USAID dhe organizata ‘Assist Impact’ nënshkruan 7 Marrëveshje për Grante, për projekte që synojnë fuqizimin e të rinjve. I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA në Tiranë, Henry Jardine, Zëvendës Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, mbajtën fjalët e rastit në këtë ceremoni. Synimi i granteve është rritja e mundësive të punësimit dhe fuqizimi i të rinjve që të jenë aktivë në shoqëri.
‘Assist Impact’ po zbaton një projekt 3-vjeçar për USAID/Shqipëri, të quajtur “Ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale”, që synon të mbështetë OJQ-të vendore, agjencitë qeveritare dhe shoqatat e biznesit, që të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të punojnë në mënyrë më efektive. Si pjesë e këtij projekti, ‘Assist Impact’, përmes një procesi konkurrues, ka përzgjedhur 7 OJQ nga e gjithë Shqipëria, për të mbështetur fuqizimin e të rinjve, duke u fokusuar kryesisht në punën jashtë Tiranës.
OJQ-të e përzgjedhura janë:
• Creative Business Solutions do të punojë në 13 zona rurale, nga Malësia e Madhe në Gjirokastër, për të trajnuar dhe punësuar të rinj si specialistë në prodhim bulmeti, në prodhim frutash e perimesh, bimë mjekësore e erëza, në ruajtjen e produkteve në mjedise ftohtëse dhe sera;
• Agjencia e Zhvillimit Rajonal (AZHR) Korçë do të punojë me bizneset dhe me të rinjtë në zonën e Korçës, për të ngritur kapacitetet e të rinjve, të kërkuara nga bizneset vendase;
• Albania Rafting Group do të trajnojë të rinj për të punuar si guida, do të zhvillojë trajnim të specializuar për ndihmën e shpejtë për guidat në sportin e rafting, si dhe do të punojë me menaxherët e shtëpive mikpritëse dhe për materialet informative;
• Shoqata për Integrimin dhe Zhvillimin Komunitar (SHIZHK) do të trajnojë dhe do të ndihmojë punësimin e të rinjve në video-produksion (në Bulqizë), dhe në profesione si hidraulik, elektricist dhe punime artizanale (në Laç);
• Shoqata Kombëtare e Blegtorëve Shqiptarë (LEEA) do të punojë në sektorin e blegtorisë në Lushnjë, Shkodër, Korçë dhe Kukës, ku ajo ka identifikuar nevojën për specialistë lidhur me ndërzimin artificial, me kontrollin e mastitit, dhe me kujdesin ndaj thundrave të gjedhit dhe të imëtave;
• Rrjeti Alumni i Studentëve Shqiptarë (AS@N) do të zhvillojë trajnime, do të kërkojë mundësi për praktikë profesionale (internship) dhe do të punësojë studentë ose të sapodiplomuar në vende të ndryshme pune në Shkodër, Vlorë dhe Tiranë;
• Epoka e Re Fier do të nxitë pjesëmarrjen e të rinjve në proceset demokratike, duke krijuar Grupe Këshillimi të të Rinjve në Patos dhe Fier, të cilat do të lidhen e do të komunikojnë me strukturat e qeverisjes për çështje me interes të veçantë për të rinjtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.