Mosdeklarimi i pagës së plotë apo mospagesa e sigurimeve shoqërore është vrastare për punonjësit sepse kjo përkthehet në një pension të ulët në të ardhmen.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, gjatë aktivitetit të kompanisë ANTEA Cement “1000 ditë pa aksidente në punë”, u ka bërë thirrje punëtorëve dhe kompanive që ushtrojnë funksionin e tyre në Shqipëri, të ndërgjegjësohen për të deklaruar pagën reale dhe të paguajnë sigurimet në mënyrë që të përfitojnë pensione më të larta pas 1 janarit 2015.
“Sot kemi shumë raste kur punonjësit punojnë ose në të zezë, ose nuk i deklarojnë sigurimet shoqërore, ose deklarojnë vetëm pagën minimale. Kjo është vrastare për jetën e një punëtori sepse do të thotë se në të ardhmen ai do të marrë një pension qesharak. Nëse dikush punon në të zezë, mund të mbijetojë për pak kohë, por nuk do të ketë se me çfarë të jetojë kur të dalë në pension”, u shpreh ministri Veliaj.
Ai theksoi se sigurimet e papaguara sot, do të rezultojnë në pension më të ulët nesër dhe se skema e re e pensioneve, që do të zbatohet nga janari 2015, vlerëson ato kompani dhe punonjës që paguajnë sigurimet shoqërore. “Sa më shumë vite pune dhe sa më e vërtetë rroga, aq më i lartë del pensioni”, shtoi ai.
“Detyra e shtetit është që të kemi një legjislacion të fortë. Kjo është arsyeja pse vetëm këtë vit kemi kaluar katër paketa të tjera ligjore që forcojnë legjislacionin, çka do të thotë se kemi instrumenta për të inspektuar edhe aty ku kompanitë nuk kanë sensin e etikës”, deklaruar z. Veliaj duke paralajmëruar Inspektoratin e Punës, që të tregohet e rreptë me ato kompani që nuk paguajnë sigurimet shoqërore për punëtorët e tyre
Ndërkaq, Drejtori i Inspektoratit të Punës, z. Ylli, i pranishëm në takim, nënvizoi se “ajo që ne po mundohemi çdo ditë është të rrisim ndërgjegjësimin e krijimit të një mjedisi të shëndetshëm në punë për punonjësit”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.