Në vazhdim të turit “Punë e mbarë”, një nismë për t’u njohur me të gjitha kompanitë dhe bizneset që u shpallën fituese nga programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, vizitoi sot fabrikën e mobiljeve “Vip Saloti” në Vlorë, si përfituese nga fondi prej 2.7 milion dollarë i këtij viti.
Z. Veliaj tha se me programe si Fondi i Nxitjes së Punësimit po ndihmohen fillimisht sipërmarrësit shqiptarë, të cilët janë edhe punëdhënësit kryesorë në vend. “Këtë vit, për herë të parë, kemi pasur një ndarje transparente dhe pa burokraci e Fondit të Nxitjes së Punësimit. Për ata që janë vërtet të interesuar, si të rinjtë që takuam sot, në Shqipëri ka punë”, deklaroi ministri Veliaj pas takimit.
Ai theksoi se me hyrjen në fuqi të skemës së re të pensioneve në 1 janar 2015, është e rëndësishme që çdo qytetar t’i paguajë të plota sigurimet dhe të deklarojë pagën reale sepse kështu do të përfitojnë një pension më të lartë.
“Më vjen mirë që skema e re ka ndikuar në rritjen e numrit të punësimeve me rreth 44 mijë vetë, ku disa prej tyre kanë përfituar nga Fondi i Nxitjes së Punësimit. Kemi ende për të bërë, por krahasimi me atë çfarë kemi gjetur është si dita me natën. Me parë Fondi i Nxitjes së Punësimit nuk dihej nëse ekzistonte, shkonte në xhepat e zyrtarëve dhe punësonte zero njerëz”, tha z. Veliaj.
Ai nënvizoi se MMSR-ja ka nisur një tur inspektimi edhe në shkollat profesionale në vend për t’u treguar qytetarëve, por veçanërisht të rinjve, se ato janë një mundësi e shkëlqyer për të fituar një zanat që të jep punë. “Fatmirësisht ky do të jetë viti i parë pa universitetet fantazëm, prandaj shumë prindër duhet të mendojnë se ndoshta një shkollë profesionale është zgjedhja më e mirë për fëmijët e tyre”.
Nga Fondi i Nxitjes së Punësimit në rrethin e Vlorës kanë përfituar 9 projekte me 204 të punësuar. Projektet i përkasin fushave të ndryshme si shërbime hoteleri, prodhim mobilje, duralumin, prodhim konfeksione, prodhim këpucësh etj. Gjithsej, me programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit janë punësuar 3000 punëkërkues të papunë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.