Leicester vazhdon rrugëtimin e jashtëzakonshëm duke u kualifikuar për në 8 më të mirët e Europës. Pavarësisht largimit të Claudio Ranieri-t, Leicester-i është “Hirushja” e këtij sezoni në Champions League. Vështirësitë e shumta në këtë sezon në kampionat, nuk e ndalën ëndrrën e kampionëve në fuqi të Anglisë dhe i vetmi që e pësoi ishte tekniku italian. Trajneri i përkohshëm (ish-ndihmës trajner), Craig Shakespeare, u konfirmua para disa ditësh deri në fund të këtij sezoni futbollistik nga drejtuesit e klubit.
Me marrjen e drejtimit prej tij, skuadra ka arritur t’i fitojë të tria ndeshjet e deritanishme, duke mundur fillimisht Liverpulin dhe Hull City-n në Premier League, ndërsa mbrëmë fituan me rezultatin e pastër 2-0 duke nxjerrë jashtë kompeticionit më të rëndësishëm për Klube, spanjollët e Seviljes.
Pikërisht lojtarët kryesorë të skuadrës, të cilët mendohet se ishin iniciatorët e largimit të Ranieri-t, mbrëmë e dërguan skuadrën në çerekfinale. Golat e shënuar nga kapiteni Wes Morgan (i pari gol i shënuar nga një futbollist nga Xhamajka në Champions) dhe mesfushori Marc Albrighton ndihmuan Leicester-in të përmbysë humbjen minimale në Sevilje.
Por protagonisti kryesor mbetet portieri Kasper Schmeichel, i cili ashtu si në ndeshjen e parë u shndërrua në hero duke pritur sërish një 11-metërsh në të 80’, që mund ta çonte ndeshjen në kohën shtesë.
Në pjesëmarrjen e saj të parë në UEFA Champions League, Leicester City arrin një sukses të jashtëzakonshëm duke qenë një prej tetë skuadrave më të mira në Europë. Një sukses ky aq historik, sa dhe ekonomik për “Dhelprat”, që tanimë ëndërrojnë triumfin në Europë pas mrekullisë së vitit të shkuar në Premier League.