Një nga problemet e vështira me të cilat po vazhdon të përballet Ballkani Perëndimor është sektori i ujit. Edhe pse me burime të pasura hidrike, menaxhimi është sfidë. Në këtë kuadër, Shqipëria dhe Kosova kanë krijuar një platformë të përvitshme diskutimi dhe ekspozimi, ku trajtohen çështjet më me rëndësi, me pjesëmarrjen edhe të ndërkombëtarëve. Në edicionin e katërt, që u mbajt në Tiranë nga data 2 – 4 nëntor, ky event ballkanik arriti të tërhiqte vëmendjen e duhur dhe përmbushi qëllimin e tij
Në Tiranë, u zhvillua nga data 2 – 4 nëntor, në “Expo City Albania” konferenca dhe ekspozita e katërt e përbashkët ballkanike, e cila iu dedikua ujit. Një çështje e cila është në të njëjtën linjë me temën e Ditës Botërore të Ujit për vitin 2016 nga UN Water, “Uji dhe punësimi” (Water and Jobs).
Në këtë event, që u organizua nga Shoqata Ujësjellës-Kanalizime e Shqipërisë (SHUKALB) dhe Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës (SHUKOS) u risollën në vëmendje sfidat e shumta me të cilat po përballet ky sektor në këtë rajon.
Konferenca dhe ekspozita e përbashkët ballkanike pati një audiencë të gjerë dhe pjesëmarrje ndërkombëtare. Nuk ishte rastësi që u shndërrua në eventin më të madh rajonal për ndarjen e përvojave dhe të komunikimit nga shumë aktorë të tregut, institucione shtetërore e private, por edhe sipërmarrje që i përkasin kësaj fushe. Me një audiencë prej 450 pjesëmarrësish, konferenca ofroi një platformë ku profesionistët e ujit, politikëbërësit, drejtues autoritetesh, ofrojnë këndvështrime të ndryshme për të ndihmuar më tej zhvillimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe të kanalizimeve në rajonin e Ballkanit.
Ky rajon, edhe pse i pasur me burime hidrike, vuan ende nga problemet me furnizimin me ujë të pijshëm, si dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Integrimi në procesin europian kërkon që të realizohen reforma të thella që padyshim kanë kosto të larta e që duhet të përballohen nga buxhetet modeste të këtyre vendeve, së bashku me donatorë të ndryshëm ndërkombëtarë.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga rreth 16 vende të ndryshme. Folës të rëndësishëm të këtij forumi ishin edhe profesor Guy Alaerts, UNESCO – IHE, Instituti për Ujin dhe Arsimin dhe profesor Silver Mugisha, drejtori menaxherial i Kompanisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve të Ugandës.
Një element i rëndësishëm i këtij eventi të përvitshëm është edhe panairi. Në të u prezantuan produkte dhe shërbime nga 26 kompani private që i përkasin sektorit të ujit, pompave, matjeve, aksesorëve dhe pajisjeve të ndryshme etj. Kompanitë vinin nga vende të ndryshme, si: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bullgaria, Gjermania, Austria, Danimarka, Hungaria dhe Izraeli.
Drejtuesit e Shoqatës së Ujësjellës-Kanalizimeve të Shqipërisë (SHUKALB), bashkorganizatore e këtij eventi, thonë se kjo është një ngjarje e rëndësishme për sektorin dhe interesi për të marrë pjesë në të rritet nga viti në vit. Ata nënvizojnë se pjesëmarrësve u krijohet mundësia që të shkëmbejnë përvojat edhe me ekspertë nga SHBA-ja, të cilët janë të angazhuar në një nga projektet që kjo shoqatë zbaton së bashku me USAID, e që ka të bëjë me zhvillimin e qëndrueshëm të kapaciteteve në sektorin e ujit në Shqipëri. Këta ekspertë kanë përvoja të shumta në cilësinë e ujit, trajtimin e ujërave të ndotur, menaxhimin e Shoqërive Ujësjellës-Kanalizime, si dhe certifikimin e operatorëve.
Vende të tilla si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ende vuajnë problemet me ujin e pijshëm, për shkak të mungesës së furnizimit 24 orë të popullatës, gjë e cila sjell kosto shtesë dhe është e rrezikshme. Patricia Lopez, drejtuese e Programit të Danubit për Ujin, në Bankën Botërore, thotë se sipas një studimi të ndërmarrë është vërtetuar se të varfrit janë ata që paguajnë kosto më të larta sesa të pasurit kur bëhet fjalë për furnizimin me ujë të pijshëm. Sipas saj, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të gjejnë mekanizma që të mbështesin furnizimin e qëndrueshëm, por edhe të trajtojnë problemet. Si çështje të rëndësishme që, sipas znj. Lopez, duhet të merren në konsideratë, janë identifikimi i familjeve të varfra dhe subvencionimi i tyre.
Për Ylbert Mirtën, përfaqësues i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoni, është bërë e mundur që një pjesë e mirë e legjislacionit të përafrohet me atë të Bashkimit Europian. Vlerat e investimeve që kërkohen, parashikohen në rreth 260 milionë euro për rrjetin e ujit të pijshëm, ndërsa për rehabilitimin e kanaleve të ujërave të zeza në rreth 325 milionë euro. Sipas z. Mirta, reforma që po ndërmerr qeveria shtrihet si në nivel qendror, ashtu edhe lokal.
Në Kosovë, gjithashtu procesi për harmonizimin e legjislacionit me BE-në është dinamik. Afrim Lajçi, përfaqësues i Këshillit Administrator të Ujërave, tha se po punohet në përafrimin e dy direktivave, për ujin e pijshëm dhe për trajtimin e ujërave të ndotur. Sipas z. Lajçi, mbetet sfidë zbatimi i tyre, sepse kërkohen kapacitete dhe investime të larta. Për 20 vitet e ardhshme, Kosova duhet të investojë rreth 1.5 miliardë euro. Një pjesë e këtij investimi do të duhet të realizohet nga buxheti i shtetit, i cili duhet mesatarisht të financojë rreth 1% të tij për të arritur objektivat. Kosova, në anën tjetër, është duke zbatuar edhe programin për subvencionimin e shtresave në nevojë.
Shqipëria gjithashtu ka bërë hapa përpara në përafrimin e legjislacionit me BE-në, por mbetet problematik furnizimi me ujë 24 orë.
Evis Gjebrea, përfaqësuese e Shoqërisë Ujësjellës – Kanalizime në Tiranë, thotë se gjatë vitit 2015, arkëtimet ishin në masën 107%, gjë e cila solli edhe një performancë të mirë. Sipas saj, sfidë mbetet reduktimi i humbjeve teknike dhe administrative. Për UKT-në, tha znj. Gjebrea, një tjetër sfidë është mbulimi i kostove mjedisore që nuk janë të përllogaritura në faturim dhe që vijnë si një kërkesë e direktivave të BE-së. UKT pritet që shumë shpejt të ketë gati një plan biznesi pesëvjeçar, i cili do të realizohet në bashkëpunim me USAID. Sipas znj. Gjebrea, furnizimi me ujë të pijshëm në qytetin e Tiranës është rritur në 14 orë, ndërsa problem shqetësues mbeten depozitat.
Një nga aktorët e rëndësishëm të këtij tregu është Shoqata e Ujësjellës – Kanalizimeve të Shqipërisë, e cila është krijuar në vitin 2000, e cila synon të përmirësojë menaxhimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në Shqipëri, për ta bërë eficient, të qëndrueshëm, efektiv dhe në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.
SHUKALB ka katër objektiva kryesorë: mbrojtjen e interesave kolektive të profesionistëve të ujit në Shqipëri; shërben si lider në ofrimin e njohurive, zhvillimin profesional dhe rrjetëzimin; investon në kohë dhe burime për rritjen e ndërgjegjësimit dhe tërheqjes së brezit të ri për të zhvilluar karrierën e tyre profesionale në sektorin e ujit; një forcë pozitive për nxitjen e mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe partneritetit rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Shoqata realizon konferenca vjetore dhe ekspozita, siç është kjo që u mbajt pak ditë më parë në “Expo City Albania”, por edhe konferenca të specializuara në partneritet me Shoqatën Ndërkombëtare të Ujit. Ajo u siguron pjesëmarrësve mundësi unike për të mbledhur dhe për të diskutuar mbi çështjet aktuale dhe për të prezantuar përqasjet e tyre praktike te kolegët.
SHUKALB ka edhe programe të dedikuara, siç janë ato që kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin e fëmijëve mbi ujin, mbi Ditën Botërore të Monitorimit të Ujit, atë të stazhit veror të studentëve të universiteteve, por edhe Ditën Botërore të Ujit (DBU) e cila festohet çdo vit më 22 mars, e që cilësohet si një mundësi unike për të tërhequr vëmendjen dhe për të krijuar mundësi që të ndërgjegjësojë si qeverinë, shoqërinë civile, edhe individët që të ndërmarrin veprime.
Gjithashtu SHUKALB ndjek grante të projekteve, të cilat krijojnë vlera në shkëmbimin e njohurive në sektorin e ujit dhe mundësisë që profesionistët e rinj të fitojnë më shumë përvojë në profesionin e tyre.
Ndër projektet e rëndësishme është edhe ai që ka të bëjë me zhvillimin e qëndrueshëm të kapaciteteve të sektorit të ujit në Shqipëri për periudhën 2014 – 2017. USAID i ka dhënë SHUKALB një grant për të mbështetur përmbushjen e Misionit të Objektivit 4 të Strategjisë Kombëtare në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizime (2011 – 2017) dhe në veçanti përmbushjen e masës prioritare 4.a: “Krijimi i një programi kombëtar trajnimi dhe certifikimi duke synuar përmbushjen e kërkesave të të gjithë shoqërive që operojnë në fushën e ujit. Projekti do të krijojë një program të institucionalizuar trajnimi, i cili financiarisht do të jetë i qëndrueshëm dhe do të përdoret, jo vetëm për certifikimin e kandidatëve bazuar në teste kualifikuese, por edhe për të mbështetur operatorët e certifikuar dhe teknikët e kualifikuar në këtë fushë, për të përmirësuar vazhdimisht aftësitë e tyre.
Aktualisht, në sektorin e ujit, ka mungesë trajnimesh për forcën punëtore. Investimet e reja kërkojnë profesionistë të mirë, të kualifikuar, të cilët të jenë në gjendje të operojnë dhe t’i mbajnë në mënyrë të qëndrueshme. Projekti do të adresojë këtë hendek nevojash për trajnimin, duke zhvilluar një gamë të plotë kursesh trajnimi, duke mbuluar çështjet teknike dhe menaxheriale të shoqërive të ujësjellës–kanalizimeve.
Rezultatet priten të jenë të larta dhe përfshijnë: zgjerimin e inventarit të kurseve të trajnimit, plotësisht të dokumentuara, minimalisht me 40 kurse të reja që do të jepen të paktën një herë në vit; krijimin e një grupi trajnerësh lokalë, të aftë për të zhvilluar kurse; hartimin e kurseve në mbështetje të programit të certifikimit, i cili do të administrohet nga qeveria shqiptare; marrëveshje kontraktuale afatgjatë me kolegjin “Harry Fultz” për kryerjen e trajnimeve, duke përdorur ambientet e tij; forcimin e kapaciteteve të vetë shoqatës, duke përfshirë edhe bordin drejtues.
SHUKALB bën të ditur se, përmes këtyre programeve, do të realizohet një ndikim pozitiv te fuqia punëtore e sektorit të ujit me kualifikimin e mëtejshëm të saj.
Në lidhje me programin e certifikimit, ai do të bazohet te testimi i stafit. Certifikimi verifikon se profesionistët që punojnë në këtë sektor kanë njohuritë e nevojshme për të përmbushur detyrat me përgjegjësi në nivelin e testuar.
Ai është një proces me të cilin, një organ i autorizuar, organizatë qeveritare dhe joqeveritare, vlerëson dhe njeh një kandidat për certifikim atëherë kur përmbush kushtet dhe kriteret paraprake.
Programi i Certifikimit Bazuar në Testim do të sigurojë përmirësimin e shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizime, duke mbrojtur në këtë mënyrë shëndetin publik. Për shoqëritë, certifikimi i stafit do të thotë operim efektiv, ruajtje e vlerave të pajisjeve, infrastrukturë të qëndrueshme dhe racionalizim të kostove për një shërbim cilësor. Ky program është një mënyrë për të investuar në trajnimin e burimeve, të cilat përmbushin standardet ndërkombëtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.