Bankat kanë ulur normat e interesit të kredive dhe në mënyrë më të tjeksuar për individët por janë lehtësuar edhe kushtet dhe interesat e kredisë për bizneset. Konkluzioni i Bankës së Shqipërisë vjen pas analizës së ecurisë së intersave të aplikuara për kredinë e re në lekë të cilat kanë rënë në muajt korrik-gusht 2014.
Arsyet sipas Bankës lidhen me reflektimin e lehtësimit të vazhdueshëm të politikës monetare ashtu edhe rritjen e konkurrencës në tregun e kredisë.
“Normat e interesit të kredisë në lekë janë ulur më tepër për individët dhe më pak për bizneset. Interesi afatmesëm, i cili lidhet kryesisht me kredi konsumatore, ka rënë në mesatarisht 11.19% në muajt korrik-gusht nga 12.18% në tremujorin e dytë” bëhet e ditur nga raporti i politikës monetare të tremujorit të tretë të Bankës qendrore.
Krahas faktorëve të tjerë, thekson raporti, -ky segment është ndikuar dhe nga faktori sezonal. Interesat afatgjata gjithashtu kanë pësuar rënie me 0.74 pikë përqindje, në nivelin 7.82%, dhe kanë mbështetur si kredinë hipotekore për individët ashtu dhe kredinë për investime për bizneset.
Ngushtohen diferencat mes interesave të kredisë dhe depozitave në lekë
Banka e Shqipërisë vëren se interesat për depozitat në lekë janë rritur në muajt korrik-gusht si efekt i sezonit veror që zakonisht shoqërohet me dalje të depozitave. Interesi mesatar rezulton 1.89% në muajin gusht nga 1.79% në muajin qershor. Që prej një viti ai luhatet mesatarisht rreth 0.70 pikë përqindje nën normën bazë dhe reflekton situatën likuide të sistemit bankar.
Si pasojë primet e kërkuara mbi normat e interesit për instrumente me rrezik më të ulët kanë shfaqur prirje rënëse. Diferenca midis interesave afatgjatë të kredisë së re dhe yield-eve të obligacioneve 5-vjecare është ngushtuar në 1.19 pikë përqindje në muajt korrik-gusht nga 1.94 pikë përqindje në tremujorin e dytë. Diferenca midis interesit të kredisë dhe atij për mbledhjen e fondeve gjithashtu ka rënë në dy muajt e fundit. Ky tregues është 6.7 pikë përqindje, nga 7.1 pikë përqindje. Interesi mesatar i depozitave në lekë llogaritet 1.89% në muajin gusht nga 1.79% në muajin qershor dhe rritja e lehtë e tij nënkupton një efekt sezonal të lidhur me stinën e verës.
Interesat e kredisë në euro kanë rezultuar më të ulëta në muajt korrik-gusht duke ndjekur rënien e ngadaltë të normave të euribor-it 12-mujor. Marzhet e kërkuara mbi to kanë mbetur të pandryshuara në dy vitet e fundit dhe reflektojnë primet e larta të rrezikut për kreditimin në këtë segment.
Rritet diferenca mes interesave të depozitave dhe kredisë në euro
Sipas bankës qendrore diferenca midis interesit të kredisë dhe atij të depozitave në euro ka vijuar të zgjerohet si pasojë e reduktimit të shpejtë të këtyre të fundit. “Në mungesë të kreditimit në euro dhe në një ambient me norma interesi në euro negative, është synuar ulja e kostos për mbajtjen e depozitave në këtë monedhë. Interesi mesatar i depozitave në euro ka zbritur në 0.61% në muajin gusht nga 0.74% në muajin qershor”, shkruan raporti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.