Një fond ekstra prej 1 milion eurosh do të shkojë për 55 federatat pjesëtare të UEFA-s. Këtë lajm e bëri të ditur presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili e ka motivuar këtë zgjedhje të pazakontë me “rezultatet mjaft të mira financiare të kompeticioneve të ekipeve kombëtare” gjatë vitit 2016.
Në Kongresin e 41-të të UEFA-s që po zhvillohet në Helsinki, numri një i UEFA-s nënvizoi se gjatë sezonit 2015-2016, UEFA ka pasur fitime deri në 102,1 milionë euro, kjo falë Kampionatit Europian që u zhvillua në Francë.
Lajmi për dhënien e këtij fondi ekstra erdhi përpara se kongresi të zgjidhte pjesëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s: drejtorin e përgjithshëm të Federatës Italiane të Futbollit, Michele Uva, presidentin e federatës polake, Zbigniew Boniek, suedezin Karl-Erik Nilsson dhe irlandezin John Delaney. Kongresi miratoi në unanimitet ndryshimet në Komitetin Ekzekutiv. Në fjalën e tij, presidenti Ceferin theksoi se “ky është momenti i duhur për të reformuar futbollin europian. Për ta thënë me pak fjalë, paraja nuk komandon gjithçka, duke iu larguar përfundimisht idesë së Superligës Europiane propozuar nga klubet më të mëdha në Europë.
Formula për të vazhduar të korrin suksese në të ardhmen sintetizohet me këto fjalë nga numri një i futbollit europian: “eficiencë, thjeshtësi dhe kreativitet”.
Për Ceferin, rregullat e vendosura mbi Fair Play Financiar do të vazhdojnë të jenë elementi kyç në misionin që ka UEFA. “Fair Play Financiar ka qenë një mjet jashtëzakonisht efikas në uljen e borxheve të klubeve. Ky duhet të jetë një mekanizëm mbështetës në promovimin e një drejtësie dhe stabiliteti më të madh, por edhe me më shumë investime”, – nënvizoi Ceferin.
“Me 10 milionë futbollistë të regjistruar në botë dhe qindra mijë tifozë – ky sport përfaqëson lëvizjen më të madhe sociale në Europë. Në një botë me paqartësi dhe një shoqëri dyshuese, ne përfaqësojmë sigurinë. Së bashku mund të respektojmë dhe mbrojmë ata që merren me këtë sport çdo ditë – tifozë, vullnetarë dhe gjeneratat e reja. Mos e harroni asnjëherë që, në emër të tyre, duhet të vijojmë objektivat e së ardhmes” – përfundoi Ceferin.
*Në foto, Aleksander Ceferin