Unioni i Shoqatave të kursim-kreditit, ecuri pozitive pavarësisht krizës

31/08/2014 8:03 AM 0 komente

Intervistë me zj. Zana Konini, Drejtore Ekzekutive e Unionit Shqiptar të Kursim Kreditit

Ndonëse 2013-a ka qenë një vit i vështirë për të gjithë ekonominë shqiptare dhe sistemin financiar në vend, shoqatat e kursim-kreditit duket se ia kanë dalë të kenë një aktivitet pozitiv dhe të frenojnë shtimin e kredive me probleme, që për Unionin e Shoqatave të Kursim Kreditit (SHKK) është në nivelin e 5%.

Në një intervistë për Monitor, zj. Zana Konini, Drejtore Ekzekutive e Unionit Shqiptar të Kursim Kreditit, flet për modelin që ka arritur të ketë stabilitet të qëndrueshëm financiar.

Si ka qenë ecuria e Unionit SHKK gjatë vitit 2013 në shifra (ndryshimi i stokut të kredisë, aktiveve etj., kreditë me probleme, etj.)

Viti që lamë pas ishte një rikonfirmim i soliditetit financiar dhe suksesit të modelit tonë, i cili vazhdon të zgjerojë aktivitetin e tij prej 22 vitesh, duke arritur të mbulojë 1.080 fshatra ose 1/3 e fshatrave në vend, në fund të 2013-s.

Unioni SHKK përfaqëson një Bashkim Shoqërish Kursim Kredie (SHKK), të cilat ofrojnë shërbime financiare në nivel fshati dhe drejtohen nga vetë përfituesit e këtyre shërbimeve, banorë ruralë, anëtarë të Shoqërive Kursim Kredi. Kjo është arsyeja pse Unioni SHKK dhe SHKK-të që e përbëjnë atë, janë krejtësisht në pronësi të anëtarësisë së tyre dhe me një kapital 100% shqiptar. Është pikërisht kjo karakteristikë unike në sektorin bankar shqiptar që shpjegon ecurinë pozitive gjatë vitit 2013.

Më konkretisht, Unioni SHKK injektoi gjatë vitit të kaluar mbi 12 milionë euro në kredi të reja ose 5.200 kredi në total. Portofoli i kredisë në rrjetin e SHKK-ve arriti shifrën e 25.3 milionë eurove të disbursuara,kryesisht për financimin e aktiviteteve bujqësore e blegtorale. Shifër kjo më se e krahasueshme dhe me volumin e kredisë për bujqësinë disbursuar nga bankat më të mëdha në vend. Në krahun e depozitave, Unioni SHKK njohu rritje të rëndësishme prej 34% të volumit të tyre. Ndërsa numri total i anëtarësisë u rrit me 2.600 anëtarë të rinj për të arritur shifrën prej 36.090 familjesh rurale anëtare. Janë pikërisht këto rezultate, bazuar në modelin e një kooperative financiare rurale, që justifikojnë faktin pse Unioni SHKK shihet sot si partneri financiar i fermerëve dhe bizneseve rurale në vend.

Si e vlerësoni ecurinë e kompanisë suaj dhe gjithë tregut të mikrofinancës për 2013-n?

Modeli unik i funksionimit të SHKK-ve anëtarë të Unionit SHKK, me pjesëmarrje direkte të banorëve ruralë në vendimmarrjen e tij, kërkesat e vazhdueshme për shërbime financiare dhe mikrokredi në zonat rurale, si dhe konsolidimi ndër vite i institucioneve financiare të mikrokredisë në vend, bëjnë që ky sektor të paraqesë shifra solide krahasuar me sektorin bankar shqiptar në tërësi. Nëse sistemi bankar ka një portofol në risk të përafërt me 25%, mikrofinanca shqiptare e ka këtë tregues me 5%. Kjo është tejet inkurajuese, duke ditur që mikrofinanca ka dhënë mbi 20% të numrit të kredive totale disbursuar në Shqipëri gjatë vitit 2013.

Kreditë me probleme minimale

Nëse sistemi bankar ka një portofol në risk të përafërt me 25%, mikrofinanca shqiptare e ka këtë tregues me 5%. Kjo është tejet inkurajuese, duke ditur që mikrofinanca ka dhënë mbi 20% të numrit të kredive totale disbursuar në Shqipëri gjatë vitit 2013.

Theksojmë faktin që zonat rurale nuk mbulohen ende në masë të gjerë me shërbime financiare nga bankat tradicionale. Mund të theksohet madje që bankat nuk janë ende të gatshme të japin hua për fermerët dhe sipërmarrësit e vegjël ruralë. Ajo që e diferencon Unionin Shqiptar Kursim Kredi dhe rrjetin e SHKK-ve nga institucionet e tjera financiare mund të përmblidhet shkurtimisht në katër drejtime:

  • interesa më të uëlta në kredidhënie, kombinuar me interesa më të larta të kursimeve dhe procedura në kredidhënie të përshtatura;
  • eksperiencë 22-vjeçare në zonat rurale dhe marrëdhënie afatgjata në financimin në nivel fshati;
  • angazhimi i pothuajse 800 drejtuesve të zgjedhur të SHKK-ve, banorë të zonave rurale, duke i lejuar të jenë sa më afër fermerit apo sipërmarrësit rural;
  • si dhe mbështetja e anëtarëve me asistencë teknike;

Sa ka ndikuar kriza ekonomike në ecurinë e aktivitetit tuaj, sidomos në drejtim të rritjes dhe menaxhimit të portofolit të kredisë me probleme?

Viti 2013 konfirmoi potencialet financiare dhe kapacitetet menaxheriale të Unionit për të siguruar rritjen e aktivitetit dhe të qëndrueshmërisë financiare e operacionale të rrjetit të SHKK-ve që e përbëjnë atë. Kjo duke pasur parasysh që 2013-a, për shkak të një moti të vështirë me impakt negativ për bujqësinë në vend, periudhës elektorale dhe krizës ekonomike europiane, ishte një ndër vitet me më shumë sfida në dhjetëvjeçarin e fundit. Pavarësisht kësaj, rezultatet e Institucionit në fund të vitit 2013 tregojnë se Unioni arriti t’i përballojë me sukses ato.

Në këtë drejtim, cilësia e portofolit të kredisë shihet me prioritet, duke qenë në qendër të vëmendjes së monitorimit dhe kontrolleve në qendër dhe në nivel rrethesh. Përtej marrjes së masave specifike, kjo ndjekje e kujdesshme ka bërë të mundur garantimin në nivele të pranueshme të riskut, si dhe trajtohen me sukses problematikat e veçanta të çdo rrethi. Në fund të 2013, portofoli i kredive të vonuara mbi 30 ditë rezultoi në nivelin e 9.6%, që konsiderohet i mirë në kushtet e një niveli të lartë dhe në rritje të kredive me probleme në sistemin bankar.

Nga ana tjetër, vlen të përmendet edhe politika ambicioze në drejtim të menaxhimit të burimeve njerëzore të Unionit SHKK. Fuqizimi i kompetencave të stafit në terren, nëpërmjet rritjes së numrit të trajnimeve, propozimit të bonuseve të performancës, si dhe futjes së indikatorëve të rinj, shoqëruar nga punësimi i një stafi me eksperiencë akoma më solide në nivel ekzekutiv, bënë të mundur që Unioni SHKK, të fillojë vitin 2014 me shifra tejet inkurajuese.

Cilat janë pritshmëritë për këtë vit

Do të thoja që objektivat kryesorë për vitin 2014 do të përmblidheshin në tri fjalë kyçe: zhvillim, zgjerim dhe thellim.

Së pari, ‘zhvillimi’ prek fuqizimin institucional dhe të partneriteteve të ofruara në drejtim të SHKK-ve. Ato kanë si qëllim rritjen e vlerës së shtuar të shërbimeve tona, rritjen e cilësisë, por edhe të metodave dhe teknologjive të përdorura nga Institucioni. Vlen të përmenden partneritetet e filluara tanimë me projektet AgroCapital zbatuar nga CBS dhe financuar nga USAID, si dhe me Rrjetin e Informimit të Bashkimit Europian për Bizneset Shqiptare, zbatuar nga FIAA dhe financuar nga Bashkimi Europian, të cilat mundësojnë një analizë më të saktë të kapaciteteve të Unionit SHKK dhe të nevojave të përditshme të fermerëve shqiptarë.

Së dyti, ‘zgjerimi’ i zonave të mbuluara, duke u shtrirë edhe në ato territore të pambuluara aktualisht. Unioni SHKK has në një kërkesë të lartë nga popullatat rurale për krijimin e SHKK-ve të reja, të afta të ofrojnë shërbime financiare kompetitive për fermerët dhe sipërmarrësit ruralë. Pavarësisht një shtrirje të gjerë të rrjetit të SHKK-ve, zonat rurale në vend ngelen akoma të pashërbyera plotësisht me produkte financiare të përshtatura ndaj nevojave të tyre.

Së treti, ‘thellimi’ i shërbimeve dhe i marrëdhënies me anëtarësinë, me qëllim rritjen e cilësisë dhe të intensitetit të produkteve të ofruara. Përtej të qenët një institucion financiar, qëllimi i Unionit SHKK është të kontribuojë aktivisht në zhvillimin socio-ekonomik të vendit dhe të zonave rurale. Për këtë, po punohet në disa drejtime dhe në veçanti në bashkëpunimin me autoritetet publike. Mund të përmendim këtu firmosjen e një Memorandumi Bashkëpunimi firmosur së fundmi me Ministrinë e Bujqësisë, në mbështetje të krijimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor në vend.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of