Gjatë vitit 2016, turizmi në Shqipëri njohu rritje me dy shifra. Është Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO) e cila publikoi raportin e zhvillimeve afatshkurtra të turizmit në Bashkimin Europian. Ky është publikimi i parë sa u përket net-qëndrimeve të turistëve për vitin 2016.
Sipas raportit, destinacionet jashtë BE-së në Europën Jugore Mesdhetare në total shënuan rënie me 19% të numrit të turistëve dhe ndikimin më të fortë e dha Turqia e cila rezultoi me rënie në masën 29%. Kërkesa ndjeshëm më e ulët nga ana e rusëve për destinacionet turke gjithashtu solli ndikim.
“Në kontrast, të gjitha destinacionet e tjera të këtij rajoni ku përfshihen Shqipëria, Bosnjë – Hercegovina, San Marino dhe Serbia njohën rritje dyshifrore në vitin 2016 në krahasim me një vit më parë”, thuhet në këtë raport.
Sipas të dhënave, numri i turistëve në Bashkimin Europian shënoi rritje të qëndrueshme me 21 milionë, mbi 4%. Shifër kjo mbi mesataren botërore.
Totali i turistëve që vizituan destinacionet e EU-28 arritën në 500 milionë, duke zënë 40% të totalit botëror.
2016-a ishte i shtati vit që shënon rritje të qëndrueshme pas krizës ekonomike dhe financiare të 2009-s me 107 milionë turistë më shumë sesa periudha parakizës (2008). Duhet bërë kujdes, thuhet në raport, pasi këto shifra mund të ndryshojnë me rishikim e plotë.
Megjithatë të dhënat tregojnë se Europa, përfshi këtu edhe vendet jashtë saj, kanë pasur nivele të ndryshme rritjeje të numrit të turistëve. Çka tregon se pavarësisht sfidave, ky sektor ka rëndësi të mëdha në rritjen ekonomike, në krijimin e vendeve të punës, si dhe më mirëqenien sociale.
Turizmi europian në shifra, viti 2016
499 milionë numri i turistëve ndërkombëtarë
40% e turizmit botëror
21 milionë turistë më shumë
Burimi:UNWTO
Shënim: Shifra e vitit 2016 mund të ndryshojë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.