Reduktimi i shkallës së TVSH-së për hotelet në 6% e kapi në befasi biznesin, i cili duket se i kishte humbur shpresat pas vitesh lobimi e premtimesh nga qeveri të ndryshme. Po çfarë do të sjellë kjo incentivë fiskale? Formalizim? Më shumë të ardhura? Konkurrueshmëri? Ekspertë të sektorit japin argumentet e tyre.
Nga Elona Bedalli
Qeveria mori vendim për të ulur TVSH për akomodimin (fjetjen) në sektorin e turizmit në 6% nga 20% që aplikohet aktualisht.
Në projektligjin për një shtesë në “‘Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar’, të ndryshuar” shtohet pika “Shkalla e reduktuar e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6%. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Vendimi erdhi pas një kërkese disavjeçare që ka bërë sektori.
Së fundmi është vënë re një interes i shtuar për turizmin në vend, si në kahun e kërkesës, ashtu dhe ofertës. Hotelet shqiptare, që në fund të vitit të kaluar, raportuan se janë përballur me prenotime jo të zakonshme për pushimet e verës 2017. Turistët çekë, polakë dhe sllovakë duket se janë shtuar dukshëm për verën e 2017-s.
Koha për të konkurruar me cilësi
Qeveria shqiptare duhet t’i kthejë sytë nga industria e hotelerisë, jo duke shkuar vetë në plazh dhe me pushime, por duke menduar për ta bërë këtë industri të konkurrueshme në rajon dhe më gjerë, thonë investitorët.
Për vitin 2016, raporti i fundit i Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) na renditi në vendin e 96 nga i 120-i që ishim në vitin 2015 sa i përket kontributit total të turizmit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Për vitin 2017, shifrat janë pozitive, madje ritmi i rritjes së industrisë së turizmit është edhe mbi mesataren botërore, si për kontributin direkt (5.2%), ashtu edhe atë total (5.3%).
Në vitin 2016, kontributi total i turizmit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto llogaritet në rreth 3.2 miliardë dollarë, ose rreth 26%. Për këtë vit, kjo shifër pritet të rritet me rreth 5.3%. Për vitin 2027 parashikohet që turizmi shqiptar të kontribuojë me rreth 33% ndaj PBB-së.
Punësimi është një tjetër tregues në rritje. Sipas WTTC-së, gjatë 2016-s, turizmi mbështeti direkt 85,000 vende pune (7.7% të totalit). Gjatë këtij viti parashikohet që kjo shifër të rritet me rreth 3.2% më shumë se në vitin paraardhës. Deri në 2027, numri i të punësuarve pritet të arrijë në 120,000.
Kliton Gërxhani, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve
& Agjencive Turistike, u shpreh se raporti i WTTC nuk tregon asgjë më shumë sesa shifra pozitivisht “të frikshme” për peshën që turizmi zë në sektorin e ekonomisë shqiptare. Mjaft të përmendësh që 1 në 4 vende pune në Shqipëri gjenerohen nga kontributi total i turizmit (kontributi direkt në PBB është 5.7% dhe kontributi total është 22% e që zë gati gjysmën e eksporteve në vend).
“Mesazhi i ATOA-s për veshët e politikës, që tashmë ka ndezur motorët e fushatës elektorale është që turizmi është sektori me potencialin më të madh në ekonominë e vendit, por vetëm nëse do shikohet e trajtohet seriozisht si i tillë”, thotë z. Gërxhani.
Ndërsa vendimin e qeverisë për uljen e TVSH-së në 6% për hotelet e vlerëson dhe e sheh si kurorëzim të përpjekjeve të biznesit gati 10-vjeçare në lobim. “Kjo masë ka dy përfitime kryesore.
E para, e fut sektorin e akomodimit, por edhe të turizmit shqiptar në të njëjtin sistem fiskal me vendet e rajonit dhe shumicën e vendeve europiane dhe e dyta është një masë që do të stimulojë më shumë formalizimin e tregut.
Bizneset tani kanë mundësi që të ardhurat që kursejnë nga ulja e kësaj takse, t’i investojnë në trajnime për stafin e tyre, në investime, si dhe në një mundësi më shumë për të ofruar edhe çmime më konkurruese. “Formalizimi ka edhe aspekte të tjera pozitive sepse do të kemi statistika më të sakta, njohje dhe kontroll të tregut, planifikime më të mira, si dhe bazë më të ndershme konkurrueshmërie.
Këto efekte do të duan kohën e tyre për t’u reflektuar në treg, megjithatë e rëndësishme është që jemi në rrugën e duhur”, thotë z. Gërxhani.
Ndërsa kreu i sektorit akomodues i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA), Zak Topuzi, tha se nga ky reduktim pritet të përfitojnë rreth 3,900 njësi akomoduese. “Ju sigurojmë se kjo masë do të sjellë ndryshim rrënjësor në ekonominë e vendit dhe do ta kthejë Shqipërinë në një destinacion konkurrues dhe do të shërbejë për të formalizuar tregun”, tha z. Topuzi.
Sipas tij, shteti grumbullon çdo vit rreth 2 milionë euro nga TVSH-ja në hotele dhe kjo masë do të ndikojë në rritjen e bazës së tatimpaguesve e si rrjedhim, do të shtojë edhe të ardhurat.
“Nga ana tjetër, tha z. Topuzi, do të shërbejë edhe për rritjen e investimeve në sektorin akomodues, kryesisht në resorte e hotele që ofrojnë paketa të plota shërbimesh”.
Luan Dervishej, ekspert në fushën e turizmit pranë GIZ, thotë se vendimi për të ulur në 6% është i mirëpritur, kjo në përputhje dhe me praktikat e vendeve të tjera. Sipas tij, kjo është një kërkesë e artikuluar që në vitin 2009 nga ATA për qeverinë. “Ulja do të ndikojë në çmimin final, por kjo do të jetë e vështirë për këtë sezon, pasi kontratat sa u përket agjencive janë përfunduar. Ndërsa mund të ketë fleksibilitet tek pjesa tjetër e hoteleve gjatë verës.
Gjithashtu besojmë se do të ndikojë në rritjen e bazës së
tatimpaguesve dhe do të ulej informaliteti, kjo në dy drejtime: motivimi më i ulët për informalitet dhe rritje e interesit të shtetit për ta shmangur, meqë është sektor tashmë me diferencim takse.
Nga ana tjetër, duhet vlerësuar se kjo masë përmirëson situatën e konkurrencës sa u përket çmimeve (pavarësisht se ka ende elemente të tjera që ndikojnë mbi të si rezervimet jo në kohë, sezoni pik, shpenzimet për burime njerëzore, taksat e tjera etj.”, thotë z. Dervishej.
Por, për ekspertët e huaj të turizmit, ata të cilët janë duke asistuar në procesin e standardizimit të njësive akomoduese nuk mjafton vetëm trajtimi incentivues për të çuar drejt një turizmi të qëndrueshëm.
Sepse, mbi të gjitha, Shqipëria ka nevojë për një shërbim cilësor, për një produkt me vlerë të shtuar, me të cilin duhet të dallohemi dhe të tregojmë autenticitetin tonë.
“Nuk duhet të synojmë të konkurrojmë me çmime të ulëta (që mund të vijnë edhe si pasojë e reflektimit të uljes së TVSH-së”, por me shërbime, me produkte cilësore e autentike. Qëllimi kryesor nuk duhet të jetë vetëm rritja e numrit të turistëve, por i net-qëndrimeve dhe i shpenzimeve. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë do të mund të flasim për një turizëm të qëndrueshëm”, thonë ekspertët e huaj.
Sipas tyre, reduktimi i taksës, duhet t’i nxisë bizneset që të realizojnë investime, të trajnojnë burimet njerëzore, por edhe të shtojnë gamën e produkteve turistike.
Filozofia e çmimeve të ulëta nuk e favorizon konkurrencën. Sugjerimi i tyre është se ulja e çmimeve nuk rekomandohet, por duhet t’i shtohet vlerë produktit turistik. Duke i shtuar vlerën produktit, atëherë justifikohet edhe çmimi.
Në këtë mënyrë ruhet edhe raporti mes cilësisë dhe çmimit që në Shqipëri është i zhdrejtë.
E gjithë kjo filozofi, thonë ata, do të duhet të mbështetet nga një sektor i formalizuar, që zbaton standardet dhe ka klasifikimin përkatës.
Nga ana e biznesit të akomodimit është kërkuar që të ketë një rishikim të kritereve për klasifikimin e njësive akomoduese në mënyrë që të jenë sa më të zbatueshme dhe për këtë është kërkuar edhe shtyrja e procesit.
Por, nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ekzistenca e këtyre kërkesave nuk u pranua. Institucioni ka konfirmuar se procesi për klasifikimin do të vazhdojë, pavarësisht se ka pasur sugjerime edhe nga ana e ekspertëve të huaj që po asistojnë këtë proces.
Vetëm pak ditë më parë, ministrja Milva Ekonomi tha se ky është një proces rregullimi tregu dhe në rregullimin e tregut gjithçka ka afatin e vet. Sipas saj, kjo është diçka që shkon në proces. “Në QKB t’i regjistrohesh kurdo që të shkosh ta bësh këtë gjë, tek guida t’i bën certifikimin në momentin që ti je gati. Është e rëndësishme që këto procese kanë filluar në vend dhe po shkojnë përpara”, tha znj. Ekonomi.
Por, për drejtuesit e Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA) ligji nuk arrin të bëjë një ndarje të saktë mes agjencive turistike dhe turoperatorëve (përveç sipërfaqes së zyrës dhe shkollës së administratorit). Në një kohë kur kriter duhet të jetë sigurimi ndaj falimentimit, numri i punonjësve, si dhe duhet të njihet edhe vjetërsia e biznesit si kredite në edukimin që kërkohet. Ndërsa për hotelet, ata thonë se procesi është bllokuar, ndërsa shpresohet që kompanisë zvicerane që është thirrur për të bërë gati procesin t’i lihet “fushë e lirë veprimi” për të bërë punën.
Më herët, kjo shoqatë i ka paraqitur ministrisë përmes një letre rekomandime për të ndërhyrë në kuadër për të eliminuar burokracitë në ushtrimin e aktivitetit.
Propozime janë bërë edhe nga ana e Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA) në lidhje me kriteret e klasifikimit të njësive akomoduese. Sipas tyre, zbatimi i një pjese të tyre i bëjnë të paaplikueshme standardet si p.sh.: dimensionimi i dhomave dhe banjave të cilat në sistemin “Hotelstars” janë jo të detyrueshme ndërsa në sistemin shqiptar kanë hyrë si të tilla.
E në fakt janë mbi 30 vërejtje që janë paraqitur nga kjo shoqatë në lidhje me kriteret e klasifikimit të hoteleve.
Lobimi
Ulja e TVSH-së në hotele është përfshirë si temë për përmirësimin e klimës së biznesit në turizëm nga viti 2009 në vijim, ku të gjithë ministrat e radhës së turizmit (së paku 4) kanë pranuar argumentet dhe nevojën për uljen e kësaj takse dhe e kanë referuar pranë kryeministrave këtë prioritet.
Pengesat
Faktorët kyç që kanë penguar konkurrencën:
– Shkalla e lartë e informalitetit
– Mungesa e investimeve të huaja
– Mungesa e infrastrukturës turistike, duke sjellë efekte të drejtpërdrejta në menaxhimin e sezonalitetit.
Konkurrenca e çmimeve
Rishikimi i TVSH-së për sektorin hotelier nga 20% në 6% pritet të sjellë:
• Fuqizim të konkurrencës së çmimeve të sektorit në krahasim me vendet e tjera
• Përputhshmëri me direktivat e BE-së
• Ulje të çmimeve për aktivitetet e turizmit
• Nxitje për formalizimin e sektorit të turizmit
• Stimuj për investime në këtë sektor
• Nxitje për trajnim në këtë sektor
• Rritjen e kërkesës
• Eksportet (në pamundësi të incentivave direkte që përfitojnë eksportet e tjera)
• Punësim (duke qenë një sektor me intensitet të lartë të fuqisë punëtore)Ndikimi ekonomik:
-Rritje e kërkesës
-Rritje në mbledhjen e përgjithshme të taksave
-Rritje në krijimin e vendeve të punës
-Rritje të të ardhurave që gjenerohen nga sektori
-Rritje e investimeve turistike
Argumentet që mbështesin incentivat fiskale për turizmin
Ishte qeveria “Rama” që në fillim të mandatit të saj kontraktoi
CID Harvard University për të realizuar studime në disa fusha përfshirë këtu edhe atë të turizmit, me qëllim që të hartoheshin masa administrative dhe incentiva fiskale. Dhe ja cilat ishin argumentet që dhanë ekspertët në dobi të këtyre lehtësive:
Turizmi shqiptar përballet me një konkurrencë në rritje dhe kjo konstatohet nga:
-BE e trajton me status të veçantë turizmin në lehtësimin e zhvillimit të tij
-Turizmi vlerësohet se është një treg që luhatet shumë nga paketat lehtësuese (jo vetëm financiare) që ofron.
-Të gjitha vendet po ulin TVSH për turizmin, hotelet e restorantet
Shumë vende po tentojnë të gjejnë forma sa më specifike për ta inkurajuar dhe për ta mbështetur zhvillimin e këtij sektori si:
-Ulja e TVSH
-Amortizimi i përshpejtuar për investimet në turizëm
-Përjashtim i turizmit rural nga tatimi i të ardhurave
-Rimbursimi i një pjese të shpenzimeve të turistëve
-Krijim i kartave me bonus deri në 1,500 euro si shpenzime të rimbursueshme të punonjësit për pushime
-Skema garancie për kreditimin me kushte favorizuese etj.
Vendet e rajonit ku synohet edhe konkurrenca reale janë agresive me mbështetje të drejtpërdrejta dhe indirekte për turizmin. Ato kanë histori të suksesshme, kanë traditë dhe përvojë më të gjatë, kanë infrastrukturë më të mirë dhe investime private vendase dhe të huaja më cilësore.
Shifra
900 është afërsisht numri i hoteleve në Shqipëri
400 prej tyre mund të gjenden online
192 mund të prenotohen me booking, ku rreth 80% kanë standarde
20-30 dhoma kapaciteti mesatar
Aktualisht, 22 vende anëtare të BE-së aplikojnë normë të reduktuar të TVSH-së për akomodimin në hotele dhe 20 prej tyre aplikojnë një normë më të vogël se 10%.
Vendet e rajonit që aplikojnë një normë të reduktuar janë:
-Serbia, që aplikon normën e reduktuar prej 10% për një kategori të caktuar mallrash dhe shërbimesh, ku, ndër të tjera, përmendim akomodimin në hotel dhe një normë standard të TVSH-së në masën 20% .
-Maqedonia, që aplikon një normë të reduktuar prej 5% për një kategori të caktuar mallrash dhe shërbimesh, në të cilën bën pjesë edhe akomodimi në hotel dhe një normë standard e TVSH-së në masën 18%.
-Mali i Zi, që aplikon një normë të reduktuar prej 7% për një kategori të caktuar mallrash dhe shërbimesh, ku përfshihet edhe akomodimi në hotel dhe një normë standarde e TVSH-së në masën 19%.
-Kroacia, që aplikon normën reduktuar prej 13% për akomodimin në hotel dhe një normë standarde të TVSH-së prej 25%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.