Një vendim i bujshëm dhe historik në të njëjtën kohë pritet të jepet nga UEFA për ekipin e Skënderbeut, i cili ka fituar 6 nga 7 kampionatet e fundit të Superligës Shqiptare. Siç raportohet nga “Goal.com”, ekipi pritet të përjashtohet nga UEFA për 10 vjet nga të gjitha kompeticionet europiane.
Skënderbeu jashtë kompeticioneve europiane, UEFA pritet ta dënojë klubin korçar me 1 milion euro gjobë
Lajmi bëhet i ditur nga institucioni më i lartë i futbollit europian, i cili kërkon ta gjobisë ekipin korçar me 1 milion euro. Arsyet pse UEFA ka vendosur të dënojë ashpër klubin e Skënderbeut datojnë që prej vitit 2016, kur Skënderbeu akuzohej për ndeshje të trukuara në Kategorinë Superiore. Titulli i fituar në sezonin 2015/16 i është hequr klubit në fillim të vitit të kaluar.
Nuk është hera e parë që ekipi i Skënderbeut përjashtohet nga kompeticionet europiane, sepse në sezonin 2016/2017 u dënua me mospjesëmarrje në Ligën e Kampionëve, një vendim i përkohshëm, që priste përfundimin e hetimeve.
Pasi u morën në shqyrtim të gjitha provat e nevojshme për të gjykuar rastin, UEFA vendos t’i japë një “shuplakë” klubit korçar duke e pezulluar me 1 vit jashtë garave europiane. Tani vendimi i takon Komisionit të Apelit i cili do të shqyrtojë ankesën e Skënderbeut. Nëse akuzat e ngritura ndaj ekipit të Skënderbeut janë të vërteta, klubi nuk do të luajë në Europë deri në vitin 2028.