Flet Luan Leka, administrator i kompanisë EHW
Luan Leka, një nga sipërmarrësit më të mëdhenj në vend, administrator i fabrikës së përpunimit të mishit në vend, EHW, i cili ka qenë një nga mbështetësit e uljes së pragut të TVSh-së për biznesin e vogël, thotë për “Monitor” që ulja e pragut nuk ka dhënë efektin e dëshiruar.
“Gjendja mbetet ajo që ishte para këtij vendimi. Një pjesë e konsiderueshme e biznesit të vogël vazhdon të mos i pranojë faturat e blerjeve dhe për pasojë, të shesë pa dhënë kuponin fiskal”, ka pohuar ai në një intervistë për Monitor. Ai thotë se shteti duhet të ketë vullnet politik dhe mos i trembet humbjes së votave nëse kontrollon me rigorozitet biznesin e vogël.
Një pjesë e industrisë përpunuese ka ndier si shqetësim uljen e aftësisë për të shitur te bizneset e vogla, duke qenë se këta të fundit refuzojnë të marrin mall me faturë, për të mos kaluar pragun e ri. A e keni hasur ju këtë problematikë në kompanitë tuaja?
Më rezulton që ulja e pragut të TVSH për biznesin e vogël nuk ka pasur efektin e dëshiruar. Gjendja mbetet ajo që ishte para këtij vendimi. Një pjesë e konsiderueshme e biznesit të vogël vazhdon të mos i pranojë faturat e blerjeve dhe për pasojë, të shesë pa dhënë kuponin fiskal. Është për të ardhur keq, mbasi kjo situatë dëmton si subjektet e biznesit të vogël po ashtu edhe ato të biznesit të madh që duan të punojnë konform rregullave dhe ligjeve.
Për pasojë përfitojnë evazorët e të dy kategorive.
Mendoj që shkak është frika që ka biznesi i vogël që duke kapërcyer pragun e shitjeve kalon në biznes të madh, detyrohet të paraqesë një bilanc kontabël dhe të paguajë tatimfitimin.
Si mendoni se mund të përmirësohet situata?
Ulja e tatimfitimit në 5% për bizneset që faturojnë më pak se 14 milionë lekë, që u vendos së fundmi, shpresoj të ndikojë për mirë në normalizimin e kësaj situate.
Edhe pse unë mendoj, që do të ishte më mirë nëse për këtë kategori biznesi, të aplikohej një tatim më i thjeshtuar, p.sh., një tatim 1-2% mbi xhiron, pa detyrimin për të paraqitur një bilanc kontabël.
Por, gjithashtu mendoj që asnjë masë tekniko-ligjore nuk do të jepte efekt të plotë pa një vendim politik: shteti nuk duhet të ketë frikën e humbjes së votave nëse kontrollon me rigorozitet biznesin e vogël. Në mosdeklarimin e blerjeve dhe shitjeve nga biznesi i vogël fshihet i gjithë informaliteti i ekonomisë.
Nëse për çdo shitje me pakicë do të jepej kuponi fiskal, informaliteti do të bëhej zero, si për biznesin e vogël edhe për atë të madh. Dhe nga kjo do të përfitonte pa dyshim shumica dërrmuese e popullsisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.