Interesat e kredive në lekë nuk kanë qenë asnjëherë kaq të lira sa sot. Sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë, në nëntor 2015, interesi mesatar i kredive të reja mujore në lekë, me afat maturimi mbi 5 vjet (ku përfshihen dhe huat për shtëpi që zakonisht janë afatgjata) zbriti në 5.53%, një nivel rekord historik i ulët ky. Për krahasim në janar të vitit 2009, të njëjtën hua e merrje me një interes 15%. Rënia e interesave në lekë nuk lë asnjë dilemë për monedhën me të cilën duhet të marrësh huan, ndërsa më parë konsumatorët preferonin huan në euro, që ishte me interesa të ulëta, por mbarte rrezikun e zhvlerësimit për të gjithë ata që i kishin të ardhurat në lekë.
Edhe statistikat e Bankës së Shqipërisë e tregojnë qartë, që tendenca e kredisë për shtëpi është orientuar drejt lekut. Stoku i huas në monedhën vendase ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke arritur në 41.3 miliardë lekë në fund të nëntorit, pothuajse dyfishim në raport me janarin 2009.
Në euro, stoku ishte 60 miliardë lekë në nëntor, me rënie 8% me janarin 2009.
Krahas interesave të lira në lekë, individët kanë shansin të paguajnë më pak komisione, apo dhe të përfitojnë afate më të gjata maturimi, çka bën të mundur që këstet mujore të jenë më të ulëta.
Banka e Shqipërisë, në vrojtimin fundit të aktivitetit kreditues, raporton se bankat vijuan të lehtësojnë standardet e kredive të akorduara individëve në tremujorin e katërt të vitit 2015. Përqindja neto e bankave që raportuan lehtësim të standardeve vlerësohet e rritur, nga 8.8% në tremujorin e mëparshëm në 13.3% në tremujorin në analizë. Sipas bankave, standardet rezultuan të lehtësuara si për kreditë për blerje banese (balanca vlerësohet në 13.3% nga 7.9% një tremujor më parë), ashtu edhe për kreditë konsumatore (balanca vlerësohet në 16.4% nga 14.0% një tremujor më parë). Bankat u shprehën se standardet e kredisë së akorduar individëve si për financimin e blerjes së banesës, ashtu edhe për financimin e konsumit, do të vazhdojnë të mbeten në kahun lehtësues në tremujorin e parë të vitit 2016.
Bankat u shprehën se raporti i këstit me të ardhurat vijoi të ndikojë në kahun lehtësues të standardeve, në të njëjtën madhësi si në tremujorin e mëparshëm. Gjithashtu, zvogëlimi i komisioneve vlerësohet të ketë ndihmuar lehtësisht në zbutjen e standardeve të kredidhënies.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.