatimore;
– të plotësojë të gjitha detyrimet që lidhen me TVSH-në në importe, eksporte dhe detyrime doganore, nëse ka të tilla.
Regjistrimi i biznesit
Në pikën 41.1.2 të udhëzimit, fjalia e fundit ndryshohet si: Të gjithë personat e identifikuar si të paregjistruar, përveç personave të identifikuar si të tillë, që në kuptim të nenit 41 të ligjit ushtrojnë veprimtari tregtare pa u regjistruar, brenda 15 ditëve nga data e identifikimit si të paregjistruar, janë të detyruar të regjistrohen.
Të gjithë personat që ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare pa u regjistruar, përveç se u mbyllet menjëherë veprimtaria dhe konfiskohen të gjitha materialet, si dhe u propozohet organeve kompetente pezullimi i lejes/licencës/autorizimit për ushtrim të veprimtarisë në përputhje me nenin 41 të ligjit, administrata tatimore i regjistron në një regjistër të veçantë, ku shënohet numri i procesverbalit të identifikimit (aktit të konstatimit), data e identifikimit, të dhënat identifikuese të personit, adresa e plotë e tij, numri i telefonit dhe çdo e dhënë tjetër e disponueshme. Regjistri i veçantë përditësohet nga administrata tatimore, duke konstatuar rastet përsëritëse. Në regjistrin e veçantë shënohet data e heqjes së pezullimit të lejes/licencës/autorizimit nga autoritetet përkatëse kur ajo është pezulluar, si dhe data e lëshimit të certifikatës së regjistrimit nga QKR për tatimpaguesin.”
“Personat që ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare të identifikuar si të paregjistruar, në mënyrë që të lejohen të kryejnë veprimtari ekonomiko-tregtare, detyrohen të regjistrohen menjëherë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe. Regjistrimi në QKR nënkupton në të njëjtën kohë edhe regjistrimin në administratën tatimore. Ndaj këtyre personave të tatueshëm zbatohen të gjitha procedurat e përcaktuara në ligj dhe në këtë udhëzim, si për të gjithë personat e tjerë të tatueshëm të regjistruar në mënyrë të rregullt”, thuhet në pikën 41.1.5.
Në rast se një person ushtron veprimtari në fushën e shërbimeve pa u regjistruar si tatimpagues person fizik ose juridik në QKR, Tatimet propozojnë pezullimin e lejes apo licencës/autorizimit për ushtrim veprimtarie për një periudhe 6-mujore. Institucionet përkatëse njoftojnë brenda 30 ditëve administratën tatimore për masat e marra. Në rast se nuk ndërhyhet, biznesit i konfiskohet malli.
Si vendoset dhe ndahen në dy kategori
Regjistri i subjekteve pasive
Pas pikës 44.5 në udhëzimin e ri shtohet pika 44.6 sipas së cilës, “Administrata tatimore duhet të evidentojë në regjistrin informatik të tatimpaguesve nëpërmjet formularit të njoftimit të ndryshimeve në regjistrim, veçmas personat e tatueshëm, të cilët kanë kaluar në regjistrin pasiv me kërkesën e tyre, nga ata të cilët kanë kaluar në regjistrin pasiv si mosdeklarues për të paktën 12 periudha tatimore dhe administrata për këtë kategori tatimpaguesish është e detyruar të kryejë më parë verifikimet në përputhje, si dhe veçmas ata të cilët kanë kaluar automatikisht në regjistrin pasiv si mosdeklarues për më shumë se 5 vite”.
Personat e tatueshëm ose organizatat e ndryshme, të cilët janë në regjistrin pasiv të tatimpaguesve dhe kanë kaluar në këtë regjistër me kërkesën e tyre, pra nuk kanë zhvilluar veprimtari për të paktën 12 periudha mujore tatimore, por kanë dorëzuar në afat deklaratat tatimore deri në momentin e kalimit në pasiv, aplikojnë në QKR ose në drejtorinë rajonale tatimore për çregjistrim përfundimtar për shkak të mbylljes së veprimtarisë së personit juridik, fizik apo organizatës, atëherë këta persona pasi paguajnë detyrimet ekzistuese të papaguara, nëse kanë të tilla, si dhe kryerjen e procedurave të çregjistrimit në përputhje me pikën 45 të këtij udhëzimi, çregjistrohen nga regjistri i tatimpaguesve të administratës tatimore.
Njoftimi i çregjistrimit
QKR njofton drejtoritë rajonale tatimore të juridiksionit përkatës, menjëherë me paraqitjen e aplikimit për çregjistrim pa kryerjen e likuidimit të personit juridik/personave juridikë, kur në zbatim të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, subjektet përkatëse u nënshtrohen procedurave të bashkimit apo të ndarjes së shoqërive, si edhe në raste të tjera kur dispozitat e një ligji specifik parashikojnë çregjistrimin e një personi juridik pa kryerjen e likuidimit. Në formularin e njoftimit të ndryshimeve në regjistrim evidentohet dhe shënohet në një kuti më vete në rubrikën “çregjistrim pa likuidim”. Kjo kuti plotësohet vetëm në rastet kur çregjistrimi bëhet pa kryerjen e likuidimit nga QKR-ja.
Për sa u përket afateve dhe shkëmbimit zyrtar të informacioneve midis QKR, gjykatës dhe administratës tatimore për çregjistrimin e shoqërive pa likuidim, drejtoria rajonale tatimore, menjëherë me marrjen dijeni nga QKR, për këto ndryshime që kanë të bëjnë me ndarjen/bashkimin e shoqërive, të cilat kanë për pasojë çregjistrimin pa likuidim të një apo më shumë shoqërive, si ndryshime që kërkojnë çregjistrim, kur e gjykon, organizon dhe kryen kontroll tatimor për tatimpaguesit, të cilët përfshihen në këtë proces, duke pasur parasysh edhe dokumentacionin dhe dispozitat ligjore të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, si dhe për të verifikuar dhe saktësuar tepricat përkatëse tatimore, qofshin këto debitore apo kreditore bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi. Ndërkohë, në dosjen e secilit tatimpagues, i cili përfshihet në këtë proces duhet të depozitohen ndryshimet dhe dokumentacioni përkatës ligjor për sa u përket vendimeve të organeve vendimmarrëse të personave juridikë, si dhe dokumentacioni ekonomik që lidhet me pasqyrat financiare përkatëse apo aktet përkatëse të ekspertëve kontabël nëse ka të tilla. Nëse pas përfundimit të verifikimeve përkatëse nga drejtoria rajonale tatimore, shoqëria që do të përthithet/ndahet është kreditore në organin tatimor për ndonjë lloj tatimi, atëherë teprica kreditore: do të përdoret për kompensim të detyrimeve tatimore të tjera të tatimpaguesit nëse ka; do t’i kthehet/rimbursohet tatimpaguesit sipas procedurave të përcaktuara në nenin 75 të ligjit.
Në rastin kur tatimpaguesit e përfshirë në proces bashkimi/ndarjeje të shoqërive, administrohen nga dy drejtori të ndryshme rajonale tatimore, drejtoria rajonale, e cila çregjistron pa likuidim tatimpaguesin, njofton dhe shkëmben informacion për tepricat kreditore përkatëse të tatimpaguesit që do të çregjistrohet, pasi kanë ndjekur radhën e veprimeve të përcaktuara më sipër nga 1 në 3.
Brenda 6 muajve nga publikimi i projektmarrëveshjes së bashkimit, organi tatimor në rolin e kreditorit paraqet me shkrim titullin dhe vlerën e pretendimit të tyre dhe shoqëria duhet t’i japë garanci të mjaftueshme për kreditë e tij. Nëse detyrimet nuk paguhen ose nuk jepet garanci e mjaftueshme nga përfaqësuesit ligjorë të shoqërive, organi tatimor mund t’i kërkojë gjykatës të urdhërojë lëshimin e garancive të mjaftueshme apo anulimin e vendimit të bashkimit. Përfaqësuesit ligjorë të shoqërive që bashkohen, përgjigjen në mënyrë solidare për të gjitha dëmet e shkaktuara ndaj organit tatimor, si pasojë e pasaktësisë së deklaratës së mësipërme. Në rastin kur ndonjëra nga shoqëritë që do të çregjistrohet pa likuidim si pasojë e procesit të bashkimit/ndarjes së shoqërive është debitore, administrata tatimore mbledh detyrimin tatimor sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në ligjin “Për procedurat”.
Veprimet për likuidimin
Në formularin e njoftimeve për ndryshim në regjistrim plotësohet kutia përkatëse për ndërprerje deklarimi/kërkesë për çregjistrim. Menjëherë kur tatimpaguesi aplikon për çregjistrim në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit ose gjykatë, me marrjen e njoftimit nga institucionet përkatëse pavarësisht procedurave të parashikuara në pikën 45 të këtij udhëzimi për çregjistrimin përfundimtar, tatimpaguesi paraqitet pranë drejtorisë rajonale tatimore përkatëse në drejtorinë e shërbimit dhe regjistrimit të tatimpaguesit, së bashku me një kopje të aplikimit për çregjistrim të personit fizik ose juridik në QKR/gjykatë dhe plotëson formularin përkatës të njoftimit të ndryshimeve në regjistrim për të ndërprerë deklarimin sipas përgjegjësive tatimore për të cilat është i regjistruar. Drejtoria rajonale tatimore përkatëse, menjëherë reflekton veprimin sipas aplikimit në sistemin informatik tatimor, me marrjen e njoftimit nga QKR-ja ose gjykata.
Më pas për çregjistrimin e personave fizikë ose hapjen e procedurave të likuidimit për personat juridikë vijohet me procedurat e parashikuara në pikën 45.1 të këtij udhëzimi. Ndërprerja e detyrimit për deklarim të tatimpaguesit, i cili ka aplikuar për çregjistrim në QKR/gjykatë, kryhet automatikisht nga drejtoria rajonale tatimore me marrjen e njoftimit nga QKR/gjykatë, në datën në të cilën tatimpaguesi ka aplikuar për çregjistrim. Ndërprerja e detyrimit për deklarim nuk nënkupton çregjistrim përfundimtar të tatimpaguesit, i cili është përgjegjës për çdo detyrim tatimor që ka apo do të lindë deri në çregjistrimin e tij përfundimtar qoftë edhe si pasojë e procesit të likuidimit. Kur tatimpaguesi çregjistrohet në QKR ose gjykatë, atëherë me marrjen dijeni, drejtoria rajonale tatimore çregjistron tatimpaguesin nga gjendja në të cilën është pa e aktivizuar më parë atë, përveçse kur si rezultat i procesit të likuidimit apo të kontrollit tatimor për çregjistrim, tatimpaguesit i kanë lindur detyrime tatimore, të cilat detyrohet t’i paguajë.
Tatimpaguesi që ka bërë kërkesë për çregjistrim në QKR, me paraqitjen e kësaj kërkese që nga data e hyrjes në fuqi të pikës 7 të nenit 65 të ligjit nuk i aplikohen penalitetet për mosdeklarim në afat të deklaratave tatimore. Tatimpaguesi, i cili ka ndërprerë deklarimin e deklaratave pa veprimtari (me vlerë zero) në organin tatimor, pasi ka bërë kërkesë për çregjistrim në QKR që nga data e hyrjes në fuqi të pikës 7 të nenit 65 të ligjit, çdo gjobë e aplikuar për mosdeklarim të deklaratave tatimore pas datës së paraqitjes së kërkesës për çregjistrim në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit është e pavlefshme dhe nëse është vlerësuar, hiqet. Gjithashtu, për çdo deklaratë të padorëzuar ose të pavlerësuar pa veprimtari pas datës së paraqitjes së kërkesës për çregjistrim në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, gjoba për mosdeklarim ose deklarim të vonuar të deklaratës nuk vlerësohet. Administrata tatimore merr masat për evidentimin e veprimeve të mësipërme në regjistrin e tatimpaguesve dhe vijon procedurat për çregjistrimin e këtyre tatimpaguesve.
Në pikën 93.1, në fjalinë e fundit pas shprehjes “administrata tatimore sekuestron” shtohet edhe shprehja “dhe më pas konfiskon”, në favor të saj, të gjitha sendet e luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të tatimpaguesit, ndaj të cilave ajo ka vendosur më parë barrën siguruese apo hipotekën.
Publikimi
Administrata tatimore çdo tre muaj publikon dhe azhurnon në faqen zyrtare elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, listën e tatimpaguesve, të cilët kanë kaluar në regjistrin pasiv të administratës tatimore, duke evidentuar emrin e tatimpaguesit dhe NIPT-in
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.