Ujë i rrezikshëm

27/03/2012 15:58 0 komente

Pasojat e ndotjes së ujërave të liqeneve dhe të zonave tona bregdetareBregdeti shqiptar dhe ujërat që lagin atë, si pjesë e ujërave të Mesdheut, janë një pasuri e vyer natyrore si për morfologjinë e klimës së tij, ashtu dhe për ekosistemet e pasura që përfshihen brenda tyre. Vlerat e përdorimit të ujërave tona bregdetare njihen si për anën rikrijuese të tyre, ashtu dhe për vlerat e shumëllojshme të produkteve natyrale e të kultivuara ushqimore që mund të shfrytëzojmë nga ato.Nëpërmjet aktiviteteve rikrijuese dhe banjave në liqene dhe në ujërat e zonave bregdetare, mund të përballesh me faktorë të shumtë patologjikë që rezultojnë si pasojë e shkarkimeve të pakontrolluara të ujërave të zeza në lumenj, liqene e dete sikurse dhe nga intensiteti i frekuentimit të plazhistëve apo gjendjes së tyre patologjike. Përqendrimi i lartë mbi normativat i mikroorganizmave patologjikë në ujërat e plazheve, rrit mundësitë e infeksionit që ato mund të shkaktojnë në trupin e atyre personave që lahen aty.Infeksionet patologjike shkaktohen nga: – kontakti i drejtpërdrejtë me rërën apo ujin e ndotur të detit, i plagëve të hapura në trupin e plazhistit;- gëlltitja e ujit të ndotur. Kjo pasohet me shqetësime të aparatit frymëmarrës të sipërm sikurse me simptoma të bronshitit, faringitit, irritime të gojës e të grykës dhe infeksione të mukozës së syve; ose pasohet me shfaqjen e sëmundjeve gastrointestinale, sipas llojit të parazitëve apo të enterobaktereve.Por duhet të gëlltitësh nga 10-50 ml ujë deti gjatë banjave që të krijohet mundësia e marrjes së infeksioneve gastrointestinale, sepse një sasi e tillë uji arrin të përmbajë dozën e enterobaktereve patogjene të domosdoshme. Për salmonelën që është organizëm saprofit, doza e ujit duhet të përmbajë nga 100 000- 1 000 000 organizma të tillë. Kjo shifër është pothuajse e pamundur, pasi një sasi kaq e madhe është vështirë të gjendet në këtë volum uji të kripur. Në ujërat e ëmbla të liqeneve mundësia e infektimit sigurisht është më e madh. Pra, salmonela shfaqet te njeriu kryesisht nëpërmjet të ushqyerit me mish të infektuar (kryesisht pulat), apo me produkte deti të paziera mirë, sikurse janë molusqet (lamelibrankiatet) etj., që për nevojat e të ushqyerit të tyre filtrojnë gjatë sezonit të nxehtë rreth 4 litra/orë ujë deti duke bioakumuluar mbi 1 000 000 mikroorganizma në trupin e tyre.Teorikisht, rreziku më i shpeshtë i shfaqjes së infeksioneve gastrointestinale nga uji i gëlltitur gjatë larjes, vjen si pasojë e kontaktit me format virusale gastrointestinale (Norwalk virus, SRP virus, astrovirus, adenovirus enterik etj.), ku doza e mundshme infeksionuese për ujin e gëlltitur aksidentalisht është nga 1-10 viruse të tilla. Kjo dozë është e mjaftueshme për të shkaktuar sëmundje me pasoja si: diarre, të vjellura, temperaturë të lartë, dhimbje koke etj. Megjithatë, kur flasim për dozën reale infektuese të tyre, duhet të merren në konsideratë dhe imuniteti gjenetik i individëve të veçantë që i rezistojnë më shumë apo më pak kufirit të kësaj doze dhe që varen gjithashtu nga gjendja shëndetësore e fiziologjike sikurse dhe nga kushtet e akomodimit të tyre. Raste të rralla janë evidentuar në të infektuarit me tifo, mononukleozë (temperaturë e lartë me qelbëzim të fytit) etj., sikurse dhe infeksione të shumta të lëkurës, si pasojë e banjave pranë zonave të shkarkimeve të pakontrolluara të ujërave të zeza në ujërat bregdetarë. Përvoja dhe shumë studime të kryera për këtë qëllim, kanë treguar se edhe për zona detare me mbingarkesë të kufizuar bakteriale e virusale, vetëm një numër minimal njerëzish mund të infektohen prej tyre. Kështu, zakonisht më të ndjeshëm janë: fëmijët deri në 5 vjeç, ata të rritur që vuajnë apo kanë kaluar sëmundje të tjera dhe kanë imunitet të dobët, gratë shtatzëna dhe pleqtë. E rëndësishme për plazhet tona dhe veçanërisht për sezonin e nxehtë, është pastrimi dhe ajrimi periodik i rërës së tyre me qëllim shmangien e përhapjes së infeksioneve të lëkurës sikurse dhe trajtimi paraprak i ujërave të zeza, apo shmangia e shkarkimeve të tyre nga këto zona.RREZIQET NGA DEGRADIMET AMBIENTALEMungesa e vazhdueshme e investimeve për trajtim të përshtatshëm të mbetjeve të ngurta e të lëngëta industriale e urbane dhe sidomos për zonat e mëdha urbane bregdetare, ka ndikuar në rritjen e vazhdueshme të shkallës së degradimit apo eutrofizimit të ujërave tona bregdetare sikurse në uljen e vlerave rikrijuese e produktive të tyre.Studimet dhe eksperimentet e shumta të kryera nga institute kërkimorë e shkencorë europianë për ujërat bregdetarë mesdhetarë të zonave të eutrofizuara, kanë treguar se parametrat mikrobiologjik të tyre janë zakonisht në nivele të pranueshme dhe pa pasoja të ndjeshme në shëndetin publik. Kjo sdo të thotë se të gjitha ato plotësojnë kushtet për tu shfrytëzuar si zona pushimi e banjash publike, pasi në zona të veçanta, eutrofizimi i ujërave të tyre ndikon jo vetëm në nivelin e O2 të tretur në të, por dhe në ngjyrën e kthjelltësinë e tij. Nga ana tjetër, llogaritur në masën e gjendjes trofike të tyre, kemi dhe shfaqjen e disa lloje algash, që në shumë raste përbëjnë një kërcënim si për shëndetin publik të pushuesve, ashtu dhe për vetë ekosistemet e tjera nënujorë.Kështu, ekzistojnë hipoteza të shumta që lidhen me efektet urtikante (irrituese, djegëse) të disa specieve të veçanta algash (Dinoflagjelatë, diatometë) që zhvillohen mirë në zona të ngrohta mesdhetare të eutrofizuara. Të tjera specie shkaktojnë ënjtje e skuqje të lëkurës të ngjashme me pickimet e insekteve (Cianoficetë). Biomasat algale të ujrave trofikë bregdetarë ndikojnë në shtimin e fitoplanktonit të këtyre ujërave që ushqehen me to. Shumë nga organizmat e këtij fitoplanktoni gjatë banjave, shkaktojnë dhe irritime të lëkurës që shpeshherë shoqërohen me ethe e rritje të temperaturës. Zhvillimi i algave dhe i fitoplanktonit në këto ujëra, krijon kushte për shtimin e meduzave dhe organizmave të tjera që përmbajnë qeliza urtikante, duke rrezikuar pushuesit gjatë banjave.Në kompensim, sa më i madh të jetë eutrofizimi i ujërave, aq më pak do të kemi fekalizim të tyre dhe efekte mikrobakteriale te njerëzit, pasi vetë algat japin efekte antibiozë që rrjedhin nga proceset metabolike të tyre. Kështu, mineralizimi i fekaleve dhe lëndëve të tjera organike që shërbejnë si ushqim mineral për rritjen e shumimin e algave të ndryshme, shoqërohet me intensifikimin e proceseve të fotosintezës së algave dhe si rezultat, shtimin e sasisë së O2 të tretur dhe efekte të tjera antibiozë. Kur sasitë e prurjeve të fekaleve dhe substancave të tjera organike në ujërat bregdetarë janë më të mëdha sesa fuqia absorbuese e algave të zonave trofike, granulometria e shtresave fundore të bregdetit fillon të dëmtohet progresivisht duke krijuar shtresa melmoze (llum i rrëshqitshëm). Kërcënohen kështu deri në zhdukjen e tyre tërë ekosistemet e tjera nënujore të zonës, bashkë me lëndinat makrofite të zonave fundore, që janë dhe baza e popullimit të llojeve të ndryshme të peshqëve. Për të shmangur këtë fakt, është e domosdoshme për qytetet bregdetarë, trajtimi i përshtatshëm i ujërave të zeza në impiante të posaçme, para shkarkimit të tyre në lumenj apo në det. Në rastet e shkarkimeve të pakta të tyre direkt në det (për qendra të vogla banimi), tubacionet duhet të futen 1-2 km larg bregut dhe në zona të thella ku rrihen nga valët dhe ku shpërndarja e ujërave të zeza (të përpunuara ose jo) të bëhet më efikase. Zbatimi i projekteve të mëdha koncesionare e të qëndrueshme të zonave tona turistike që duhen stimuluar në të ardhmen, duhet të parashikojnë detyrimisht investime të veçanta për kanalizimin e ujërave urbanë për ti dërguar në impiantet më të afërta apo në thellësi të detit, duke garantuar kështu cilësi të ujërave balnearë dhe ambienteve turistike, shëndet të mirë të turistëve dhe rritjen e të ardhurave buxhetore të shtetit.Politikat denigruese dhe korruptive që vazhdojnë edhe sot të gërryejnë gjithë ekonominë e vendit duket se mbështesin degradimin e zonave turistike dhe eutrofikimin e ujrave bregdetarë. Dhe pse shkarkimet e ujërave të ndotur industrialë janë minimizuar, si pasojë e falimentimit të industrisë së rëndë ekzistuese (përjashto diçka në industrinë naftënxjerrëse e përpunuese), abuzimet me ndërtimet; neglizhencat për shkarkimet e ujërave të patrajtuar urbanë e industrialë, të plehrave dhe të inerteve në ujërat bregdetarë; dëmtimi i ekosistemeve bregdetare, i zonave të mbrojtura bregdetare, brezave pyjorë bregdetarë dhe pyjeve në përgjithësi me pasojë gërryerjen e tokës dhe mbathjen e bregdetit, po e çojnë gjithmonë e më tepër atë drejt degradimit me pasoja të rënda social-ekonomike. Prandaj për zonat bregdetare me vlera të mëdha turistike, duhet patjetër të konkurrohet me projektpropozime zonale koncesionare dhe jo për më pak se 10 hektarë, me gjithë koston e lartë që mund të ketë prishja e ndërtimeve të kryera pa kriter deri tani. Kjo duhet të realizohet me pjesëmarrjen e investitorëve potencialë dhe pronarëve të ligjshëm të tokave, apo objekteve ekzistuese, si aksionerë në këto koncesione. Përparësitë e dhënies me koncesion të këtyre zonave janë tepër të mëdha për një shtet të dobët ekonomikisht e institucionalisht. E gjithë infrastruktura e rehabilitimi i këtyre zonave, merret përsipër gjithmonë nga koncesionari pas një vlerësimi të plotë ambiental dhe kriteresh të përcaktuara për garantimin e higjienës dhe mjedisit. E rëndësishme për këto zona është; përcaktimi i distancave nga autostradat dhe nga vija bregdetare; distancave të objekteve industrialë, porteve, aeroporteve, të magazinave e depozitave të mëdha të karburanteve etj. Projektet e zbatimit të qëndrave turistike duhet të përfshijnë detyrimisht respektimin e limiteve të përcaktuara për sipërfaqet e gjelbërta, parkimet, terrenet sportivë e rikrijues, ambientet sa më komodë e estetikë, shërbimet, trajtimet e shkarkimet e mbetjeve të tyre etj., sipas një vlerësimi të përshtatshëm mjedisor. VLERËSIMI I STANDARDEVEVlerësimi i standardeve të ujërave bregdetarë të destinuar për banja publike e aktivitete të tjera rikrijuese, bëhet jo vetëm mbi bazat e vlerave të fiksuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe projektet e MEDPOL-it (komisioni Bilthoven, për vendet e Mesdheut që pranojnë standarde të 1000 koliforme fekale/100ml ), por dhe mbi bazën e vlerave më të ulëta të secilit vend të përparuar evropianë, që kërkon standarde të larta të turizmit e të ambientit. Kështu, Italia zbaton politika me zbatim kriteresh tepër rigorozë higjieno-sanitar e ambiental, mbështetur në direktivat e Bashkimit Europian (100 koliforme fekale/100ml dhe mungesë totale e enteroviruseve për 10 litra). Kufiri i propozuar nga Stevenson në vitin 1950 për cilësinë e ujërave bregdetarë ishte 2300-2400 koliforme total/100ml. Duke ditur se koliformet fekalë përfaqësojnë rreth 18% të koliformeve total, vlera e përqendrimit të tyre do të arrinte në 400 koliforme fekale/100ml. Më pas, për rritjen e standardit të cilësisë së ujërave balnearë, autoritetet europiane sanitare e përgjysmuan këtë normativë duke e ulur në 200 koliforme fekale/100ml. Studimet e Geldreich-it tregojnë se në asnjë rast kufiri i 1000 koliformeve fekalë/100ml nuk duhet lënë të tejkalohet, pasi rreziku i infeksionimit bëhet tepër i mundshëm. Përkujdesja për ruajtjen e cilësisë së ujërave të liqeneve dhe atyre bregdetarë brenda këtyre parametrave, fillon qysh në zonën pasbregdetare me kontrollin e shkarkimeve të inerteve, pesticideve e kimikateve, ujërave industrialë e urbane si dhe me zbatimin e kritereve e normativave rigoroze të vendosura për këtë qëllim. OBSH ka përcaktuar kriteret lidhur me çertifikimin e cilësisë së plazheve, sipas numrit të yjeve për secilin. Kështu, nëse një zonë e ndërtuar rikrijuese bregdetare që kërkon të vlerësohet me 5 yje, duhet të plotësojë kushtet maksimale higjieniko-ekologjike të ambienteve dhe të ujërave bregdetarë, të komoditetit, cilësinë e shërbimeve etj., duke llogaritur dhe numrin e pushuesve për sipërfaqen e zonës bregdetare të planifikuar në dispozicion. Për plazhet tona, as që bëhet fjalë për vlerësime të tilla.KORRELACIONI NDËRMJET CILËSISË SË UJËRAVE BREGDETARE DHE PRODUKTEVE USHQIMORE TË DETITAkoma edhe sot ekziston një mendim i kundërt ndërmjet higjieno-ekologjistëve dhe kultivuesve të peshkut, lidhur me shkarkimet e ujërave të zeza në det dhe akuakulturën. Specialistët europianë të peshkimit mendojnë se ujërat e zeza duhet të shkarkohen në det të patrajtuara, pasi Deti Mesdhe, bazuar në statistikat analitike europiane, është një nga detet më të varfër për vlerat ushqimore të faunës së tij. Higjienistët dhe ekologjistët, mbështetur në studime shkencore të vazhdueshme e krahasuese, smund të jenë dakord kurrsesi dhe pse realisht prurjet e fekaleve mund të shërbejnë si ushqim për peshqit. Kështu, ata mendojnë se prurjet e patrajtuara të fekaleve, jo vetëm përshpejtojnë degradimin e bregdetit, por ndikojnë edhe në shtimin e sëmundjeve te peshqit duke transmetuar te njerëzit që ushqehen me to ndotësa e pasoja të tjera si: Ndotësa kimikë (metale të rëndë, kimikate e pesticide); Biotoksina të prodhuara nga algat blu, dinoflagjelatët etj.; Ndotësa biologjikë si; baktere, virusë, protozoarë, krimba etj.Sipas verifikimeve të shumta konstatohet se krimbi heterophyes, tepër i zakonshëm te peshqit dhe disa nga molusqet e zonave të ndotura, gjendet në 90% të fëmijëve, 22% e të rriturve dhe të shumicës së kafshëve që ushqehen me ato. Simptomat që shfaqen në këtë rast te njerëzit janë; dhimbje barku, diarre, dhimbje koke, të vjella e pak temperaturë. Edhe vetë zhvillimi i akuakulturës pranë zonave turistike, përbën një faktor ndotës duke e kthyer atë në mjedis të pasigurtë. Kultivimi artificial intensiv i peshkut pranë zonave turistike ka rrjedhoja në disa aspekte:- Shkarkime bruto lëndësh organike ushqyese si ushqim për peshqit;- Ndotje me kimikate dhe medikamente me efekte toksike për të luftuar sëmundjet e ndryshme të peshqëve;- Turbullimin e ujërave dhe eutrofizimin e tyre si rezultat i përdorimit të ushqimeve të bluara e të skaduara, ku një pjesë e mirë e tyre dekantojnë në fund të detit duke turbulluar dhe duke e stimuluar eutrofizimin e ujërave.Një ambient i ngarkuar kështu dhe pak a shumë i transformuar, do të ndikojë më pas në zhvillimin e florës bakteriale saprofite që do të aktivizohet në dekompozimin anaerobik të këtyre mbetjeve organike duke rritur përqendrimin e amoniakut në ujë dhe efektet toksike të tij në faunën dhe florën e ujërave. Disa nga këto mikroorganizma dhe pse sjanë pathogjene (sensu stricto), bëhen të tillë në kushte të caktuara stresi. Kështu pseudomoniaset, nga stresi ambiental i krijuar, sulmojnë faunën e peshqëve të këtyre ujërave. Pasteurella piscicida dhe plesiomonaset spostohen duke sulmuar zonat me produktivitet të lartë të fitoplanktonit. Po kështu, feçet e peshqëve të këtyre zonave, sipas kushteve dhe ushqimit që ato kanë marrë, bëhen shpesh përcaktues në përhapjen e infeksioneve pathologjikë te njerëzit.Po kështu, në zonat ku zhvillohet akuakultura dhe ka filluar eutrofizimi, vërehet një shtim i algave, disa nga të cilat i përshtaten streseve ambientale duke prodhuar efekte toksike mbrojtëse që ndikojnë negativisht te plazhistët e këtyre zonave. Veçanërisht, në fund të sezonit të nxehtë kur fitoplanktoni vdes, vihet re një mangësi e O2 të tretur në ujë që sjell për pasojë shfaqjen e ipozisë dhe anozisë te peshqit e këtyre zonave (vështirësi në frymëmarrje) dhe detyrimisht dëmtimin e spostimin e tyre. Ndikimet negative ambientale nuk duhet të nënvlerësohen as nga gjuetia intensive dhe e pakontrolluar e faunës dhe florës së zonave ujore bregdetare, veçanërisht për rastet kur përdoren mjete të sofistikuara të shfarosjes së tyre duke shkatërruar habitatet me pasojë degradimin e këtyre zonave.Megjithë dëmet ekologjike që sjell eutrofizimi i zonave të caktuara, sduhet të harrojmë dhe vlerat e veçanta ushqimore, industriale, farmaceutike e kozmetike të disa llojeve të algave që rriten apo kultivohen në këto zona. Kështu, përmendim Gracilliaria verrucosa dhe Ulva rigida, që rriten në zona fundore të pasura me lëndë organike dhe që mund të përdoren mjaft mirë si ushqim për kafshët. Po kështu, Ulva lactuca, po të dish si ta gatuash mund ta përdorësh si ushqim edhe për njerëzit. Alga si Spirulina, përmbajnë deri në 70% proteina dhe mund të konsiderohen si një bombë e vërtetë energjie. Nga të tjera alga me veti antiseptike mund të prodhohen substanca antibiotike apo aromatike për industrinë farmaceutike dhe kozmetikën.KONKLUZIONENjë etikë higjieno-ambientale përdorimi e shfrytëzimi për zonat dhe ujërat bregdetarë ruan pa i degraduar këto trashëgimi të çmuara të natyrës edhe për brezat e ardhshëm. Për të arritur nivelet e kësaj etike duhet të vlerësojmë përkujdesjet e zonës pasbregdetare, pasi ujërat bregdetarë janë terminali i fundit ku përfundojnë të gjitha prurjet natyrore bashkë me mbetjet e tjera të veprimtarisë antropogjene. Një zhvillim socialekonomik i qëndrueshëm pasqyrohet jo vetëm në shfaqjen ekonomike dhe konfortin e jetës së secilit prej nesh, por dhe në ruajtjen e rezervave e të cilësive ekologjike për të gjitha burimet natyrore. Të lemë pra në trashëgimi të brezave pasardhës, vlera më cilësore natyrore nga sa i kemi gjetur prej paraardhësve tanë.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.