Rënia e normave të interesit ul depozitat në lekë me 0.9% dhe depozitat me afat në valutë ulen 3.4%
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në raportin e politikës monetare të tremujorit të tretë, tregojnë se agregati i gjerë monetar M3 (para gjithsej) ka reflektuar ecuri të dobët të depozitave totale, me një rritje vjetore prej 1.5%, e ndikuar nga tkurrja e depozitave në lekë për 4 muaj radhazi. “Krahasuar me një vit më parë, depozitat në lekë janë 0.9% më pak. Në veçanti, gjatë muajve korrik dhe gusht, rreth 3 miliardë lekë të këtyre depozitave janë zhvendosur në depozita mbi dy vjet, të cilat nuk përfshihen në treguesit monetarë, shkruhet në raport.
Banka e Shqipërisë thotë se kjo sjellje është nxitur nga rënia e normave të interesit në maturitetet tradicionale. E njëjta sjellje vihet re edhe për depozitat në valutë, ku, si rezultat i rënies së ndjeshme të normave të interesit, depozitat me afat kanë shfaqur rënie vjetore prej 3.4%.
Gjithashtu, bën me dije Banka Qendrore, zhvendosje drejt depozitave pa afat apo atyre mbi dy vjet është vënë re edhe për depozitat në valutë. Rritja mesatare mujore e këtyre të fundit për periudhën korrik-gusht rezultoi rreth 2 miliardë lekë. Ndërkohë, depozitat në valutë, në total janë rritur me 5.2%, të mbështetura nga rritja e ndjeshme e depozitave pa afat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.