Marrëveshja shkon për miratim tek Autoriteti i Konkurrencës dhe në Bankën e Shqipërisë
Në vazhdën e lëvizjeve të fundit në këtë treg, Union Bank ka aplikuar për pranimin e transaksionit të lidhur për blerjen 100% të aksioneve të International Comercial Bank (ICB) Albania, bënë të ditur burime për “Monitor” nga Autoriteti i Konkurrencës.
Lajmi u publikua edhe nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, i cili citonte si burim Bankën e Shqipërisë.
Në fund të 9-mujorit, Union Bank ishte banka e tetë më e madhe në vend në renditjen nga aktivet në administrim dhe ka 31 degë dhe 378 të punësuar. Banka ka 3.4% të totalit të aseteve, 3.7% të stokut të kredive dhe 3.5% të depozitave në vend, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Në të njëjtën periudhë, Union Bank deklaroi një fitim prej 460 milionë lekësh.
International Comercial Bank renditet e 14-a për sa u përket aktiveve në administrim dhe ka 6 degë në vend dhe 94 të punësuar. Banka ka 0.7% të totalit të aseteve, 0.9% të stokut të kredive dhe 0.6% të depozitave në vend. Në të njëjtën periudhë, ICB deklaroi një humbje prej 55 milionë lekësh, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave.
Me këtë blerje, pritet që Union Bank të konsolidojë pozitat në treg duke iu afruar kështu Societe Generale, Alpha Bank, ABI Bank e Tirana Bank, që kanë një prezencë në treg prej rreth 5% të aseteve totale të sistemit bankar.
Të kontaktuar nga “Monitor”, si ICB ashtu edhe Union Bank nuk ishin disponibël për prononcim.
Ndryshimet në sistemin bankar gjatë dy viteve të fundit
Sistemi bankar ka hyrë në një fazë intensive të shitblerjeve. Në fillim të nëntorit u njoftua se Societe Generale mbylli negociatat për të shitur 100% të aksioneve të saj te banka hungareze OPT, pasi bleu pjesën e mbetur të 11.11% të aksioneve nga sipërmarrësit vendas.
Banka Societe Generale i nxori në shitje aksionet pak muaj më parë, në kuadër të një strategjie për të dalë nga rajoni, në ato vende ku nuk ishte ndër tre të parët. Banka Societe hyri në Shqipëri nëpërmjet blerjes së aksioneve të Bankës Popullore, në vitin 2007, duke shënuar një nga shitjet më të suksesshme të një banke, teksa u shit me gati katër herë mbi kapitalin.
Numri i bankave ka zbritur aktualisht në 14, pas përthithjes së Veneto Bank nga Intesa Sanpaolo dhe blerjes së NBG Bank nga ABI Bank. Pas blerjes së ICB nga Union Bank, sistemi bankar pritet të ketë 13 banka.
Të tjera shitblerje janë në proces. Grupi Balfin, në pronësi të sipërmarrësit Samir Mane, ka hyrë në negociata me Tirana Bank, e cila kishte rreth 5.3% të aktiveve dhe rreth 4.9% të depozitave të sistemit në qershor 2018.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.