ë shumë se ujë, tubat e ujësjellësve në të gjithë vendin transmetojnë pasiguri për të ardhmen. Kostot e tyre sa vijnë e rriten, ndërsa administrimi përkeqësohet. Ndërsa shpenzojmë shumë më tepër për të blerë ujë se sa ai që vjen në rubinet, fatura mujore vjen për një ujë që nuk pihet e që i kushton edhe buxhetit të shtetit. Mes 57 ndërmarrjeve, 13 nuk janë të licencuara e kanë edhe probleme me tatimet
Një sektor që ka bërë zyrtarisht hapa mbrapa vitin e kaluar, është shërbimi publik i ujësjellës-kanalizimeve. Të dhënat e sektorit për vitin e kaluar janë përkeqësuar, dhe Enti Rregullator i Ujit fajëson bashkitë. Sipas drejtuesve të Entit, ndërmarrjet e ujësjellësve vijojnë të përdoren si strehë për punësime politike. Rezultati është se çdo vit zgjedhor, ndërmarrjet “fryhen” me të punësuar duke përkeqësuar bilancin e kompanive. “Me 9 të punësuar për 1 mijë lidhje, ujësjellësit në vendin tonë tejkalojnë çdo ndërmarrje ujësjellësi në rajon”, vëren Enti Rregullator i Energjisë në raportin e fundit të tij. Sipas të dhënave zyrtare, në të gjithë rrjetin në vend, vitin e kaluar u rritën kostot operacionale dhe të mirëmbajtjes me 6% ndërsa të ardhurat u rritën 1.5% krahasuar me një vit më parë. Kostot operacionale dhe të mirëmbajtjes së ujësjellësit në të gjithë vendin arritën 1.59 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat ishin 1.3 miliardë lekë.
Edhe pse është folur prej më shumë se një viti për reformë, ndërhyrjet në ujësjellës janë ndalur në vetëm disa shkurtime nga puna muajt e fundit. Sektori është i ngjashëm me atë të energjisë elektrike, i etur për investime dhe i ngopur me abuzime.
Si rrjeti i amortizuar i energjisë, edhe ai i ujësjellësit është i vjetër. Për më tepër, ndërhyrjet për shkak investimesh e lidhjesh të reja, i kanë shtuar dobësitë.
Nuk mungojnë shembujt e mirë. Qyteti i Korçës furnizon me ujë të pijshëm e për 24 orë banorët e saj. Kjo shpjegon edhe faturën më të shtrenjtë mujore që u mbërrin korçarëve. Nga llogaritë e Entit, korçarët shpenzojnë 4.6% të buxhetit të tyre për ujin e pijshëm. Aktualisht kostoja e shpenzimeve për ujin në një familje luhatet mes 1.7% deri në 4.6%. Ndërsa, Enti Rregullator, ka vënë si kufi nivelin 5% të të ardhurave. Pra, ajo cilëson të përballueshme vlerat e faturave mujore që nuk i kalojnë 5% të të ardhurave në zonën që mbulon ujësjellësi.
Rritja e kufizuar e çmimit
Nga moria e kërkesave, Enti Rregullator ka miratuar rritjen e çmimit të tarifave vetën për disa ujësjellës, të cilët kanë përmirësuar parametrat e tyre të menaxhimit.
Gjatë prezantimit të raportit të saj për gjendjen e ujësjellës-kanalizimeve në vitin 2015, kreu i Entit, Avni Dervishi, ka theksuar në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese se, “rritja e shkallës së mbulimit të kostove nuk duhet të arrihet vetëm nga rritja e tarifave”. Sipas tij, duhet edhe përmirësimi i menaxhimit, duke rritur eficiencën operacionale mes faturimit, arkëtimit të të ardhurave dhe kontrollit të kostove. Vitin e kaluar nga 57 shoqëri gjithsej, vetëm 19 shoqëri arritën të mbulojnë kostot e operimit dhe mirëmbajtjes. “Mesatarja e mbulimit të kostove është 79% dhe vetëm 6 shoqëri kanë arritur të mbulojnë 100% kostot”, vëren raporti i Entit. Këto shifra tregojnë se vitin e kaluar, niveli i mbulimit të kostove ka qenë më i ulët se një vit më parë dhe treguesi i vetëm që ka shënuar rritje është niveli i matjes.
Çdo vit, shumë shoqëri pa licencë
Edhe pse çështje procedurale, në fund është një certifikatë sigurie për klientët licencimi i një kompanie. Për më tepër kur flitet për shërbime jetike si uji, certifikimi është edhe më i rëndësishëm. Por, në ujësjellës vihet re se çdo vit ka kompani të palicencuara që vijojnë të kryejnë shërbimin. Nga 57 shoqëri për grumbullimin dhe shpërndarjen e ujit për konsum, Enti bën të ditur se aplikuan për licencë vitin e kaluar 23 shoqëri. 13 aplikime janë ende në proces. 43 operatorë kanë licenca të vlefshme, 7 janë në proces rinovimi, ndërsa 3 ujësjellësve u ka përfunduar afati dhe nuk kanë aplikuar. 4 të tjerë, sipas Entit janë pa licencë. Sipas drejtuesve të Entit Rregullator, problemi lidhet me mungesën e plotësimit të dokumenteve për licencim. Z. Dervishi, theksoi se “një prej problemeve është ndryshimi në masë të gjerë i drejtuesve ligjorë të shoqërisë”. Sipas tij, Enti kërkon që, “drejtuesit e pushtetit lokal, si pronarë të shoqërive të ujësjellësve, t’i bëjnë lëvizjet e drejtuesve të këtyre shoqërive duke u bazuar te treguesit e performancës së shoqërisë, e veçanërisht menaxhimit”. Problemi haset më shumë te ndërmarrjet e vogla por edhe ndërmarrje të mëdha e në zona me rëndësi turistike si Vlora.
Enti: Rritja e tarifave nuk mjafton
Mbulimi i kostove totale do të kërkonte rritje të menjëhershme të tarifave, të cilat mund të mos përballen nga konsumatori. Synimi i Entit, sipas z. Dervishi “është së pari mbulimi i menjëhershëm i kostove të operimit dhe mirëmbajtjes, ndërsa mbulimi i kostove totale është objektiv më i largët. Vetëm rritja e tarifave nuk mjafton nëse nuk përmirësohet ofrimi i shërbimit”. Mbulimi i kostove nuk duhet të arrihet vetëm nga rritja e tarifave, vëren ERRU, por edhe nga përpjekjet sistematike për të ulur kostot e shërbimit duke rritur efikasitetin menaxhues dhe teknik. Sipas Erru, “shoqëritë nuk kanë bërë përpjekjet e duhura për të përmirësuar standardet”.
Ato pritet të jenë barrë e fondeve publike edhe për shumë kohë. Pavarësisht interesit të disa deputetëve për të ndjekur shembullin e ndarjes së administrimit të energjisë elektrike edhe tek ujësjellësi, kreu i ERRU-s theksoi se modeli më i suksesshëm vlerësohet të jetë gjetja e një balance dhe ekuilibri mes administrimit qendror dhe decentralizimit. Në 7-8 vitet e fundit i është dhënë përparësi decentralizimit, dhe sot ka nevojë për një kombinim theksoi Dervishi.
Edhe kjo për një furnizim të pjesshëm, e për më tepër, shpesh ujë i papijshëm. Rrjeti i amortizuar i ujësjellësit kërkon investime kolosale. Nga vlerësimet e Entit Rregullator nevojiten 6.4 miliardë euro për furnizimin pa ndërprerje të Shqipërisë me ujë të pijshëm.
Dopio të punësuar
Është i hershëm punësimi i tepërt në ujësjellës. Sipas autoritetit që rregullon tregun e ujit, numri mesatar i punonjësve për 1000 lidhje ka qenë 9.5 tre vite më parë dhe pas një zbritje të lehtë në 8.9 persona për 1000 lidhje, është rritur lehtësisht vitin e kaluar në 9 persona. Niveli i këtij treguesi është rreth dy herë më i lartë se në vendet e rajonit, duke rritur koston e shërbimit.
“Përqindjen më të madhe në totalin e kostove e zënë kostot e personelit, energjisë elektrike dhe amortizimit, prandaj edhe përpjekjet e shoqërive duhet të përqendrohen për të bërë të mundur uljen e këtyre shpenzimeve”, theksohet në raportin e Entit Rregullator. Me ritme më të shpejta vlerësohet të jetë rritur niveli i shpenzimeve personale. Në kostot e shërbimeve, 70% shkon për punonjësit dhe energjinë elektrike. “Në kostot e shërbimeve, rreth 35-40% janë punëtoria, 30% energjia elektrike”, vëren ERRU, ndërsa pjesa tjetër është e pandjeshme. “Duke bërë një program të detajuar ekonomik vetëm për këta dy tregues, vlerësohet se eficienca mund të përmirësohet ndjeshëm. Të dy këta tregues janë përkeqësuar vitin e kaluar krahasuar me një vit më parë. Për 2014-n, enti rregullator vëren se kostot e personelit zinin 35% të shpenzimeve ndërsa energjia elektrike zinte 26%. Mirëmbajtja dhe kreditë zënë 20%.
Dervishi vëren se bashkitë janë pronarë të këtyre aseteve dhe shërbimeve. Për arsye pragmatiste luajnë me këtë element, mendojnë se fitojnë, por në afatgjatë, zonës ku shërbejnë, i bëjnë dëm të madh, thotë ai.
Siç vërehet edhe nga grafiku, vitin e kaluar mbulimi i kostove totale ka rënë 8 pikë përqindje, duke zbritur nga 87% në 79%. Niveli i arkëtimeve ka qëndruar vendnumëro 91%, ndërsa niveli i matjes shënoi rritje të lehtë, duke arritur në 63%.
Vijon rekordi i humbjeve
Nga bilanci i 57 shoqërive të ujësjellësit, 68% është ujë pa të ardhura. Prodhohet, futet në sistem, bëhet një trajtim paraprak por nuk gjeneron të ardhura. Sipas ERRU-s, nga kjo rreth 45% janë humbje teknike, në pjesën e burimit, transmetimit, në rezervuarë e shpërndarje. Pjesa tjetër janë humbjet administrative, ku futen edhe lidhjet e paligjshme.
Shpenzojmë më shumë për ujin e paketuar
Një faturë e dyfishtë është ajo e ujit. Njëra që mbërrin çdo muaj dhe tjetra është më e shpeshtë përmes blerjes së ujit të paketuar. “Cilësia e ujit është çështje që kemi tentuar të merremi. Kemi bërë dy studime dhe rezulton që në shkallë vendi, shqiptarët shpenzojnë më shumë për të blerë ujin për të pirë, mbi 1 mijë lekë në muaj se sa uji i ujësjellësit”, vëren kryetari i Entit. Kjo është për të ardhur keq, sipas tij, “pasi kemi ujë me cilësi të pranueshme dhe shumë të mirë”. Faktorët që ndikojnë janë mbingarkesat e klorit, gjendja e rrjetit shpërndarës dhe depozitat në pallate. Për të gjitha këto arsye, duket mision i pamundur mbërritja e ujit të pijshëm në rubinete. “Do të ishte arritje e madhe që të arrijmë të konsumojmë ujë nga rubinetet, si ujë i sigurt. Kjo është sfidë”, theksoi Dervishi në raportimin e tij në Komision.
Furnizohemi me ujë rreth 11 orë në ditë
Shoqëritë duhet të kishin përfunduar instalimin e matësve për gjithë klientët jofamiljarë, por rezultatet tregojnë se ende mbi 23% e klientëve jofamiljarë marrin shërbime afrofe. Fatura shpesh më e lartë vjen edhe pse nuk është shtuar koha e furnizimit me ujë. Në shkallë vendi, konsumatorët janë furnizuar me ujë mesatarisht 11 orë në ditë. Një kohë kjo e ngjashme krahasuar me një vit më parë.
Keqmenaxhimi nuk ndalet këtu
Shoqëritë që na furnizojnë me ujë janë bërë disa herë pjesë e diskutimeve si për borxhet e energjisë elektrike, edhe për mungesën e pagesës së tatimeve. Të paktën 13 ndërmarrje publike ujësjellësish në të gjithë vendin u lanë vitin e kaluar barrë hipotekore, duke u përfshirë në listën e tatimpaguesve, detyrimet e të cilëve duhet të mblidhen me forcë. Në listë janë Ujësjellësit e Divjakës, Tepelenës, Beratit, Novoselës, Kavajës, Krujës, Patosit, Skraparit etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.