Lehtësimi i vazhdueshëm i politikës monetare nuk po arrin të nxisë huadhënien në ekonomi, e cila mbetet në nivelet më të ulëta rekord të dekadës. Bankierët pohojnë: Nuk japim kredi për shkak të nivelit të lartë të huave me probleme
Në një lëvizje që ishte paralajmëruar prej muajsh, teksa Banka e Shqipërisë kishte deklaruar disa herë se do të vazhdonte politikën e saj lehtësuese, institucioni monetar ka ulur normën bazë të interesit në nivele rekord prej 3%. Kjo është hera e shtatë që BSH redukton koston e lekut në dy vjet përpjekje të ethshme për të nxitur ekonominë, që po rritet me ritme minimale, prej më pak se 2%. Nga 5.25% në verë 2011, norma bazë është ulur shtatë herë rresht përgjatë 2 viteve, për të zbritur aktualisht në 3%.
Megjithatë, kjo politikë lehtësuese, përmes së cilës institucioni monetar qendrore synon që të ulë koston e lekut në ekonomi, duke nxitur kredidhënien, nuk ka dhënë pothuajse asnjë efekt në nxitjen e kreditimit të ekonomisë, që dy vitet e fundit ka shënuar ritmet më të ulëta të dekadës. Në 2012-n ritmet e rritjes vjetore të kredisë ishin vetëm 2%, ndërsa në 6 muajt e parë të 2013-s huadhënia është zgjeruar vetëm me 0.8% me bazë vjetore, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Edhe normat e interesit të huasë në lekë kanë reaguar tepër ngadalë, duke zbritur vetëm me 1 pikë përqindje në qershor në raport me dy vjet më parë, (10.73% në qershor 2013, nga 11.6 në qershor 2011), nga 2.25 pikë përqindjeje që kanë zbritur normat bazë të interesit. Më e ndjeshme ka qenë rënia e yield-it të letrave me vlerë të qeverisë, që ka zbritur në 5.11% në ankandin e fundit për bonot 12 mujore, nga mbi 7% një vit më parë.
Banka e Shqipërisë ka pranuar ndërkohë që efektiviteti i politikës së saj lehtësuese monetare ka qenë i ulët, për shkak të faktorëve të tjerë që ndikojnë në kredidhënie, si kërkesa e dobët nga biznesi, problemet me likuiditetin dhe sidomos kreditë e këqija. Këto të fundit citohen nga Shoqata e Bankave si arsyeja kryesore që po frenon kreditë, teksa niveli i huave të pakthyera në afat ka arritur në 24%.
Sipas Fullanit, ecuria e dobët e kredisë po ndikohet nga rënia e kërkesës për kredi nga bizneset, ndërsa ka një gjallërim të kërkesës nga individë. Bizneset nga ana e tyre, teksa bankat kanë shtrënguar kriteret e kredidhënies, i janë drejtuar kredisë informale, siç raportoi vëzhgimi i fundit i Bankës së Shqipërisë.
Kredia, rritet vetëm 0.8% me bazë vjetore
Stoku i huasë arriti në 557.5 miliardë lekë në fund të muajit qershor, me një zgjerim prej 2.7 miliardë lekë, apo 0.5% në raport me muajin e mëparshëm. Rritja erdhi si nga huaja për individë ashtu dhe nga ajo për sektorët e tjerë jofinanciarë.
Pavarësisht gjallërimit të lehtë në qershor, huaja për ekonominë në muajt e parë të këtij viti pothuajse ka ngecur në vend. Në raport me dhjetorin 2012, stoku i kredisë për biznesin dhe individët është rritur vetëm me 2.73 miliardë lekë apo 0.49%. Një vit më parë ndryshimet përkatëse ishin 10.8 miliardë lekë dhe 2%.
Edhe në raport me qershorin e vitit të kaluar (rritja vjetore), huaja për ekonominë është zgjeruar vetëm me 4.7 miliardë lekë, apo 0.8%, duke shënuar ritmet më të ulëta rekord të kreditimit në vend. Një vit më parë ndryshimet përkatëse ishin 42 miliardë lekë dhe 8.3%.
Në mungesë të kreditimit të ekonomisë, bankat po i kanalizojnë fondet e lira kryesisht në blerjen e bonove të thesarit të qeverisë, yield-i (interesi) i të cilave ka rënë vazhdimisht gjatë këtij viti.
Kryetari i Shoqatës së Bankave, Seyhan Pencapligil pohoi pak ditë me parë, se niveli i lartë i huave me probleme, që ka arritur në rreth 24% është arsyeja kryesore që po i step bankat, pavarësisht masave që u morën së fundi nga Parlamenti për përshpejtimin e ekzekutimit të procedurave të kolateralit dhe lehtësimit të kritereve të likuiditetit nga Banka e Shqipërisë.
“Ajo që është më shqetësuese për ne është rritja e huave me probleme, që janë gati sa një e katërta e totalit në sistem. Me fjalë të tjera, ka më shumë se 1 miliard euro që janë në një vonesë pagese prej më shumë se tre muajsh! Kjo po ndikon përfitueshmërinë tonë në mënyrë kaq negative saqë ne nuk jemi në gjendje apo nuk kemi vullnetin që të japim më shumë hua”, tha kryetari i Shoqatës së Bankave.
Guvernatori Fullani: Pse e ulëm interesin
Muajt e parë të vitit 2013 kanë konfirmuar vlerësimet tona për rritje të ngadaltë të ekonomisë shqiptare dhe për presione të ulëta inflacioniste në të. Aktiviteti ekonomik në vend vazhdon të vuajë nga ecuria e dobët e kërkesës agregate, e cila nga ana e saj reflekton pasigurinë e agjentëve ekonomikë mbi të ardhmen, kushtet relativisht të shtrënguara të financimit, si dhe dobësinë ekonomike të partnerëve tanë kryesorë tregtarë. Megjithatë, ndonëse në një kontekst makroekonomik sfidues, stabiliteti ekonomik e financiar i vendit mbetet i qëndrueshëm. Inflacioni qëndroi në nivele të ulëta gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, si pasojë e presioneve të dobëta nga ana e kërkesës por edhe në reflektim të pritjeve të ankoruara për inflacionin. Këto të fundit pasqyrojnë politikën e kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë.
Kjo politikë ka bërë të mundur uljen e normave afatgjata të interesit dhe ka ndihmuar në ruajtjen e parametrave të shëndetit të sistemit bankar. Gjithashtu, përmirësimi i pozicionit të jashtëm të vendit, i shoqëruar me qëndrueshmërinë e monedhës vendase si dhe bilancet përgjithësisht të shëndosha të sektorit financiar të ekonomisë, kanë forcuar më tej stabilitetin financiar dhe kanë siguruar një nga shtyllat e nevojshme për rritjen afatgjatë të vendit.
Inflacioni i tremujorit të dytë rezultoi mesatarisht në nivelin 2.2%, duke u reduktuar në krahasim me tremujorin e parë. Reduktimi i inflacionit të produkteve bujqësore dhe qëndrueshmëria e çmimeve të artikujve të tjerë të shportës e zhvendosën për poshtë inflacionin e këtij tremujori. Ecuria e çmimeve bujqësore vazhdon të përcaktojë rreth 90% të inflacionit total, duke reflektuar si luhatjet e çmimeve të këtyre produkteve ashtu edhe peshën relativisht të lartë që kanë ato në shportën tonë të konsumit.
Duke u ndalur te zhvillimet ekonomike, të dhënat e INSTAT-it tregojnë se rritja ekonomike e tremujorit të parë rezultoi rreth 1.7%, duke mbetur në linjë me nivelin e regjistruar në fundin e vitit të kaluar. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik gjatë tremujorit të parë u mbështet kryesisht nga rritja e sektorit të industrisë, ndërkohë që sektori i bujqësisë dhe ai i shërbimeve patën gjithashtu një rritje pozitive por më të dobët.
Ecuria e treguesve fiskalë në gjashtë muajt e parë të vitit ka reflektuar një politikë fiskale ekspansioniste, të manifestuar në rritjen e shpenzimeve buxhetore dhe të deficitit fiskal. Kjo sjellje ka qenë veçanërisht e spikatur në tremujorin e dytë. Rritja e shpenzimeve buxhetore ka patur një impakt pozitiv në rritjen ekonomike të kësaj periudhe, por efekti tërësor i politikës fiskale do të varet nga shkalla e respektimit të treguesve të miratuar buxhetorë për vitin 2013. Shpenzimet publike kanë shënuar rritje vjetore prej 12.2% në gjashtë muajt e parë të këtij viti, të nxitura në një masë të madhe nga shpenzimet kapitale. Nga ana tjetër, të ardhurat buxhetore për këtë periudhë rezultuan 2.9% më të ulëta nga një vit më parë, duke reflektuar ecurinë e dobët të të ardhurave tatimore. Këto zhvillime janë materializuar në rritje të ndjeshme të deficitit buxhetor, i cili ka rezultuar më shumë se dy herë më i lartë në krahasim me një vit më parë.
Në tregun primar, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë shënuar rënie të ndjeshme, veçanërisht në segmentin e maturiteteve më të gjata. Rënia e normave të interesit ka qenë më e shpejtë gjatë muajve të fundit edhe në tregun e depozitave, por mbetet e pakët në atë të kredive. Normat e interesit për kreditë po shfaqin një reagim të ngadaltë kundrejt normave të tjera të tregut, duke u ndikuar edhe nga kreditimi i pakët i ekonomisë gjatë muajve të fundit.
Zhvillimet monetare tregojnë për vazhdimësi të presioneve të ulëta inflacioniste në ekonomi. Përshpejtimi i rritjes vjetore të ofertës monetare ka reflektuar kryesisht kërkesën e shtuar të sektorit publik për financim gjatë këtyre dy muajve. Nga ana tjetër, kërkesa e bizneseve dhe e individëve për para ka vijuar të mbetet e dobët. Kredia për sektorin privat është ngadalësuar ndjeshëm dhe në fund të muajit maj, ajo është 0.2% më e ulët se një vit më parë. Krahas kushteve të shtrënguara të ofertës, ecuria e dobët e kreditimit po reflekton gjithnjë e më shumë rënien e kërkesës së bizneseve për kredi.
Ndërkohë, në tre muajt e fundit është regjistruar rritje e kërkesës së individëve për financim, duke sinjalizuar kështu për një gjallërim të mundshëm të kësaj kredie.
Projeksionet tona për ecurinë e ekonomisë në të ardhmen mbështesin vlerësimin për një rritje të ngadaltë të aktivitetit ekonomik gjatë tremujorëve në vazhdim, në nivele të krahasueshme me ato të gjysmës së parë të vitit. Kërkesa e huaj do të jetë burim i rritjes ekonomike edhe në tremujorët e ardhshëm, ndërkohë që stimuli fiskal i gjashtëmujorit të parë pritet të mungojë gjatë gjysmës së dytë të vitit. Të dhënat e tërthorta nuk mbartin ende sinjale për gjallërim të konsumit dhe të investimeve private. Rritja nën potencial e ekonomisë do të shoqërohet me presione të ulëta inflacioniste nga kahu i kërkesës dhe në mungesë të goditjeve të paparashikuara të ofertës, çmimet e konsumit pritet të rriten me norma të ulëta. Inflacioni vjetor pritet të luhatet në intervalin 1.1% – 3.8% pas 4 tremujorëve, me një probabilitet ndodhjeje 90%. Në këto rrethana, politika jonë monetare do të vazhdojë të ruajë natyrën e saj stimuluese edhe përgjatë tremujorëve në vijim.
Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në nivelin 3.50%. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se kjo ulje krijon kushte më të mira monetare për përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit në një periudhë afatmesme. Respektimi i këtij objektivi do të vijojë të mbetet orientuesi i vetëm i politikës tonë monetare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.