Qeveria ka angazhuar deri më tani katër projekte nga paketa “1 miliard” në formën e koncesioneve me Partneritet Publik-Privat me vlerë 86 miliardë lekë, nga 148 miliardë lekë që pritet të angazhohen në total këtë vit. Së bashku me koncesionet PPP të dhëna deri në dhjetor 2017, vlera totale e koncesioneve me PPP arrin në 259 miliardë lekë, ose 17% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Për shkak të efekteve negative në borxhin publik dhe mungesës së analizës për projektet, kjo formë investimi rrezikon të minojë stabilitetin fiskal të vendit në afat të gjatë, sipas përfaqësuesve të FMN dhe BB në Shqipëri. Ekspertët lajmërojnë një skenar grek për Shqipërinë. BE kufizon përdorimin e tyre në vendet anëtare, pas një auditi që gjeti shumë shkelje dhe mungesë leverdishmërie. Ja skeda e projekteve
Nga Blerina Hoxha
Nertila Maho
Vetëm në qershor, qeveria ka shpërblyer me bonuse dy kompani që kanë paraqitur oferta të pakërkuara për projekte të rëndësishme infrastrukturore pjesë e paketës “1 miliard euro”. Kjo e çon në total katër numrin e projekteve të kësaj pakete që kanë hyrë në rrugën drejt zbatimit, por që janë në faza të ndryshme të procedurave. E vetmja që ka avancuar deri në nisjen e punimeve është Rruga e Arbrit, kur më 18 qershor u mbajt edhe ceremonia që shënoi këtë fazë.
Ashtu sikurse kishte paralajmëruar më herët pas marrjes së mandatit të dytë, qeveria ka nisur një valë të re Partneritetesh Publike-Private e përqendruar te rrugët. Aktualisht totali i kilometrave që do t’i shtohet asetit rrugor shqiptar përmes projektit të Rrugës së Arbrit, Thumanë-Kashar, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat llogaritet rreth 167 kilometra. Të paktën kaq mund të llogaritet sipas të dhënave nga projektet në letër, por kjo mund të ndryshojë në varësi të zbatimit faktik ku, herë pas here bëhen korrigjime në funksion të situatës që mund të shfaqet në terren. Kostoja e tyre paraprake llogaritet në 654 milionë euro, edhe pse deri më tani e firmosur me kontratë është vetëm Rruga e Arbrit, me vlerë 240 milionë euro.
Projekti “One billion”, një paketë investimesh prej 148 miliardë lekësh që po aktivizohet nga qeveria “Rama” në bashkëpunim me kompanitë vendase për ndërtimin e 6 segmenteve rrugore, një spitali rajonal në Fier dhe rreth 5 shkolla në Tiranë rrezikon të minojë stabilitetin fiskal të vendit në afat të gjatë. Precedentët negativë të koncesioneve në të shkuarën dhe mungesa e ekspertizës dhe kapaciteteve monitoruese të Shqipërisë i shtojnë më tej rreziqet. Përfaqësuesja e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, ka pohuar më herët për “Monitor” se “kontratat e PPP-ve krijojnë detyrime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për qeverinë.
Gjithashtu, përfaqësuesi i FMN në Tiranë, Jens Reinke ka pohuar po për “Monitor” se Fondi sheh si faktor rreziku koncesionet dhe PPP-të që qeveria ka nënshkruar kohët e fundit, ose planifikon të ndërmarrë, të cilat do të krijojnë detyrime potenciale për partnerin publik.
Deri në fund të vitit të kaluar, vlera e kontratave të dhëna me PPP ka arritur në 111 miliardë lekë, të cilat dominohen nga kontrata shërbimesh në shëndetësi dhe tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, Fier dhe Elbasan. Ndërkohë, këtë vit, do të jepen me koncesion në total me PPP edhe 148 miliardë lekë, duke e çuar vlerën e përgjithshme të PPP-ve më shumë se 259 miliardë lekë, e cila është sa 17% e PBB-së. Institucionet financiare ndërkombëtare këmbëngulin që kjo shumë të përfshihet në borxhin publik. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën përmbyllëse të marrëveshjes trevjeçare, kërkoi që ndikimi i projekteve me PPP, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare.
Aktualisht, qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik. FMN e ka shprehur më parë se është e rëndësishme që çdo projekt PPP të bëhet transparent, të ketë një analizë të qartë kosto-përfitime dhe një analizë të plotë rreziku. Nëse PPP e dhëna deri më tani dhe ato që janë planifikuar të jepen më 2018 do të përllogariteshin si detyrime publike, borxhi i vendit do të shkonte në mbi 87% e PBB, nga rreth 71% që është aktualisht. Duke anashkaluar efektin që kanë në stabilitetin makroekonomik në afat të gjatë, eficenca e projekteve që do të kryhen investimet duket se nuk përputhet me prioritetet kombëtare që ka vendi në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Kontratat reja PPP më 2018 arrijnë 148 mld lekë
Qeveria shqiptare ka programuar që gjatë vitit 2018 të angazhojë 148 miliardë lekë kontrata me PPP, të cilat përbëjnë planin e njohur tashmë si “One Billion”. Projekti i parë në listë janë ndërtimi i shkollave në Tiranë me vlerë 6,1 miliardë lekë. Projekti i dytë është financimi i një spitali rajonal në Fier, me financim 9,4 miliardë lekë.
Më tej, 140 miliardë lekë do të angazhohen në ndërtimin e segmenteve të infrastrukturës rrugore. Ndërtimi i aksit Tiranë-Thumanë-Vorë, pjesë e boshtit të qendrës, do të jepet me koncesion kundrejt vlerës së financimit 34 miliardë lekë. Pjesa e dytë e këtij segmenti, ndërtimi i rrugës, Kashar – Rrogozhinë do të jepet me koncesion kundrejt vlerës 41 miliardë lekë. Ndërtimi i rrugës Milot-Balldren është ofruar për koncesion PPP kundrejt një financimi nga buxheti i shtetit 14.2 miliardë lekë. Nëpërmjet kësaj forme është programuar të financohet edhe segmenti Orikum – Himarë, me vlerë 17 miliardë lekë. Në program është përfshirë edhe Rruga e Arbrit, me financim 24 miliardë lekë.
Sipas skemës që ka zbardhur ministri i Financave, Arben Ahmetaj, njoftohet se sipërmarrësit që do të bëhen pjesë e realizimit të këtyre investimeve, duhet të financojnë 20% të vlerës së projektit nga kapitalet e veta. Ministria ka shpjeguar se buxheti i shtetit do të nisë të shlyejë investitorët, vetëm pasi të jetë bërë 50% e investimit, por këto detaje do të jenë të sqaruara në kontratat individuale që do të lidhen për secilin nga projektet. Nga ana tjetër, qeveria synon të shlyejë kompanitë gjatë një periudhe 10-15-vjeçare.
Kostot e përgatitjes së studimit të fizibilitetit në fazën e parë dhe të projektit në fazën e dytë, përballohen nga sipërmarrja por, qeveria e shkëmben projektin me ofrimin e bonusit prej 10 pikë përqindje, siç është përcaktuar në ligjin e koncesioneve. Ministria e Financave ka shpjeguar se prokurimet nga fondi “One Billion” do të bëhen me afat 1-2 vjet dhe duhet të ketë disponueshmëri të fondeve për t’u hapur prokurimi publik.
Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ka pohuar se, paketa “One Billion” nuk është zgjidhja më e mirë, por është e vetmja, pasi donatorët nuk e financojnë më tej, për shkak të nivelit të lartë në të cilin ka arritur borxhi publik i vendit.
70 milionë euro nga taksat, pagesa për koncesionet këtë vit
Koncesionet me Partneritet Publik-Privat po rëndojnë gjithnjë e më shumë faturën, që duhet të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.
Për këtë vit, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave do të bëhen 9.4 miliardë lekë pagesa për koncesionet ose 70 milionë euro. Kjo shumë është 30% më e lartë se e vitit të kaluar, ku fatura e koncesioneve në shpenzimet buxhetore të këtij viti u përllogarit me 7.1 miliardë lekë.
Këtë vit, financohen 12 koncesione nga 8 koncesione që ishin llogaritur për financim.
Koncesionet e reja, janë ndërtimi i Rrugës së Arbrit, koncesioni i mirëmbajtjes në Rrugën e Kombit, ndërtimi i inceneratorit të Tiranës dhe ndërtimi i shkollave në Bashkinë e Tiranës. Vlera më e madhe e financimeve do të shkojë për koncesionet në sektorin e shëndetësisë, me 3.9 miliardë lekë, ose 42% e së gjithë vlerës totale të financimit për koncesionet më 2018.
Nga koncesionet e shëndetësisë, vlera më e madhe e financimit për vitin 2018 shkon për koncesionin e sterilizimit me rreth 1.5 miliardë lekë. Më tej, financimet më të mëdha i merr koncesioni i shërbimeve laboratorike me mbi 880 milionë lekë dhe ai Check-Up me mbi 876 milionë lekë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të Partneritetit Publik Privat (PPP), si dhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale.
Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.
Aktualisht, janë në fuqi 8 kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2018 të fillojnë dhe 3 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë/Bashkisë Tiranë. Pagesat vjetore neto për kontratat koncesionare apo PPP për vitin 2018, përbëjnë rreth 2.4% të totalit të të ardhurave tatimore faktike për vitin 2017.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.