Pas ndryshimeve në ligjin për procedurat tatimore, bizneseve iu dha një hapësirë deri në 31 dhjetor të këtij viti për të deklaruar mallrat pa faturë, në mënyrë që t’i shpëtonin ndëshkimeve të ashpra, nëse u gjendej mall i padokumentuar.
Ligji përcakton që “Përjashtimisht, për tatimpaguesit, të cilët, deri në datën 31.12.2015, me vullnetin e tyre deklarojnë dhe për pasojë korrigjojnë një deklaratë tatimore të plotësuar qëllimisht gabim, në kushtet e nenit 116 të ligjit, pavarësisht periudhës tatimore që i përket kjo deklaratë, paguajnë tatimin dhe kamatëvonesat, sipas nenit 76, të këtij ligji, administata tatimore, në përputhje me këtë nen, nuk do të bëjë kallëzim penal. Korrigjimi, i cili përfshin tatimin e papaguar dhe kamatëvonesat, do të vetëdeklarohet nga tatimpaguesi në deklaratën e muajit korrent, brenda datës 31.12.2015, ose do të kërkojë të bëhet nëpërmjet një rivlerësimi nga administrata tatimore”.
Tatimpaguesit nuk përfitojnë nga kjo dispozitë, nëse shkelja, sipas paragrafit të mësipërm, është konstatuar paraprakisht nga administrata tatimore.
Udhëzimi sqaron përmes një shembulli se si do të bëhet korrigjimi.
Shembull:
Në datën 20 tetor të vitit 2012, një tatimpagues ka kryer shitje malli në vlerën 100,000 lek, ndërsa fatura me TVSH që ka lëshuar është në vlerën 60,000 lek dhe më pas deklaruar tëk FDP e TVSH në datën 14 dhjetor 2012, shumën e tvsh prej 12,000 lek. Pra tatimpagues nuk ka deklaruar vlerën reale të shitjes së mallit dhe ka nëndeklaruar të ardhurat me 40 ,000 lëkë më pak dhe ka paguar 4,000 lëkë tvsh më pak.
Në përputhje me pikën 3 të nenit 131 të ligjit të procedurave, tatimpaguesi do të bëjë vetëkorrigjimin. Për këtë arsye, në datën 25 nëntor 2015, tatimpaguesi do të lëshojë një faturë sipas nenit 53 të ligjit të procedurave faturën e lëshuar nga blerësi në të cilën do të përcaktojë vlerën e tatueshme 40,000 lek dhe tvsh përkatëse 8,000 lek. Në deklaratën e muajit korrent, pra FDP e tvsh-së së muajit nëntor 2015, tatimpaguesi do të shtojë vlerën e tvsh nga vetëkorrigjimi prej 8,000 lek plus kamatvonesat. Gjithashtu, tatimpaguesi do të paguajë 10% të vlerës së shumës së faturës së nëndeklaruar , pra 10%x40,000=4000 lekë tatim mbi të ardhurat si dhe kamatvonesat.
Në rast se tatimpaguesi ka vështirësi në llogaritjen e kamatvonesave ose në kryerjen e procedurës së vetdeklarimit, tatimpaguesi duhet t’i drejtohet me një shkresë zyratre drejtorisë rajonale tatimore ku është i regjitruar që të bëjë vetëkorrigjimin. Brenda 4 ditëve kalendarike nga protokollimi i kërkesës, drejtoria rajonale tatimore duhet të kthejë përgjigje. Nga data e marrjes së kërkesës për rivlerësim nga tatimpaguesi, DRT nuk ndërmerr kontroll tek tatimpaguesi.
131.4 Nga data 1.1.2016, përjashtimisht, për tatimpaguesit, të cilët, me vullnetin e tyre, deklarojnë dhe për pasojë korrigjojnë një deklaratë tatimore të plotësuar qëllimisht gabim, në kushtet e nenit 116 të ligjit, pavarësisht periudhës tatimore që i përket kjo deklaratë, si dhe paguajnë detyrimin tatimor përkatës (tatimin, interesat dhe gjobat), administata tatimore, në përputhje me këtë nen, nuk do të bëjë kallëzim penal.
Tatimpaguesit nuk përfitojnë nga kjo dispozitë, nëse shkelja, sipas paragrafit të mësipërm, është konstatuar paraprakisht nga administrata tatimore.”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.