Drejtoria e Tatimeve ka publikuar një udhëzim lidhur me saktësimin e vlerës së tatueshme.
Për furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, TVSH është e detyrueshme në datën e furnizimit apo të faturimit pavarësisht datës së pagesës së furnizimit.
Për qëllime të kryerjes së saktësimit furnizuesi do të lëshojë njërën prej faturave që përdor e cila është faturë korrigjuese dhe sipas rastit dhe qëllimit për të cilin është aplikuar duhet të përmbajë shënimin:
Faturë korrigjuese – kur nuk kërkohet që midis palëve të rimbursohen vlerat (pagesa nuk është kryer në rast tërheqje prej furnizimit).
Faturë korrigjuese – Notë krediti nëse korrigjon në ulje vlerën e faturësfillestare;
Faturë korrigjuese– Notë debiti nëse korrigjon në rritje vlerën e faturësfillestare.
Notë krediti ose notë debiti lëshohet në ato raste kur prej blerësit pretendohet kthimi (rimbursimi) i shumës nga furnizuesi.
Me anulim apo tërheqje prej furnizimit kuptohet:
-Një furnizim do të konsiderohet i anuluar, në datën kur, pasi është bërë porosia dhe kryer parapagesa, blerësi, i cili nuk do ta vazhdojë këtë porosi, i kërkon shitësit ti kthejë (rimbursojë) shumën e parapagesave të bëra;
-Një furnizim do të konsiderohet i tërhequr, në datën kur palët rivendosen në situatën që ishin para realizimit të furnizimit. Pra
-Mallrat i kthehen shitësit pasi furnizimi nuk është i njëjtë me atë që ka kërkuar blerësi ose mallrat janë të dëmtuara ose shërbimi nuk është kryer.
-Zbritje në momentin e furnizimit
-Kur ulja përfitohet në momentin e furnizimit ajo pasqyrohet në faturën e lëshuar nga furnizuesi për furnizimin, duke treguar edhe vlerat përkatëse fillestare dhe ato pas uljes.
-Furnizuesi dhe bleresi regjistrojnë faturën në librat përkatës duke marrë parasysh edhe uljen ose reduktimin e vlerës në momentin e furnizimit. Në këtë rast nuk duhet të zbatohet faturë korrigjuese.
Zbritja e kushtëzuar në faturë
Në rastin kur ulja përfitohet më vonë, jo në momentin e furnizimit, por e kushtëzuar me datën kur do të kryhet pagesa apo çdo kusht tregtar tjetër, që të merret parasysh reduktimi i vlerës së tatueshme të furnizimit në momentin kur kushti plotësohet prej blerësit ose klientit duhet që ky fakt të jetë evidentuar (shkruar) në faturë në momentin e furnizimit prej furnizuesit.
Për të lejuar mospërfshirjen në vlerën e tatueshme të furnizimit është kusht që:
-Në faturë të cilësohen kushtet e skontos tregtare të aplikuar;
-Të shënohet data kur kërkohet të kryhet pagesa në mënyrë që të përfitohet skonto;
-Të përcaktohen edhe penalitetet nëse pagesa kryhet me vonesë.
Kur ulja përfitohet në një moment të ndryshëm nga momenti i furnizimit, atëherë duhet të kryhet një saktësim i faturës së lëshuar.
Kështu fatura për furnizimin është lëshuar, regjistruar dhe deklaruar nga furnizuesi dhe blerësi sipas datës së lëshimit të faturës. Në momentin që përfitohet ulja, moment i cili mund të jetë në një periudhë tjetër tatimore furnizuesi lëshon një faturë tatimore me TVSH (notë krediti) për blerësin ose klientin duke evidentuar në të:
– Dukshëm shënimin “faturë korrigjuese – notë krediti”;
– Të dhënat e faturës që korrigjon si nr. fature, nr. serial, datë, etj.;
– Vlerat saktësuese përkatëse përkatësisht në rastin e një ulje duhet të jenë me vlera negative;
– Të shkruhet arsyeja e korrigjimit të vlerës së furnizimit.
Kjo faturë regjistrohet prej shitësit në kutitë përkatëse të librit të shitjes si shitje me TVSH. Vlerat regjistrohen me shenjë negative dhe i zbriten vlerës së shitjeve dhe TVSH përkatësisht.
Blerësi nga ana e tij këtë faturë korrigjuese e regjistron si vlerë negative në kutitë përkatëse të blerjeve me TVSH dhe ia zbret vlerës së blerjeve dhe TVSH përkatëse.
Në rastin kur kemi të bëjmë me faturë korrigjuese, vlera e korrigjuar i shtohet përkatësisht vlerave të shitjes nga ana e shitësit dhe atyre të blerjes nga ana e blerësit.
Për të konsideruar të saktë procedurën e kryer kërkohet që:
Fatura e re që anulon, zëvendëson ose korrigjon të mëparshmen duhet të përmbajë referencën e saktë të faturës fillestare dhe shënimin e anulimit të kësaj të fundit. Përveç kësaj, ajo duhet të përmbajë tërësinë e informacioneve që përmban një faturë tatimore si dhe vlerat përkatëse të korrigjuara.
Në rastin kur lëshohet nota e kreditit, ajo duhet të përmbajë referencën e faturës fillestare dhe të tregojë shumën e uljes së miratuar, si dhe shumën e TVSH korresponduese.
Përveç kësaj, nota e kreditit duhet të përmbajë të dhënat identifikuese të palëve, si dhe vlerën e furnizimit dhe TVSH e detyrueshme pas zbatimit të reduktimit të çmimit. Të evidentohet qartë edhe vlerat përkatëse të zbritjes.
Në të njëjtën kohë, klienti blerës i tatueshëm me TVSH, nëse e ka kryer zbritjen e TVSH që figuron në faturën fillestare, është i detyruar të reduktoje (ulë) shumën e kësaj zbritje sipas shumës së tatimit që figuron në notën e kreditit.
Shembull:
Shënim. Firma Pr. në datën 30.07.2017 furnizon klientin e saj Bar “Tirana” me 500 litra pije freskuese me çmim për njësi 40 lekë. Ajo lëshon faturë tatimore kur kryen furnizimin. Pas kryerjes së furnizimit në datën 1 gusht 2017 shitësi konstaton se mes pijeve të dërguara një sasi prej 100 litrash i përkasin një lloji pijesh freskuese që kanë një çmim 50l/litër. Atëherë në këtë rast firma Pr. duhet të lëshojë një faturë korrigjuese – notë debiti me qëllim rregullimin e detyrimit të TVSH. Pr. do të paguajë TVSH-në shtesë ndërsa Bar “Tirana” ka të drejtë të zbresë shumën e TVSH-së së korrigjuar me notë debiti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.