Flet Gjergji Vurmo, ekspert në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim
Gjergji Vurmo, ekspert në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, shpjegoi se qasja ndaj negociatave të anëtarësimit në BE pritet të jetë e njëjta si në rastin e Malit të Zi dhe Serbisë. Qasja deri-diku, akomodon sfidat dhe problematika që lidhen me vendin përkatës. Gjithsesi, duhet të kemi parasysh që praktika e negociatave të anëtarësimit në BE është e tillë që, ndonëse negociata për një kapitull mund të mbyllet provizorisht, ai mund të rihapet në çdo kohë deri në momentin e përfundimit të negociatave për të gjithë kapitujt, tha Vurmo.
Cilat do të jenë kostot dhe përfitimet e Shqipërisë në aspektin ekonomik?
Kostot dhe përfitimet nga anëtarësimi janë temë e gjerë dhe e debatueshme. Për momentin nuk ka një analizë të plotë lidhur me këtë. E njëjta gjë vlen edhe për kostot/përfitimet në kuadër të negociatave. Është një “ushtrim” që duhet kryer në fakt jo thjesht për të bërë një “bilanc të faturës financiare”, por mbi të gjitha për të hartuar masa realiste për periudhën deri në dhe pas anëtarësimit, përfshirë këtu edhe nevojën për të përgatitur kapacitetet e duhura tek operatorët ekonomikë për të maksimizuar përfitimet në ekonominë shqiptare.
Sa mund të zgjasë procesi i anëtarësimit?
Nuk ka një kuadër kohor mesatar në këtë kuptim, pasi çdo gjë varet nga progresi i vendit përkatës në plotësimin e kushteve dhe standardeve për anëtarësim. Duhet të kemi parasysh se gjatë negociatave nuk negociohet legjislacioni i BE-së, por bihet dakord për masat / ndryshimet e nevojshme që Shqipëria duhet të ndërmarrë për të plotësuar në praktikë (jo thjesht në letër) kriteret / standardet për secilin kapitull të acquis. Në këtë kuptim, procesi i anëtarësimit do të zgjasë aq kohë sa Shqipërisë do t’i nevojitet që të jetë në përputhje të plotë me të gjitha benchmarks të secilit kapitull.
A do të aplikohet i njëjti model negociatash si me vendet e grupit të fundit që u anëtarësuan në BE?
Grupi i fundit i anëtarësuar në BE (si grup) ishte në 2004 (zgjerimi i madh) dhe 2007 (Rumania dhe Bullgaria). Kroacia u anëtarësua në vitin 2013. Prej kësaj kohe, BE e ka vendosur theksin tek kapitujt 23 dhe 24. Qasja (jo modeli) ndaj negociatave pritet të jetë e njëjta si në rastin e Malit të Zi dhe Serbisë. Qasja është deri-diku edhe “tailor-made” për të akomoduar sfida dhe problematika që lidhen me vendin përkatës. Gjithsesi, duhet të kemi parasysh që praktika e negociatave të anëtarësimit në BE është e tillë që, ndonëse negociata për një kapitull mund të mbyllet provizorisht, ai mund të rihapet në çdo kohë deri në momentin e përfundimit të negociatave për të gjithë kapitujt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.