Pas naftës, edhe sistemi bankar akuzohet për oligopol. Biznesi akuzon bankat e nivelit të dytë se ulja e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë nuk reflektohet në nivelin e duhur pasi ka mungesë konkurence. Administratori i Kunfindustrisë Gjergj Buxhuku i bën thirrje qeverisë dhe BSH-së që të ndrhyjë për të zgjidhur këtë çështje.
Gjergj Buxhuku : “Funksionimit në kushte oligopol, konkurencës së pamjaftueshme brenda sistemit bankar, përfundojnë ose në rritje të përfitimit të bankave, ose në përfitim të buxhetit të shtetit për shkak të uljes së kostove të borxhit. Së parë është roli i qeverisë dhe së dyti roli i BSH. Pra të dyja duhet të merren me përmirësimin e organizimit të tregut bankar të nivelit të dytë.”
Ndërsa për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka uljet e normës së interesit kanë qenë shumë të vonuara.
Nikolin Jaka: “Uljet e herë pas herëshme pas mbërthimit të krizës sidomos të kreditimit, vihet re që nuk ka pasur asnjë lloj ndikimi as në përmirësim as në zbutje. As në rritjen e kërkesës për kreditim as në lehtësimin e kushteve për kreditim.”
Por për ekspertin e njohur Ardian Civici ulja e normës së interesit nuk është reflektuar në kredidhënie pasi ekonomia është nën potencial.
Ardian Civici: “ Vjen për dy arsye; nuk i kemi aq të zhvilluara tregjet financiare dhe ato 4 kanalet e transmetitmit të normëz së interesit nuk funksionojnë si në vendet e zhvilluar. Bankat vendosin në balancë mënyrën si e perceptojnë riskun në sektorin e ekonomisë”.
Banka e Shqipërisë ka ulur normën e interesit 13 herë në dy vitet e fundit duke e cuar atë në minimumin historik prej 2%. Ulja e normës së interesit synon që të ul koston e parave që Banka Qendrore i jep bankave të nivelit të dytë të cilat, më pas duhet ta reflektojnë në kredidhënie, çka sjell më shumë investime./ ORA NEWS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.