Vdekjet në vendin e punës, mbyllën 40 vendpunishte në ndërtimtari

12/04/2019 12:37 PM 0 komente

Niveli i ulët i sigurisë në punë, por edhe pakujdesia janë identifikuar si faktorët që kanë ndikuar që gjatë këtij viti në Kosovë, dhjetëra punëtorë të humbin jetën në vendet e tyre të punës. Shqetësime për kushtet e punës kanë shprehur edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Me këtë rast duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së PDK-së, Luljeta Veseli, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka folur për vdekjet në vendin e punës.

Ai ka thënë se kjo është një sfidë për institucionet, teksa ka shtuar se gjatë vitit të kaluar për vetëm dy muaj janë mbyllur 100 vendpunishte.

“Siguria në punë është një sfidë për institucionet tona. Për të pasur një ambient të sigurt në punë vitin e kaluar kemi marrë disa masa legjislative. Kemi realizuar disa fushata vetëdijësuese duke vizituar vendpunishte në ndërtim. Në muajin tetor dhe nëntor kemi marrë disa masa. Mbi 100 vendpunishteve u është ndërprerë puna për shkak të sigurisë në punë. Dhe të njëjtat brenda një afati shumë të shkurtë kohor kanë plotësuar kushtet”, ka thënë ai.

Reçica po ashtu ka thënë se edhe gjatë këtij viti janë mbyllur 40 vendpunishte.

“Edhe këtë vit në këta dy muaj është ndërprerë puna në 40 vendpunishte, dhe të njëjtat kanë vendim për pezullimin e punës deri në plotësimin e kritereve”, tha ai.

Në Kosovë, janë shtuar raste të shumta të punëtorëve, të cilët vdesin në vendin e punës, si pasojë e kushteve jo të favorshme për punë, ndërkaq Inspektorati i Punës vetëm  gjatë vitit 2018 , nga 5700 inspektime të bëra, ka gjobitur 169 kompani private e publike.

Dënimi më i madh që ka shqiptuar Inspektorati i Punës ndaj kompanive që kanë shkelur ligjin është 118 mijë euro.

Punëdhënësi, sipas Ligjit të Punës, është i obliguar ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë.

Po ashtu, punëdhënësi sipas Ligjit për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë, ka përgjegjësi që t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për siguri dhe shëndet në punë, duke përfshirë edhe masat parandaluese kundër rreziqeve profesionale. Në anën tjetër, i punësuari është i detyruar ta informojë Inspektoratin e Punës në rast të ndonjë aksidenti me pasojë në lëndimin apo vdekjen e të punësuarit.

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës janë definuar edhe dënimet për të gjitha shkeljet të cilat rezultojnë me lëndime apo vdekje në vendin e punës. Sipas nenit 367 të këtij Kodi, kushdo që dëmton ose heq pajisjet mbrojtëse duke rrezikuar jetën e punëtorëve dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet, ndërsa nëse pajisjet mbrojtëse nuk janë vendosur fare ose nuk janë mirëmbajtur, personat përgjegjës dënohen prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Në rastet e lëndimeve më të rënda, personi përgjegjës mund të dënohet me 1 deri në 10 vite burgim, ndërsa nëse rasti pason në vdekjen e një apo më shumë personave përgjegjësi mund të dënohet prej 1 deri në 12 vjet burgim./Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of